Primitivja dhe shërbëtorja te Dule

May 26, 2015 | 13:02
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

    Vangjel Dule duket se mbeti në Kuvend në zgjedhjet e vitit 2013 si një tekë e PS-së, për të pasur në Kuvend përfaqësues zyrtarë të pakicës greke në Shqipëri. Falë kësaj loje, ai në fakt ka mbetur jo vetëm pjesë e Kuvendit, por edhe e qeverive të njëpasnjëshme. Shumë herë qeveritë me të kanë mbyllur sytë, duke bërë sikur nuk e lexonin apo nuk e shihnin qëndrimin e tij të hapur të një politikani sikur gdhihej e ngrysej në Athinë e jo në Tiranë. E megjithatë, dy forcat e mëdha politike ia lejuan këtë luks Dules. Mirëpo, vetë Dule, në gjithë kolovajzën e tij politike mes primitives dhe shërbëtores, ka lënë të kuptohet se loja mbaron nëse dikush ofron ato që “muza e tij”, pra Athina, nuk dëshiron t’i njohë.

Dhe, pa e fshehur nga askush, la të kuptohet hapur këtë kundërshti, kur sapo në “postin e homologut” u ngjit kreu i PDIU-së, z. Idrizi.
Një lëvizje kaq e hapur si kundërshti ndaj kreut të Partisë që ka në themel të saj zgjidhjen e çështjes çame, nuk është veçse mesazhi që shërbëtori Dule duket se duhet të jepte. Dhe ashtu, në shtratin e primitives ku është shtrirë që kur ka trokitur në politikë, Dule në fakt la të kuptohet një refuzim nga “shefat” e tij politikë, që as në Tiranë e as madje në Dropull e Dervician nuk mund të jenë.

Pas kësaj lëvizjeje kaq të hapur, a mund të themi se Vangjel Dule vërtet përfaqëson zërin e komunitetit grek në Shqipëri? A është ky një rrugëtim në emër të bashkëjetesës? Duket se kreu i PBDNJ-së as që e ka vrarë mendjen ndonjëherë për këta “terma politikë”. Përballë Tiranës zyrtare ai është sjellë si një përfaqësues i Athinës zyrtare, ndaj dhe çështja e njeriut që kërkon integrimin e komunitetit grek në Shqipëri është thjesht një pranim loje, por që nuk ka lidhje asnjë çast me të vërtetën.

Unë njoh mjaft prej atyre që janë pjesë e komunitetit grek në Shqipëri. Di që shumica prej tyre e duan këtë vend. Janë lindur e rritur këtu dhe ndihen fare mirë në shtëpitë e tyre. Di që nuk janë me Dulen kur ai shfaq kaq hapur përfaqësimin e politikës “larg tyre”. Ndaj asnjë lëvizje e Dules nuk mund të ndikojë në bashkëjetesën që ai komunitet e ka bërë fare natyrshëm me shqiptarët. Dhe ne askënd nuk mund të mbështesim që në emër të Dules të shohë pjesëtarët e pakicës greke, sikur nuk janë pjesë normale e Shqipërisë së përditshme.

Z. Idrizi nuk kish vënë nga ana e tij asnjë kusht, as kur hyri në koalicion e as kur u propozua si numri dy në Kuvend. Dhe nuk kish pse, pasi ai vetë kërkon një të drejtë që u ka munguar shumë prej anëtarëve të komunitetit çam. Dhe asnjë nga këta të fundit nuk e sheh as Dulen e as Greqinë si armiq. Nëse Dule i konsideron të drejtat historike si të pavlera, atëherë ai më së pari duhet të mos ketë fare parti, e aq më pak të jetë përfaqësues i pakicës. Sepse një përfaqësues i tillë duhet të jetë edhe më shumë mirëkuptues ndaj të drejtave historike, e jo të bëhet flamur i kundërshtimit të tyre.

Në disa momente politika kthehet në një pëlhurë të bardhë, ku duken shenjat e atyre që kalojnë aty. Dule fatkeqësisht la një nga autoportretet politike më të padëshiruara në këtë pëlhurë, edhe pse që kur ka hyrë në politikë, vetëm këtë grafikë duket se ka punuar.
Përballë Dules, as për gjuhën e përçarjes fetare të Nard Ndokës nuk kemi nevojë. Por, nëse Ndokës i merren për barsoleta deklaratat e tij, me Dulen gjasat gjithnjë kanë qenë ndryshe. Sepse ai nuk është një folklorist, por zëdhënës i mungesës së politikës integruese, sidomos mes dy popujve që kanë ende gjëra për të thënë për të shkuarën mes tyre, ku pa dyshim çështja “çame” as mund të fshihet e as mund të injorohet, por vetëm të zgjidhet.

Në përpjekjen për të bashkudhëtuar me atë që na duhet, Dule është shumë i vogël për të penguar arritjen e asaj që na duhet jo vetëm neve, por edhe grekëve vetë, të cilët kanë nevojë të bashkudhëtojnë me të vërtetën, pasi janë pjesë jo vetëm e mendimit në kohë, por edhe e historisë, ku më së pari vlerësohet dinjiteti dhe e vërteta mbi atë që i takon gjithkujt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura