Prapaskenat e “Kënga Magjike”, si e votuan këngëtarët njëri-tjetrin

Nov 30, 2013 | 14:52
SHPËRNDAJE

Edhe e konkurrojnë njëri-tjetrin edhe e votojnë, me pikët që ka secili këngëtar në dispozicion nga 0 në 30 pikë. Në varësi të këtyre pikëve konkurrentët kanë çuar në natën finale vetëm 20 emrat për çmimin e madh, që do të shpallet sot në mbrëmje.

Natyrisht që këngëtarët e kanë në rregullore që s’mund të votojnë pa dëgjuar njëri-tjetrin gjatë provave, dhe kështu që në sallën e “Pallatit të Kongreseve” kanë debutuar dhe ndjekur secilin rival të tyre. Sigurisht që për ta është e vështirë të ndajnë miqësinë nga rivaliteti, dhe pastaj ta shkëpusin veten krejtëisht nga të dyja këto, për t’u distancuar e për të votuar këngën më të mirë. Paparaci i ka fotografuar artistët në grup, duke zbuluar kështu dhe aleancat mes tyre, edhe pse të pyetur për fituesin e këtij edicioni, pjesa më e madhe e tyre kanë përmendur emrat e Ledina Çelos dhe Besa Kokëdhimës.

Prezantuesit, Arditi surprizon publikun me zgjedhjet e tij
Për herë të parë në historinë e “Kënga Magjike”, producenti Ardit Gjebrea zgjodhi për bashkëprezantues dy meshkuj, Ermal Mamaqin dhe Ervin Bejlerin, si dhe dy femra krejtësishht të panjohura, të cilat show-man-i i njohur pohoi se i janë dashur orë të tëra për t’i zgjedhur në rrugët e Tiranës. Kështu, “zjarrin” e ndezur në skenë nga dy aktorët e humorit, të cilët kanë rezultuar të këndshëm në kombinimin mes tyre, e kanë shuar me delikatesën e tyre dy partneret e panjohura më parë të Arditit, Mariela Berlikun dhe Evisa Lartin. Ky prezantim ka rezultuar shumë interaktiv me skenarin e Dalina Buzit.      

Këngëtaret BIG, në aleancë me të zezën
Përveç veçantisë me këngët dhe performancat skenike, veshjet që zgjedhin këngëtarët për netët e spektaklit në “Pallatin e Kongreseve” janë një konkurrencë më vete mes tyre. Këtë vit duket se shumica e këngëtareve të njohura kanë bërë zing duke zgjedhur ngjyrën e zezë klasike dhe fustanët e mëdhenj skenikë, apo dhe ata të lehtë me dantellë. Brenda të zezës ka pasur edhe kombinime me lëkurën, një nga tendencat e këtij viti edhe për veshjet skenike. Nuk kanë munguar aksesorët dhe, për të mos mjaftuar ngjyra e zezë e veshjeve, ka qenë dhe ajo e flokëve që i ka bërë këngëtarët të shfaqen të ngjashëm në skenë. Jo vetëm biondet origjinale por dhe brunet, këtë vit janë shndërruar në bionde, përmendim këtu Jonida Maliqin apo Besa Kokëdhimën.

Meshkujt BIG, aleatë në paskuinta
Natyrisht që në këtë garë muzikore kanë tërhequr vëmendjen dhe debutimet e këngëtarëve të njohur, por me sa duket, pas edicioneve të fundit të fituara nga dy meshkuj, Redon Makashi dhe Alban Skënderaj, ndoshta është viti që kupën ta fitojë një femër. Mes shumë fotove të realizuara gjatë provave nga paparaci ynë kemi zgjedhur këtë foto, ku rrinë bashkë vëllezërit Stefi & Endri Prifti, Devis Xherahu e Gjergj Leka. Pavarësisht miqësisë së tyre prej artistësh të vërtetë, le të shohim se me sa pikë do ta votojnë ata njëri-tjetrin.

Ana erotike e festivalit, që dhuroi shumë spektakël
Kërcime spektakolare si ai i Era Rusit apo kërcim provokues si ai  i Ronela Hajatit e të tjera këngëtareve, pa lënë mënjanë edhe veshjet e veçanta, i kanë dhënë nota erotike këtij edicioni të 15-të të “Kënga Magjike” në “Pallatin e Kongreseve”. Duket se këngëtaret e njohura kanë demonstruar kërcime dhe gjeste të guximshme, një tendencë kjo edhe e muzikës botërore, mjafton të përmendim këtu Miley Cyrus me “Wrecking ball”, që ka mundur të marrë miliona klikime. Ky edicion i “ Kënga Magjike” do të kujtohet dhe si festivali i “guximit për të ndryshuar” për disa këngëtare BIG, të cilat janë shfaqur me stil ndryshe. Mjafton të përmendim këtu Rovena Dilon apo Mihrije Brahën apo tekstin e këngës së vëllezërve korçarë, shuuumë hot! 


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura