Premtoi hapjen e burgjeve, pranga fallxhores mashtruese

Oct 31, 2012 | 12:39
SHPËRNDAJE

Një fallxhore që premtonte parashikim për lirimin nga burgu të personave të dënuar u arrestua dje në Vlorë, me gjithë një bashkëpunëtor të saj në këtë aktivitet kriminal. Policia e Vlorës ka bërë me dije se një shtetas e denoncoi fallxhoren, e cila mashtroi qytetarin për disa muaj rresht duke i premtuar se do t’i nxirrte djalin nga burgu. Sipas një deklaratë të lëshuar dje nga Policia e Vlorës, sektori i hetimit arrestoi dje shtetasen Dallëndyshe Mehmeti, 44 vjeçe, banuese në Fushë-Krujë. Forcat e rendit kanë vënë në pranga dhe bashkëpunëtorin e saj, shtetasin Luan Roko nga Elbasani. Burime të Policisë bënë të ditur se një qytetar nga Vlora është paraqitur në komisariat dhe ka kërkuar ndihmë, pasi një grua nga Fushë-Kruja e kishte mashtruar duke i marrë 600 euro. Ai kishte shkuar disa herë te 44-vjeçarja fallxhore, e cila pretendonte se kishte fuqi të mbinatyrshme dhe jo vetëm arrinte të parashikonte fatin e personave, por edhe ta ndryshonte atë. Qytetari nga Vlora kishte shkruar disa herë te gruaja dhe ishte interesuar vazhdimisht për fatin e djalit që kishte brenda në burg. Ndërkohë e arrestuara, kundrejt shumave që varionin rreth 100 euro për çdo seancë, e mbante me shpresë dhe i kishte premtuar një afat të caktuar për lirimin e djalit. E arrestuara premtonte se në këtë kohë do të ndodhte “mrekullia”, dhe i biri i qytetarit të mashtruar do të dilte nga burgu. Policia nuk konfirmoi se për çfarë vepre penale ishte dënuar djali i qytetarit të dëmtuar nga ngjarja, për të cilin i ati kishte nisur të rrëmonte fallxhorët. Hetuesit kanë mësuar se pasi djali nuk doli në afatin e përcaktuar nga fallxhorja, madje kaluan disa muaj, babai i të dënuarit i është drejtuar Policisë. Uniformat blu nisën hetimin dhe arritën të dokumentonin mashtrimin e dhjetëra personave. Sipas burimeve të Policisë, është arritur të vërtetohet se në varësi të situatës së paraqitur, gruaja u kishte marrë personave të ndryshëm deri në 2600 euro. Personat që shkonin kryesisht për të parë fatin ishin gra ose burra, martesa e të cilëve kishte probleme apo ishte në prag divorci, por edhe persona të tjerë që shprehnin simpati për persona konkretë dhe i kërkonin 44-vjeçares t’i bashkonte. Mësohet se dy të arrestuarit kanë deklaruar se nuk i kanë kërkuar lekë asnjërit prej personave, porse ata ua kishin dhënë me dëshirën e tyre. Ndaj tyre rëndon akuza e kryerjes së veprës penale të përfitimit me anë të mashtrimit. Për hetime të mëtejshme materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për zbardhjen e skemës së veprimtarisë së tyre dhe të evidentimit të personave e të sasive të lekëve që u kanë marrë dy të arrestuarit me anën e mashtrimit.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura