Forca e arsyes dhe aksionit që rrit opozitën

Feb 1, 2016 | 11:59
SHPËRNDAJE

prec zogaj

Preç Zogaj

Megjithëse ka rrezikuar të bjerë nën zjarrin e paragjykimeve politike  primitive, akoma mjaft aktive në vendin tonë, PD ka përshëndetur publikisht qëndrimin e LSI-së dhe Ilir Metës për domosdoshmërinë e konsensusit për Reformën në Drejtësi, sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias. Ky gjest nuk do të spikaste dhe nuk do të meritonte të komentohej, nëse pohimi pa komplekse i gjërave të arsyeshme që thotë apo bën kundërshtari do të ishte zakon.

Për fat të keq, jemi akoma larg këtij standardi. Mendësia e llogoreve është akoma mjaft e fortë. Të përshëndesësh në kulmin e debatit një qëndrim të palës kundërshtare, që ti e konsideron të drejtë apo që është i njëjtë me qëndrimin tënd, ta marrin në mos si dobësi, si pazarsikur ke bërë një marrëveshje konspirative me të. Mendimi se gjithçka është një lojë e fëlliqur interesash është një mall mjaft i lirë në tregun politik shqiptar, dhe për ketë gjendje të mjerë kanë punuar gjatë njëzet e pesë vjetëve shumica e politikanëve të rëndësishëm.

Në këtë kontekst, një qëndrim realist kërkon guxim. Aq më tepër në rastin e shembullit tonë, kur dihet se PD dhe LSI kanë qeverisur së bashku gjatë periudhës 2009-2013 dhe çdo sintoni e tyre në qëndrime do të lexohej me lehtësi, siç po lexohet andej-këndej, si shenjë e rikthimit të tyre në aleancën e vjetër. Këto nuk mbarojnë kurrë.

Të kushtëzohesh nga paragjykimet dhe spekulimet e rëndomta në qarkullim, do të thotë të mos bësh politikë fare. Rreziku i paragjykimeve është zhdukja e plotë e politikës, thotë Hannah Arennd. Realizmi dhe arsyeja vlejnë gjithmonë më shumë se dogmatizmi dhe ngurtësia. Në të vërtetë, arsyeja është një betejë e madhe, në mos me e madhja për t’u fituar brendapërbrenda partive shqiptare dhe në marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën.

Gjithë skarciteti politik njëzet e cavjeçar, që ka qenë dhe është në mënyrë konstante shumë më i madh se produkti i vlefshëm politik, nuk është gjë tjetër në thelb veçse një shmangie nga arsyeja. Arsyeja na thotë se të heshtësh apo të braktisësh qëndrimet e tua kur kundërshtari deklaron të njëjtën gjë, do të thotë të jesh i kufizuar ose i pasinqertë. Kjo është më e thjeshta. Arsyeja përcakton efikasitetin e denoncimit me fakte dhe argumente të skandaleve të qeverisë.

Por arsyeja të mëson edhe të dish të heshtësh kur faktet dhe argumentet nuk përligjin marrjen e një pozicioni denoncues, siç ishte, për shembull, publikimi pas pesë-gjashtë vitesh i ekstrakteve të një përgjimi nga prokuroria gjatë fushatës elektorale të vitit 2009 ku Ilir Meta i thotë bashkëbiseduesit që përgjohej “na duhet një dyqindmijëshe”. Jo pak kolegë të mediave u shprehen të habitur pse nuk po fliste opozita.

Unë mendoj se bëri mirë. Pse? Në parantezë duhet të kujtojmë se opozita ka kërkuar dy herë në harkun e një viti dorëheqjen e Ilir Metës nga posti i kryetarit të Kuvendit për t’u hetuar si deputet i thjeshtë. Herën e parë pas akuzave të deputetit Tom Doshi për porositje vrasjesh nga kryeparlamentari. Herën e dytë pas shpërthimit të skandalit financiar, që njihet me emrin “Dia”.

Siç e kam argumentuar në një shkrim të atyre kohëve, opozita nuk dukej se kishte ndonjë tendencë të veçantë ndaj Metës dhe as frikë nga rritja e LSI-së, siç i pëlqente këtij të fundit të thoshte me vetëpërkëdheli. Për opozitën shumica qeveritare është Rama-Meta. Ku Rama është kundërshtari numër një, për shkak të peshës politike tre-katërfish më të madhe se aleati i tij. Meta kundërshtari numër dy, për shkakun e kundërt.

Ishin ngjarjet apo edhe dallgët e ngritura në prapaskenë nga Kryeministri Rama, që e nxirrnin Metën herë pas here në planin e parë të sulmeve. Opozita s’kishte pse hynte në rebuset e luftës brenda shumicës. Të qëndrojë ballore ishte dhe është pozicioni më i drejtë për të përballë koalicionit Rama-Meta, që ka lindur si ide pushteti dhe do ta shtyjë sa të mundet në funksion të përfitimeve nga pushteti.

Duke e ditur këtë, opozita nuk mund të sillet si demi para shamisë së kuqe të toreadorit për çdo gjë që i del përpara. Çdo fakt që lidhet me kundërshtarët duhet të kalojë në filtrin e arsyes, logjikës. Përndryshe vetë opozita bëhet e pabesueshme. Përgjimi i fundit i Ilir Metës, megjithëse i kryer nga prokuroria në vitin 2009, nuk sillte, me aq sa u publikua, ndonjë të dhënë që të përligjte alarmin “ujku, ujku”.

Dyqindmijëshja që është përmendur në përgjim me siguri ka të bëjë me një shumë parash që kryetari i LSI-së ia kërkon një miku biznesmen për fushatën. Dihet botërisht se, sipas takatit, kështu bëjnë të gjitha partitë në Shqipëri. Financohen nën dorë nga biznesmenë miq ose sipërmarrës që kanë interesa me pushtetin. Denoncimi politik i një akti të kundërshtarit, që ti e ke bërë edhe vetë, do të ishte një hipokrizi e madhe.

Qasja e ndershme këtu është reformimi dhe rregullimi i drejtë i financimit të partive dhe politikës në tërësi. Disa nga parimet e një reforme kësisoj, kryetari i PD-së, Basha, u dëgjua t’i shpaloste në tryezën ndërpartiake të para pak ditëve për zgjedhjet. Le të shpresojmë se nga fjalët do të kalohet në vepra, që të stopohet përdorimi i parave të pista në fushatat elektorale. Ky është qëndrimi i arsyeshëm dhe efektiv.

Goditja e tjetrit sa për të larë gojën, nuk do të kishte vlerë. Unë e përmend këtë rast të kapërcyer tashmë sepse dëshiroj të promovoj me sa të mundem qëndrimin realist dhe arsyen në politikë, mbretëreshën që na shpëton nga të jetuarit në gënjeshtër dhe varfëri. E di se disa rrethana të periudhës së sotme e padisin PDnë sikur ka heshtur për “dyqindmijëshen” për shkak të një koniunkture të re që lëviz në trekëndëshin PS-PD-LSI për Reformën në Drejtësi, ku PD dhe LSI janë në një mendje për konsensus, sipas Venecias.

Të vlerësosh një koniunkturë është një gjë më se normale në politikë. Por më pëlqen të mendoj se PD nuk do të ishte shbalancuar edhe nëse LSI do t’i kishte mbajtur ison Ramës për Reformën në Drejtësi. Qëndrimet e arsyeshme, pa komplekse, por gjithnjë parimore, janë epërsi që ka e duhet të ketë opozita në të gjithë sjelljen e saj dhe në lojën e errët, madje edhe të ndyrë të palës kundërshtare për Reformën në Drejtësi. Rama ka ëndërruar e ëndërron ndonjë bonus për vete nga SHBA dhe Venecia, për të rritur fuqinë e tij në rindërtimin e sistemit të ri të Drejtësisë, ose për të provokuar krizë parlamentare me pretekstin se “të korruptuarit” nuk e lënë.

Ai po investohet dendur kohët e fundit të ravijëzojë “kampin kundërshtar” PD-LSI. Në vend që të bashkohet pa asnjë ekuivok me parimin e konsensusit që ka shpallur opozita e tij dhe aleati i tij dhe të avancojë vizionin e tij brenda kornizës së konsensusit, e dëgjojmë të ironizojë PD-në sikur gjoja po bën avokatinë e LSI-së dhe Metës. Me një gur kërkon të vrasë dy zogj.

Mirë PD-në se e ka kundërshtare, por kjo është tepër e pasjellshme ndaj aleatit në radhë të parë, sepse prezumohet sikur ka nevojë për avokati. Avokati ku? A është avokati përputhja e qëndrimeve për Reformën në Drejtësi apo për koncesionet abuzive? Absolutisht jo. Opozita ka kërkuar dy herë dorëheqjen e Metës, kur Rama ia ka nxjerrë në pritë. Faktet e justifikonin këtë qëndrim, pavarësisht se çfarë luhej në kulisat e shumicës. Besoj se opozita sërish do të kërkonte dorëheqjen e Metës po të njihej me fakte që e përligjin këtë.

Por “rosa” e fundit, siç do të thoshte avokat Ngjela për përgjimin e vonuar, nuk e përligj. Nuk ka avokati të opozitës ndaj LSI-së. Rama kërkon t’i dalë përpara skenarit të dështimit të Reformës në Drejtësi apo zgjedhjeve të parakohshme për këtë shkak, duke menduar të fajësojë para publikut, për qëllime elektorale, aleatin e tij aktual dhe opozitën, të cilët i ka piketuar ndërkaq si të pandehurit e propagandës së tij.

Rama me sa shihet shkon me mendimin se afrimi apo aleanca me LSI-në, qoftë edhe e nënkuptuar, e dëmton elektoralisht PD-në. Sipas meje, këtu nuk e gabon as arsyeja, as intuita. Një aleancë PD-LSI në kontekstin e dështimit të paqartë të Reformës në Drejtësi, por edhe më gjerë se kaq, favorizon Ramën. PD s’mund të mos e dijë këtë.

Ajo po bashkëpunon pa komplekse me LSI-së dhe ka kërkuar të bashkëpunojë njëlloj edhe me PSsë për Reformën në Drejtësi, sipas Venecias. Kjo është e drejtë, e arsyeshme. Dita për njohjen botërisht të penguesit të reformës, nëse reforma pengohet, po afron. Penguesin e pret eliminimi politik. Për opozitën ka rëndë- si të mbetet deri në fund bashkëpunuese dhe pse jo protagoniste e kësaj reforme që kërkon domosdoshmërisht mirëkuptimin e të gjitha palëve.

Më tej, projekti i fitores dhe aleancat politike për pushtetin ndërtohen me një logjikë tjetër. Zhvillimet politike në një anë dhe pritshmëritë që ka vendi në anën tjetër, të shtyjnë të mendosh se opozita dhe kreu i saj Basha nuk fitojnë as me lojëra politike dhe as me nostalgji, por me një projekt, që PD po e përfundon dhe të cilin ka paralajmëruar se do ta konsultojë gjerësisht me qytetarët.

Është detyrim që duke ndërtuar aleancat më të gjera të mundshme me aktorë dhe faktorë të opozitarizmit në vend, PD t’i japë shansin e mbështetjes së gjere qytetare projektit të Demokracisë së re, që ajo ka shpallur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura