PRAPASKENA/ Priste grumbullimin me Greqinë, ja kush e bindi mbrojtësin Mihaj të vinte tek Shqipëria

Sep 6, 2018 | 9:43
SHPËRNDAJE

Qendërmbrojtësi Enea Mihaj është risia e listës së lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Kristian Panuçi për dy ndeshjet ndaj Izraelit dhe Skocisë në Ligën e Kombeve. Në të kaluarën, Mihaj ka qenë pjesë e U-19 dhe U-21, por më pas refuzoi disa herë ftesën e Kombëtares A, duke qenë në pritje të një grumbullimi nga Greqia. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe 20-vjeçari pranoi së fundmi të bëhej pjesë e kuqezinjve.

enea mihaj

Mediat greke kanë zbuluar se qendërmbrojtësi i Panetolikosit në Superligën helene u bind pas bisedës që ka pasur me trajnerin Trajano Dellas. Ky i fundit është një mik i vjetër i Panuçit, pasi të dy kanë luajtur një dekadë më parë te Roma në Serinë A. Sipas asaj që raporton portali grek “to10.gr”, Mihaj është bindur nga Panuçi se do të marrë minuta që në dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve. 20-vjeçari është rritur në akademinë e Panetolikos dhe në sezonin e kaluar ka luajtur 32 ndeshje me ekipin e parë në Superligë, duke tërhequr interesin e klubeve të mëdha në Greqi.

“Mbrojtësi ka përfaqësuar Shqipërinë në Kombëtaret e moshave dhe tashmë që do të marrë pjesë në ndeshje zyrtare me Kombëtaren A, humbet mundësinë për luajtur me Greqinë në të ardhmen sipas rregullave të FIFA-s. Natyrisht, konkurrenca në mbrojtjen e Kombëtares greke është e madhe dhe që do të ishte jashtëzakonisht e vështirë që Mihaj të luante”, shkruanin mediat greke në lidhje me mundësinë që mbrojtësi të luante për helenët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura