Prandeli: I di pikat e dobëta të Spanjës

Jun 30, 2012 | 14:33
SHPËRNDAJE

Çezare Prandeli është i bindur se do ta mundë edhe Spanjën dhe do të shpallet kampion. Tekniku tregon se po studion me kujdes kundërshtarin dhe pohon se ai di pikat e dobëta. Sakaq duhet thënë se pak javë më parë, Prandeli kërcënoi një komb të tërë me një tërheqje të mundshme nga Euro 2012 për shkak të skandalit të basteve dhe “pastrimit” të qendrës stërvitore nga prokurorët. Tani është ai që vendos kushtet. Prandeli u tregoi mediave, opinionit publik dhe kundërshtarëve të tij se të gjithë e kishin gabim. “Dy muajt e fundit kanë qenë vërtet të rëndë, por nuk aludoj largimin nga skuadra”, thekson tekniku i kaltër, duke hequr disa “gurë nga këpucët”. Në vijim tekniku analizon finalen me Spanjën. “Shpresoj ta përgatis siç duhet finalen me Spanjën, edhe pse kam vetëm një ditë në dispozicion. Do të përpiqemi të përfitojmë nga pikat e tyre të dobëta. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë sepse Spanja ka fituar Europianin dhe Botërorin në 4 vitet e fundit. E kam thënë përherë se është një skuadër që e shikoj si pikë referimi, por tani përballë tyre jemi ne. Kemi shkuar deri në finale duke mundur skuadra mjaft të forta, ndaj besoj se do të jemi ne kampionët e rinj”, nënvizon tekniku i kaltër. Prandeli ka shumë besim tek Italia e tij, aq sa thotë se fitorja ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale të Europianit ishte thjesht fillimi. “Tani vjen ndeshja më e rëndësishme e kampionatit dhe ëndrra sapo ka nisur”, theksoi trajneri i “axurrëve”. Më tej, Prandeli kërkon më shumë saktësi nga skuadra e tij. “Ndaj Gjermanisë bëmë një ndeshje shumë të mirë, duke u rreshtuar si duhet në mbrojtje dhe duke rrezikuar disa herë portën e tyre. Ndoshta ndeshja duhej të kishte mbaruar me goleadë, por ne gabuam shumë. Pikërisht këtë gjë duhet të korrigjojmë në finale, pasi duhet të jemi sa më konkretë para portës”, tha Prandeli. Ndërsa për Spanjën ai ka një mendim sipëror. “Spanja do të jetë favorite sepse është brilante, thotë ai, por do të varet nga kondicioni fizik. Më vjen mirë që luajtëm siç duhet me Gjermaninë për tre të katërtat e ndeshjes. Kasano dhe Baloteli ishin shumë të mirë”. Ndërsa e pyetën nëse kjo ishte ndeshja më e mirë e Balotelit në karrierë, Prandeli u përgjigj duke thënë “Baloteli sapo e ka nisur karrierën”.

Bufon
“Më mirë të vuash dhe më pas të festosh, sesa të krijojmë iluzione dhe më pas të zhgënjehemi”. Kështu beson kapiteni i Italisë, Xhixhi Bufon. “Jemi në prag të realizimit të një ëndrre, të cilën pak njerëz në fillim e besonin. Sot jemi në finale duke eliminuar me kurajë dhe grinte dy skuadra të mëdha të futbollit botëror si Anglia dhe Gjermania. Do të ishte fatale për ne që tani të shpërqendroheshim”, thotë Bufon.

Fabregas
“Gjithmonë ka qenë Italia skuadra pretendente e këtij Europiani dhe tani të gjithë e kuptuam këtë mesazh. Të nënvleftësosh një ekip si ata është një gabim i madh dhe mendoj se duke barazuar kundër nesh, ata e dhanë sinjalin e duhur. Por akoma më shumë ata ishin të frikshëm ndaj Anglisë dhe Gjermanisë. Si mund të ndalen ata? Duke frenuar Pirlon dhe Balotelin. Andrea është busulla e ekipit, sepse çdo ide kalon nga këmbët e tij”, tha dje sulmuesi i katalanasve.

Del Boske: Nuk pendohem që s’e eliminuam Italinë
Mund ta kishin dërguar në shtëpi duke bërë pak me Kroacinë për një barazim 2-2, por ndërkohë spanjollët gjejnë sërish Italinë, këtë herë në finalen e Europianit. Gjithsesi, edhe pse duke parë përparimet që skuadra e Prandelit ka bërë, trajneri i kampionëve në fuqi, Visente Del Boske, tregohet një xhentëlmen dhe thekson: “Nuk pendohem dhe kam besim se as futbollistët e mi nuk do pendohen kurrë që nuk e mbyllëm në barazim ndeshjen me Kroacinë për të eliminuar Italinë. Ky do të kishte qenë një krim për këtë sport dhe unë jam i lumtur që gjërat shkuan në këtë mënyrë”, shprehet tekniku, i cili e di mirë se vetëm italianët kanë qenë ata që kanë mposhtur Kasijasin dhe i kanë hapur shumë telashe. “Ne dhe Italia kemi mbërritur në finale me një rrugë pak a shumë të ngjashme, por, mbi të gjitha, jemi në lartësinë e duhur për ta bërë të madhe këtë finale. Italia është një skuadër që bazohet te puna e Pirlos dhe De Rosit në mesfushë, por aksi i saj i fortë përbëhet nga Pirlo dhe Baloteli. Në debutimin e fazës së grupeve ata ishin superiorë ndaj nesh në pjesën e parë, ishte skuadra e vetme që na ka hapur telashe të mëdha, dhe jo më kot e theksova pas atij takimi që nuk do të kisha dëshiruar të përballesha sërish me Italinë. Por fati deshi kështu…”. Nëse për Çezare Prandelin Spanja është favorite për fitoren finale, për Visente Del Bosken nuk është kështu. “Kjo është një finale që e nisim në baraspeshë totale dhe përballja në fazën e grupeve nuk do të ndikojë aspak në sfidën e fundit të këtij turneu”.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura