“Pranvera Hoxha, e përfshirë në vjedhjen e kryqit të Labovës”

Jun 14, 2013 | 8:59
SHPËRNDAJE

Stefan Miha duke folur për “Panorama”
Banori, Stefan Miha ne interviste per “Panorama” tregon vizitat e dyshimta në ‘80. Kryqi që ruhej në shtëpinë e një fshatari u vendos me dhunë në kishë, ku edhe u grabit.

Ca më tej daljes së Gjirokastrës, janë dy Labova, ajo e Kryqit dhe e Zhapës. Pakkush e di se kjo e dyta quhet e tillë në nder të Vangjel Zhapës (dikur, deri sa të pagëzohej me emrin e tij, quhej Labovë e Madhe), filantropit të njohur, sponsorizuesit të lojërave të para moderne olimpike. Labova tjetër, që është pagëzuar nga emri i shenjtë, në qendër të saj ka një nga momentet më me vlerë të arkitekturës mesjetare shqiptare, Kishën e Shën Mërisë së Labovës së Kryqit. Sapo e sheh, nuk ke nevojë të pyesësh pse fshati ka marrë këtë emër.

Por historia e kishës, më mirë thënë e Kryqit të kishës, nuk ishte aq e dukshme sa bukuria dhe lashtësia e saj. Për t’u futur në të duhej telefonuar mirëmbajtësi, kujdestari i saj që domosdo e kishte shtëpinë fare pranë, Vangjel Memo. Numri relativisht i madh (referuar atyre çka na thanë) i vizitorëve që zbritën njëherazi përpara kishës (si një prej vendeve për t’u vizituar, përfshirë në axhendën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit), bëri që shtëpinë të mos e linte vetëm mirëmbajtësi i kishës, por edhe banorë të tjerë të vjetër të fshatit që e kishin jetën të lidhur ngushtësisht me historinë e asaj kishe.

Më i vjetri ishte Stefan Miha, mësuesi i Historisë që e mban fotografinë e kryqit të Kishës së Labovës, në pjesën e tejdukshme të portofolit të tij, që nuk e heq nga xhepi i brendshëm, në krahun e majtë të xhaketës. Stefani është më i revoltuari. Ashtu si të gjithë banorët e fshatit dhe jo vetëm, pengu i tij më i madh është zhdukja e kryqit. Të atij kryqi që thuhet se kishte një copë dru nga kryqi ku u kryqëzua Krishti. Miha duket se ka pritur me padurim t’i vijnë gazetarët në derë, për të shfryrë gjithë ç’ka mbajtur brenda vetes. Këtë herë pa u kursyer edhe në emra, çka shokët e tij druhen ta bëjnë.

Pse jeni kaq i lidhur me kryqin e humbur të kishës? Ç’ju lidh ju më shumë se të tjerët me të?

Lidhja ime shpirtërore me këtë kryq është që në fëmijëri. Në këtë foto që shihni jam unë në moshë të vogël, duhet të kem qenë rreth 7 vjeç, që i hidhja ujë priftit teksa në Kishën e Shën Gjergjit bëhej një ceremoni fetare me kryqin. Fotografinë e kryqit e kam mbajtur gjithnjë me vete. Kur kryqi humbi, më thirrën për të më pyetur nëse ai i fotografisë sime ishte apo jo origjinali.

Kisha “Lindja e Shën Mërisë” në Labovë
Në ç’vit ka humbur kryqi?

Ka humbur në vitin 1989. Arkitekti gjerman Guntram Koch pat ardhur 3 herë në këtë kishë, aq sa krijuam edhe miqësi bashkë. Bëri një punë studimore për historikun e kësaj kishe. Me sa duket, meqë në Mynih është i ndërtuar Muzeu Historik i Bizantistikës. Pranvera Hoxha kishte ardhur disa herë me bashkëshortin e saj arkitekt, gjoja për të parë strukturën arkitekturore të kishës, sepse ndërkohë po bënte në Krujë ndërtimin e kështjellës. Pak kohë pas këtyre vizitave humbi kryqi.

Pse i lidhni këto vizita me humbjen e kryqit?

Po sepse nuk kam me çfarë ta lidh tjetër humbjen e tij, nuk ishte e lehtë ta merrte një dokushdo, që nuk i dinte rëndësinë. Nuk do të guxonte… Pasi u prishën kishat, ne e mbanim në ruajtje kryqin në një familje këtu në fshat.
(Specialen e plote nga Ani Jaupaj e lexoni sot ne Panorama)
[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura