Prapaskenat e Nobelit në Letërsi/ Kush është poetja 77-vjeçare, bija e emigrantëve që fitoi çmimin. La pas pretendenten e “Firstpost”

Oct 9, 2020 | 14:51
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/“Për zërin e pagabueshëm poetik, që përmes një bukurie rigoroze e bën universale ekzistencën individuale”. Është ky motivacioni mbi të cilin Akademia Suedeze vlerësoi poeteshën amerikane Louise Elisabeth Gluck, si fituesen e Nobelit prej 950 mijë eurosh në Letërsi për vitin 2020.

American-Poet-Louise-Gluck-Wins-Nobel-Literature-Prize

Me dy çmime të rëndësishëm gjatë karrierës si “Pulitzer” (1993) dhe National Book Award” (2014), docentja e Universitetit të “Yale”, e dalluar për stilin e saj unik dhe të pasur poetik, esetë e kopsitura për ajkën e letërsisë botërore, duket se është mjaft e pëlqyer nga kritika ndërkombëtare. Pas peripecive të viteve të kaluara, Akademia Suedeze, lajmin e fituesit të Nobelit të Letërsisë edhe këtë vit e dha në mënyrë të pazakontë, për shkak të Covid-19.

Në një lidhje direkte e më një publik tepër të kufizuar, për shkak të situatës së pandemisë, Akademia arriti gjithsesi të mbante të mbërthyer vëmendjen mediatike. Kureshtja e publikut, justifikohet edhe me faktin e skandalit seksual të 2018-ës që parapriu ceremoninë e një viti më parë, ku u dhanë dy çmime njëherësh. Ai i polakes, Olga Tokarczuk dhe shkrimtarit kontrovers ,Peter Handke, që kishte mbështetur Slobodan Milloshevicin në të shkuarën. Ceremonia e ndarjes së çmimit pritet të mbahet në 10 dhjetor në Stokholm.

NOBELI I LETËRSISË, PËRSËRI JASHTË PARASHIKIMEVE

Ndonëse gëzon gjykime pozitive të kritikes, nobelistja më e re e letërsisë, Louise Gluck, është pak e njohur në nivel ndërkombëtar. Poetja amerikane nuk ishte pjesë e “top listës” së kandidatëve për Nobel që mediat ndërkombëtare kishin publikuar në sajë të përllogaritjeve dhe sondazheve gjatë ditëve të fundit. Louise Glück, e lindur në New york, vjen nga një familje emigrantësh me origjinë hebraiko-hungareze dhe është rritur në Long Island.

Në Shtetet e Bashkuara, Gluck është një autore shumë e vlerësuar nga kritika, që ka fituar një sërë çmimesh të rëndësishme. Në vazhdën e karrierës së saj, ka publikuar dymbëdhjetë antologji poezish. 17 vite më parë me koleksionin e poezisë “Irisi i egër” fitoi Çmimin “Pulitzer”, ndërsa në vitin 2003 i është dorëzuar titulli i poetes laureate.

 

Çmimi Nobel për letërsinë i dorëzohet autorit apo autores që në “fushën e letërsisë botërore është dalluar për veprat e tij në një drejtim të caktuar”. Pra, çmimi më i rëndësishëm botëror i karrierës në një farë kuptimi nuk jepet për një vepër të vetme.

Çdo vit propozohen dhjetëra kandidatë nga anëtarë të Akademisë Suedeze, nga docentë të letërsisë të universiteteve kryesore të botës dhe nga presidentë të rëndësishëm të institucioneve gjuhësore, deri në fund të janarit. Në pranverë krijohet një listë paraprake me maksimumi 20 emra dhe një përzgjedhje e mëtejshme çon në reduktim. Në vijimësi gjatë verës, anëtarët e Akademisë studiojnë veprat e të gjithë të nominuarve.

Mes të përzgjedhurve, në tetor shpallet fituesi i Nobelit, që këtë vit merr 950 mijë euro. Zakonisht, “pretendentët” e përfolur janë shkrimtarë që kanë qenë të favorizuar prej vitesh, si japonezi Haruki Murakami, apo shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, por kurrë nuk e kanë fitar çmimin.

Sipas së përditshmes më të madhe suedeze “Firstpost”, Akademia këtë vit do t’ia jepte këtë vlerësim Jamaica Kincaid, “pozicioni i së cilës rreth çështjeve morale e politike meriton absolutisht të dëgjohet”. Vitin e kaluar u tha se kriteret e përzgjedhjes të fituesit kishin ndryshuar duke shpjeguar se zgjedhja do të ishte më pak eurocentrike se në të shkuarën dhe më pak e orientuar drejt burrave dhe me Gluck, një shkrimtare femër me origjinë hebraiko-hungareze, duket se premtimi u mbajt.

Sa i përket emrave të tjerë konkurrentë, lista e emrave të kandidatëve nuk bëhet publike përpara se të mbushen 50 vjet nga ndarja e çmimit. Janarin e ardhshëm do të bëhen të ditur emrat e kandidatëve të vitit 1970, kur fitoi rusi Aleksandr Solženicyn. Për këtë arsye nuk ka të dhëna të sigurta ku të bazohesh për të gjetur fituesin, edhe pse në të kaluarën ka ndodhur që disa emra kandidatësh kishin dalë jashtë Akademisë.

SHPËRNDARJA E PABARABARTË, 101 BURRA DHE 16 GRA FITUES TË NOBELIT NË LETËRSI

Nga viti 1901, kur u dorëzua për herë të parë Nobeli për Letërsinë, kanë fituar 101 burra dhe 16 gra. E para ishte shkrimtarja suedeze Selma Lagerlöf, në vitin 1909, ndërsa e fundit fituesja e çmimit për 2020-ën. Para saj, këtë çmim e fitoi Olga Tokarczuk. Në vitin 2019 çmimi iu dorëzua austriakut Peter Handke.

Akademia Suedeze u kritikua shumë për këtë zgjedhje, pasi në vitet ’90, Handke manifestoi në shumë raste simpatinë e tij për Slobodan Miloševi?, ish-President i Serbisë dhe i Jugosllavisë, i cili vdiq para se të gjykohej nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit, përgjegjës gjatë luftës jugosllave për krime të tmerrshme e masakra të dokumentuara etj.

Mes atyre që protestuan kundër dorëzimit të Nobelit për Handke ishin edhe dy nga pesë ekspertët e jashtëm që kishin ndihmuar Akademinë Suedeze për të zgjedhur fituesin. Ata u shprehën se “opinioni i tyre nuk ishte marrë në konsideratë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura