Prezantim madhështor, konfirmohen 5 blerjet

Jan 31, 2013 | 12:44
SHPËRNDAJE
Tirana gjatë prezantimit të 5 blerjeve të reja

Tirana konfirmon zyrtarisht pesë blerjet e reja të merkatos së janarit. Fatmir Hysenbelliu, Herbi Fortunat, Dario Xhuti, Eleandro Pema dhe Gilman Lika janë prezantuar dje në ambientet e klubit.
Në prani të administratorit Salih Tagani dhe trajnerit Alban Tafaji, në orën 10:00 ata janë prezantuar para mediave si përforcimet e reja për fazën e dytë, si dhe kanë marrë fanellat e tyre me numrat përkatës. Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga mbyllja zyrtare e merkatos së dimrit, kryeqytetasit kanë dashur të formalizojnë këto afrime, duke bërë një prezantim madhështor, ashtu siç i ka hije një klubi të madh si Tirana. Tagani e konsideroi këtë merkato të bërë si një hap të madh për një të ardhme më të ndritur. Pas një faze të parë jo nga më të mirat, administratori ka vlerësuar merkaton e bërë në janar, ndërsa ka konfirmuar objektivin e kryeqytetasve: vendi i dytë në Superiore, që do të thotë edhe pjesëmarrje në Kupat e Europës. Ndërkohë, Gilman Lika mund të quhet si i shtëpisë në fakt, sepse ai thjesht ka rinovuar. Mirëpo te Tirana atë e konsiderojnë si goditjen më të madhe, duke pasur parasysh ofertat e shumta që erdhën në adresë të shkodranit gjatë kësaj merkatoje. Në këtë prezantim spikat edhe 20-vjeçari Fatmir Hysenbelliu, i cili ndihet krenar që do të veshë bluzën e ekipit më të titulluar në vend. Ai do të mbajë fanellën me numrin 7. “Jam krenar që bëhem pjesë e Tiranës, skuadrës më të titulluar në Shqipëri. Të gjithë së bashku le të sigurojmë vendin e dytë në kampionat, në mënyrë të sigurt, pastaj të eksplorojmë edhe mundësitë për fitimin e titullit”. Sa i përket Fortunat, ndonëse me një shqipe jo perfekte, por ama të kuptueshme, ai ka premtuar gola dhe shpreson që formën e tij të mirë ta vërë në shërbim të ekipit. Kurse për Eleandro Pemën ky është një rikthim, duke qenë se e ka veshur këtë fanellë edhe më parë, e madje është shpallur kampion. “E vesh për herë të tretë fanellën bardheblu, peshën e së cilës e njohin të gjithë. Në dy herët e tjera jam shpallur kampion, ndaj shpresoj të jem i suksesshëm edhe këtë herë”, – u shpreh sulmuesi, i cili ka marrë fanellën 21. Ndërsa numri 22 i është dhënë Dario Xhutit, të riut që ka ardhur nga Greqia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura