Prapaskena e masakrës me armë në “Don Bosko”/ Viktima kishte një dyqan cigaresh pranë lokalit ku u vra. Ja pista ku po hetohet

Jan 5, 2022 | 8:21
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Tirana u trondit pasditen e djeshme nga të shtënat me armë zjarri brenda një lokali, duke lënë pas një person të vrarë dhe katër të tjerë të plagosur.

Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Don Bosko” në kryeqytet, ndërsa breshëritë e kallashnikovit mund të kishin shkaktuar një masakër të vërtetë për shkak të pranisë së madhe të njerëzve në zonë.

ATENTATI

Megjithëse ende nuk dihen motivet e ngjarjes së rëndë dhe as kush ishte shënjestra kryesore, të gjitha të dhënat dëshmojnë se bëhet fjalë për një atentat, viktimë e të cilit mbeti 35-vjeçari Erion Çela, me origjinë nga Dibra dhe banues në zonën e Maminasit. Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe vëllai i tij, Blerim Çela, 28 vjeç dhe tre persona të tjerë, midis tyre edhe kamerieri i lokalit. Blerim Çela është dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në fytyrë. Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe shtetasit Arben Dani, 46 vjeç, i cili ka marrë një plumb në pjesën e këmbës, Azbi Selimaj, 19 vjeç, i cili ka marrë një plumb në pjesën e shpatullës dhe Edmond Crroj, 41 vjeç, daja i viktimës.

Të plagosurit u dërguan në Spitalin e Traumës menjëherë pas ngjarjes ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas. Shërbimet e Policisë bënë të ditur gjithashtu se ditën e djeshme u ngritën pika kontrolli në të gjitha hyrjedaljet e kryeqytetit dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar autorët e krimit. Autorët janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”, ndërkohë deri mbrëmjen e djeshme nuk u raportua asnjë i arrestuar për ngjarjen.

“Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në ‘Don Bosko’, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas. Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç, ka humbur jetën dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”, thuhet në njoftimin e Policisë menjëherë pas ngjarjes së rëndë të mbrëmjes së djeshme. Si pasojë e sulmit me armë, ku mbeti i vdekur 35-vjeçari Erion Çela, të plagosurit patën edhe dëmtime të rënda në trup.

46-vjeçari Arben Dani mori një plumb në këmbë, 28- vjeçari Blerim Çela, njëherësh i vëllai i viktimës, u dëmtua në këmbën e djathtë dhe në fytyrë, kamerieri i lokalit, 19- vjeçari Azbi Selimaj, mbeti i dëmtuar në shpatull, ndërsa nuk ka të dhëna se në cilën pjesë të trupit e kanë kapur plumbat 41-vjeçarin Edmond Crroj.

ITINERARI

Autorët e ngjarjes, të cilët nuk janë identifikuar ende nga Policia, mbërritën pranë lokalit me një automjet tip “Benz Mercedez” me xhama të zinj. Rreth orës 16:15, autorët që dyshohet të kenë qenë tre persona, njëri prej të cilëve drejtuesi i mjetit, kanë ardhur nga Spitali Universitar i Traumës dhe pasi kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tavolinës ku ndodhej viktima dhe disa nga të plagosurit u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dhjetëra plumba kallashnikovi janë shkrepur në vendin e ngjarjes. Pasi kryen krimin e rëndë, autorët ndoqën të njëjtin itinerar, duke u larguar nga vendi i ngjarjes po në drejtim të Spitalit të Traumës, për të humbur gjurmët nëpër lagje të zonës së Laprakës.

Targat e automjetit dyshohet se janë të vjedhura në Tiranë dhe i përkasin një automjeti të llojit “Smart”. Autorët dyshohet se kanë qëlluar nga automjeti në lëvizje, i cili më pas ka marrë kthesën dhe është larguar. Rrethimi i zonës ka sjellë problematika për autoambulancat që kërkonin të futeshin për në Spitalin e Traumës, ndërkohë autorët sipas raportimeve janë kujdesur që të mos lënë thuajse aspak gjurmë në vendngjarje dhe kjo rrit më tepër dyshimet e Policisë që ngjarja mund të jetë kryer nga vrasës profesionistë.

PISTA

Pista kryesore në lidhje me ngjarjen që tronditi kryeqytetin në ditët e para të këtij viti, ka të bëjë me atë të larjes së hesapeve që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike, pasi 41-vjeçari Edmond Crroj, i identifikuar si daja i viktimës dhe njërit prej të plagosurve, kishte precedentë të theksuar kriminalë në shtetin italian. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.

Viktima kishte një dyqan cigaresh pranë lokalit ku u vra

Viktima kishte një dyqan cigaresh pranë lokalit ku u vra Viktima dhe të afërmit e tij ishin të gjithë me origjinë nga Dibra, por banues në rrethinat e Tiranës. Mësohet se 35-vjeçari Erion Çela, kishte një dyqan ngjitur me lokalin ku ndodhi ngjarja, në të cilin shiste duhan. Kjo ishte dhe arsyeja se përse ai ulej gjithmonë ngjitur me xhamin, për të monitoruar njëkohësisht edhe biznesin e tij. Ndërkohë, deri më tani dihet se një automjet tip “Benz” ka ardhur nga zona e Spitalit të Traumës dhe është vendosur në afërsi të lokalit, më pas po nga mjeti është hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të 5 personave.

Aktualisht, nuk ka raportime për makinë të djegur, ndërsa targat e mjetit që është përdorur për të kryer atentatin, rezultonin të vjedhura rreth një muaj në parë në Tiranë. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Policia ngriti postblloqe të shumta në zona të ndryshme të Tiranës si dhe në dalje të autostradës Tiranë-Elbasan për kontroll për autorët e dyshuar për ngjarjen në kryeqytet. Sipas burimeve, dyshohet se autorët kanë lëvizur me një mjet tip ‘Benz’, i cili deri në orët e mbrëmjes së shkuar nuk u pikas të ishte djegur në ndonjë zonë siç ka ndodhur me shumicën prej ngjarjeve kriminale në vend ku autorët humbasin gjurmët dhe zhdukin provat duke u vënë flakën automjeteve, me të cilën largohen nga vendet e krimit. Atentati i kushtoi rëndë një 35-vjeçari, por sigurisht edhe kamerierit 19-vjeçar, i cili rrezikoi jetën nga breshëritë e plumbave, ndërsa ndodhej në krye të detyrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura