Premiera në 5 mars, si do të zbutet kryeneçja në Teatrin Kombëtar

Feb 29, 2016 | 13:21
SHPËRNDAJE

“Zbuteni zemërimin… Nuk na duhet krenaria…”. Me këtë thirrje Teatri Kombëtar fton publikun për të ndjekur premierën e komedisë shekspiriane.

Komedia “Zbutja e kryeneçes” nga Shekspiri (W. Shakespeare), me regji nga Elma Doresi, vjen si premierë në Teatrin Kombëtar, ditën e shtunë dhe të diel, ora 19:00, dt. 5 dhe 6 mars. Është regjisorja Elma Doresi që ka marrë përsipër sfidën të përballet me një Shekspir e pa dyshim me një kryeneçe.

kryenecjaaa

Nën skenografinë e Genc Shkodranit, kostume të Berina Kokonës dhe me një tarantelë në sfond, publiku do të mund të kalojë një mbrëmje argëtuese, duke shijuar një tekst të bukur dhe lojën e aktorëve të përzgjedhur nga Doresi për këtë vepër.

Për të interpretuar kryeneçen, ajo ka përzgjedhur Gladiola Harizajn, së cilës i vë përballë Petruçion, Helidon Fino.

Publiku i TK-së do të ketë mundësi të marrë pjesë në një shndërrim. Nga një vajzë që “hedh vickla” gjithandej, aq sa nuk i afrohet asnjë mëtues, Katerina kthehet në një vajzë të butë e të bindur. Është forca e dashurisë, apo e një përpunimi psikologjik?! Vepra e Shekspirit nuk është edhe aq “naive”…

VEPRA Nga “Zbutja e kryeneçes”, e cila mendohet të jetë shkruar rreth viteve 1590–1592, mund të heqim paralele me të sotmen, edhe pse është shkruar rreth 5 shekuj më parë. Gjithmonë do të ketë prindër që do t’i trajtojnë fëmijët si pronë, që do të bëjnë “tregti” me ta, që do të vlerësojnë më së shumti përfitimin financiar.

Siç do të ketë gjithnjë njerëz me karaktere të vështirë që do të ndryshojnë për hir të njeriut që duan. Këtë atmosferë do të gjejmë në oborrin e Batistës, një baba, që kërkon të martojë vajzat e tij me kandidatët që do të sjellin më shumë fitim për të mbas martesave.

Duke parë kërkesat e mëdha për vajzën e vogël, të bukurën dhe të brishtën Bianka, Batista vendos: Të martojë vajzën e madhe, Katerinën, në fillim e më pas të voglën. Kaq do të mjaftojë që të dalin para “Gjuetarët e Pasurisë” dhe një mori kompromisesh, komplotesh, karakteresh, ndërrime identitetesh…

“Shorti” për t’u martuar me Katerinën do t’i bjerë Petruçios, por ajo nuk është një “pre” e lehtë, por edhe ai jo më pak… “Zbutja e kryeneçes” është një komedi e ndërtuar me pesë akte dhe dymbëdhjetë skena.

Ka njohur trajtime nga më të ndryshmet, si në film dhe në teatër, nga klasikja te modernia. “Kryeneçja” e Teatrit Kombëtar pretendon të mos jetë thjesht një shfaqje argëtuese, me batuta e situata, që vetëm Shekspiri di t’i ndërtojë, por të ngrejë edhe disa pyetje para publikut.

A duhet të jemi krenarë? A duhet të bëjmë kompromise? Sa e rëndësishme është mirëqenia në një çift përballë dashurisë? A duhet të dëgjojmë më shumë e më pas të kërkojmë të na dëgjojnë? Katerina, Petruçio e gjithë të tjerët kanë disa gjëra për të na thënë në këtë drejtim…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura