Precedenti i Gjykatës, nëse deputeti rreh kolegun në Kuvend dënohet vetëm me… 2 javë përjashtim

Jun 11, 2015 | 7:49
SHPËRNDAJE

E dini çfarë vendimi ka dhënë Gjykata e Lartë për rrahjen e deputetit Gent Strazimiri nga Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu? 

Kreu i Gjykates se Larte, Xhezair Zaganjori

Ka vendosur që ta pushojë çështjen me argumentin se nuk duhe të kishte nisur fare procedimi penal për këtë rast.

Pesë anëtarëve të trupës gjyqësore i janë dashur plot 9 muaj punë, dhjetra seanca gjyqësore, pyetje të disa deputetëve dëshmitarë, pyetje të dy të pandehurve, argumenteve të prokurorisë, shfaqjes së pamjeve të videos së Kuvendit për të dalë në përfundimin se nuk duhet të jetë kjo gjykatë që duhet ta trajtojë këtë çështje.

Tashmë është krijuar precedenti dhe vendimi i Gjykatës dihet paraprakisht.

Nëse një deputet rreh kolegun brenda ambienteve të Parlamentit, ai do të dënohet vetëm me 2 javë përjashtim, por me asgjë më shumë. Kjo sepse, sipas Gjykatës së Lartë, po të qëllosh kolegun deputet ajo nuk mund ta trajtojë si çështje pasi është kompetencë e Parlamentit. 

 

Arsyetimi i Gjykates 
Në lidhje me vendimin nr.4 datë 10.06.2015, të shpallur sot nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në pritje të bërjes publike të vendimit të plotë e të arsyetuar, mbi motivet thelbësore kushtetuese e ligjore për të cilat ky kolegj dha vendimin e sotëm, informohet publiku si vijon:

“Në mbështetje të paragrafit të parë të nenit 387 të Kodit të Procedurës Penale, çështja nuk duhet të fillonte për shkak se nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor penal.

Përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve fyese, si edhe kryerja e veprimeve të tjera faktike a të dhunshme nga ana e deputetëve, të cilat cenojnë veprimtarinë normale dhe autoritetin e Kuvendit, personin dhe dinjitetin e deputetit, etj., të kryera gjatë veprimtarive parlamentare dhe/ose brenda ambienteve të Kuvendit ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij, përbëjnë tejkalime të lirisë parlamentare, shkelje të cilat gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi.

Si të tilla, sjelljet e deputetëve me fjalë, gjeste apo veprime fizike a të dhunshme, që pengojnë a cenojnë autoritetin e Kuvendit, dinjitetin dhe personin e deputetit, nëse nuk kanë sjellë pasoja të tjera të rënda sipas ligjit, i nënshtrohen procedurave ekskluzive të hetimit dhe gjykimit disiplinor, si edhe të sanksioneve disiplinore nga vetë strukturat e pushtetit legjislativ, pra nga Kuvendi.

Kështu, sipas parimit kushtetues “ne bis in idem”, nuk mund të ketë procedim dhe ndëshkim të të njëjtit subjekt dhe për të njëjtin fakt, nga organet e procedimit disiplinor të Kuvendit si shkelje disiplinore dhe nga organet e ndjekjes penale dhe gjykata penale, si vepër penale.

Ky qëndrim, bazohet në parimet kushtetuese dhe dispozitat kushtetuese për ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit legjislativ, me konkretisht në parimin e “autodichia-s” – kompetencën rregullatore dhe vendimmarrëse ekskluzive të parlamentit për çështjet që lindin nga veprimtaria parlamentare dhe brenda ambienteve të Kuvendit ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij, të reflektuara në Kushtetutë, ligjin për statusin e deputetit, Rregulloren e Kuvendit, etj.

Të njëjtat parashikime parimore dhe normative, si edhe të njëjtat qëndrime mbahet në raste të tilla, sikurse ai objekt i këtij gjykimi, nga Kushtetutat, legjislacionit, praktikat parlamentare, praktikat gjyqësore kushtetuese dhe praktikat gjyqësore penale në të gjitha vendet perëndimore, si edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (të cilat do të citohen konkretisht dhe hollësisht në vendimin e arsyetuar që do të depozitohet në një kohë të shkurtër)”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura