Presidenti Meta mesazh pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare: Falenderoj Ruçin, Ramën dhe Bashën për…

Mar 25, 2020 | 17:39
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nëpërmjet një mesazhi mbi mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, thekson se kjo mbledhje u zhvillua në mënyrë konstruktive.

metakeshilli

Sipas Presidentit, mbledhja pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, për të përballuar me efikasitet të plotë pandeminë e koronavirusit.

“Në këtë frymë gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi ynë do ta përballojë me sukses këtë situatë tejet të vështirë”, thekson kreu i Shtetit.

Reagimi i plotë i Presidentit Meta:

Të dashur qytetarë,

Nëpërmjet një video-konference zhvilluam sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat që janë marrë dhe do merren nga Qeveria për përballimin e situatës së vështirë të krijuar në vend si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të saj.

Një nga temat kryesore të diskutimeve ishin edhe masat e mundshme për rikthimin e shtetasve shqiptarë, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë vendit.

Mbledhja, që u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë pandemi globale në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë.

Për këtë arsye dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, Kryeministrin z.Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike z.Lulzim Basha për unitetin që dëshmuan.

Në këtë frymë gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi ynë do ta përballojë me sukses këtë situatë tejet të vështirë.

Çdo vendim, qëndrim dhe sjellje e secilit prej nesh duhet të udhëhiqet vetëm nga interesi më i mirë kombëtar, publik dhe qytetar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura