Presidenti hungarez nderon Tashon, promovoi Budapestin në fotografi

Dec 6, 2016 | 13:01
SHPËRNDAJE

Vlerësimet janë gjithnjë të gëzueshme, aq më tepër kur vijnë nga një vend që e ke për zemër. Ndërsa ka hapur një nga ekspozitat e tij më të mëdha fotografike, kushtuar shqiptarëve të suksesshëm, shpërndarë nëpër botë, fotografi Roland Tasho është nderuar me një dekoratë mirënjohjeje nga Presidenti hungarez, Ader Janos. Një vlerësim jo i rastit për Tashon, i cili numëron dhjetëra fotografi të realizuara në Budapest.

Roland Tasho, duke marrë dekoratën nga ambasadori hungarez, Antal Heizer
Roland Tasho, duke marrë dekoratën nga ambasadori hungarez, Antal Heizer

Madje, në muajin prill, me rastin e vizitës së Presidentit hungarez në Tiranë, hapi në galerinë GAB ekspozitën “Unë dhe Budapesti”. Një rrugëtim 22-vjeçar në njohjen e tij me këtë qytet si shqiptar, si europian dhe si fotograf profesionist. Pikërisht, prezantimi dashamirës që Tasho i ka bërë këtij qyteti, përmes fotografisë, është edhe motivi i këtij vlerësimi. Dekorata iu dorëzua fotografit nga ambasadori hungarez në Tiranë, Antal Heizer.

Roland Tasho nuk e fsheh mirënjohjen për këtë vlerësim të lartë, që vjen nga kreu i shtetit hungarez, si edhe për Ambasadën Hungareze, gjithnjë bashkëpunuese dhe mbështetëse në realizimin e qëllimit të tij për promovimin e vlerave më të mira, jo vetëm shqiptare. “Ky është një nga nderimet më të larta që më është bërë nga një vend i huaj, pikërisht nga Hungaria mike”, thotë Tasho. Sigurisht ai do të kishte dashur që këtë vlerësim ta kishte marrë edhe në vendin e tij, për kontributin e dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në promovimin e vlerave më të mira shqiptare. Roland Tasho, përmes fotografisë së tij, është bërë promovues i peizazhit shqiptar, i turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

Dekorata e Mirënjohjes
Dekorata e Mirënjohjes

Janë të njohura tashmë fotografitë e tij me kostume popullore shqiptare, të cilat ua ka veshur të gjithë diplomatëve dhe personaliteteve kulturore që kanë shkelur në Shqipëri. Por jo vetëm kaq. Në kohën kur Shqipëria është pre e paragjykimit, përtej kufijve ai ekspozon arritjet më të mira të shqiptarëve, që kanë mundur të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në diasporë, që nga vendet fqinje, deri në Amerikë.

Me aparatin e tij, ai i ka gjetur atje ku ata jetojnë dhe këto arritje “të vogla” individuale ua ka bërë të njohur të gjithëve, si një arritje e të gjithëve, e shqiptarëve, që nuk janë vetëm ata të kronikave të zeza. Pikërisht mes këtyre fotografive, ai zgjodhi 300 syresh që i ekspozoi në tri ambiente: në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar dhe COD, në Kryeministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura