Pragmatizmi me Turqinë si politikë e jashtme ideale

May 18, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

ENRI HIDE

   Vështirë të gjejmë këto vitet e fundit ndonjë vizitë të një shteti apo aleati të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si kjo e Presidentit turk Erdogan, që të jetë shoqëruar me kaq shumë komente nga një numër i konsiderueshëm aktorësh, jo aq nga politika, por më së shumti nga analistët dhe segmente të caktuara, që “çuditërisht” aktivizohen sa herë shqiptarët ndodhen përballë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së tyre. Sepse, më se dy vjet pas ndryshimit të qeverisë, më në fund po kristalizohet një partneritet i ri dhe kuptimplotë strategjik me një shtet të rëndësishëm si Turqia, i cili me vizitën e Presidentit Erdogan po materializohet me një tërësi projektesh që prekin fushën fetare, kulturore dhe politike të raporteve dypalëshe. Në fakt, ky partneritet është krejt i natyrshëm dhe thellësisht legjitim, për të dyja vendet, për disa arsye.
Së pari, Erdogan vizitoi vendin tonë si kreu i shtetit të një vendi anëtar të NATO-s dhe miku historik të Shqipërisë postkomuniste. Për rrjedhojë, Turqia është një shtet aleat në kuadrin më të gjerë të partneritetit euroatlantik. Kjo do të thotë se themelet e kësaj miqësie kanë edhe mirëkuptimin e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë.
Së dyti, miqësia midis këtyre dy vendeve nuk u zbulua papritur ditën e vizitës së Erdoganit në Shqipëri, siç rendën të “zbulonin” shumë syresh, që mbushën sakaq faqet e mediave të shkruara dhe emisionet televizive. Turqia është një shtet, i cili e ka ndihmuar dhe mbështetur Shqipërinë postkomuniste në shumë sektorë, si kultura, shëndetësia dhe arsimi – apo, çka është më e rëndësishme, në sektorin ushtarak me arsimimin e ushtarakëve tanë, stërvitje të përbashkëta, teknologji dhe kapacitete të tjera të avancuara ushtarake etj. Këto ndihma ndër vite kapin shifrat e shumë miliona dollarëve ndihmë, për të cilat shteti turk nuk ka vendosur kushtëzime ndaj partnerëve shqiptarë.
Së treti, Shqipëria ka nevojë jetike për investime të huaja të drejtpërdrejta, sidomos në kushtet e një krize të thellë ekonomike të brendshme, në kushtet e një qeverie të re, e cila po kërkon partnerë relativisht të paprekur nga kriza ekonomike dhe të gatshëm të investojnë në rajonin e Ballkanit. Prandaj, politika e jashtme po lidhet ngushtë me diplomacinë ekonomike, të cilën për hir të së vërtetës e kemi ende në fazë embrionale. Në këtë drejtim, Turqia ka kontribuuar me investime të mëdha në sektorët jetikë të ekonomisë shqiptare, si në industrinë e rëndë, në atë tekstile, në sektorin e infrastrukturës, energjetikës, telekomunikacionit, tregti etj. Në vitin 2005, investimet turke llogariteshin në 150 milionë USD; në 2009 rreth 860 mln USD; ndërsa në 2013 mbi 1 mld USD (INSTAT, 2014). Sigurisht që këto janë investime apo aktivitete private, por në kushtet e integrimit ekonomik rajonal e global ato duhen kuptuar si kontribut i mirëfilltë për stabilitetin dhe rritjen ekonomike të vendit tonë. Siç vërejnë dhe shumë studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare (Colombo 2004), Turqia ka një potencial të jashtëzakonshëm financiar si një prej shteteve që e ka goditur më pak kriza financiare globale, duke arritur të amortizojë goditjet e saj brenda një kohe shumë të shkurtër. Vizita e Erdoganit, e cila u shoqërua edhe me angazhimin në projekte konkrete ekonomike, sidomos kur asaj iu bashkua një delegacion rekord prej 120 personash, e përforcon këtë.
Së katërti, përgjatë dekadës së fundit shqiptarët në rajon janë shndërruar gradualisht në faktorin ndoshta më të rëndësishëm gjeopolitik. Ky proces është përshpejtuar dhe konsoliduar për disa arsye: a) nga hyrja e Shqipërisë në NATO, përpara fqinjëve/konkurrentëve të saj, si Maqedonia apo Serbia; b) nga pavarësia e Kosovës; c) paradoksalisht roli i shqiptarëve po bëhet vendimtar edhe për shkak të destabilitetit etnik/politik të Maqedonisë. Në këtë kontekst, partneriteti strategjik me Turqinë ka të njëjtin funksion si anëtarësimi ynë në NATO, duke funksionuar si shumëfishes fuqie, çka është jetike për një shtet të vogël dhe për një komb me trung të copëzuar në disa shtete, si ky i yni.
Së pesti, nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, ky partneritet mes dy vendeve të NATO-s, madje më gjerë, mes Turqisë dhe shqiptarëve, ul kostot e menaxhimit strategjik për amerikanët të një nënrajoni shumë problematik, si Ballkani Perëndimor. Në këtë rast, Turqia luan rolin e influencuesit rajonal, i shumëpërfolur në doktrinat Bush dhe Obama të politikës së jashtme, duke u dhënë mundësi SHBA-ve të angazhohen më shumë në rajone, si Lindja e Mesme apo Ukraina. Kjo mund të shpjegojë edhe nevojën e SHBA-ve për t’u përballur me presionet dhe influencat në rritje të Rusisë në Ballkan, duke penetruar jo vetëm ekonomikisht, por sidomos në sektorët strategjikë të disa vendeve, si Serbia dhe Mali i Zi.
Së gjashti, Shqipëria ka nevojë për Turqinë për të balancuar interesat grekë jo vetëm ekonomikë, pasi investimet greke janë njësoj të mirëpritura si gjithë investitorët e tjerë, sa kohë respektojnë kuadrin ligjor të vendit, por sidomos interesat e përsëritur territorialë grekë, përfshirë dhe ata për hapësirën ujore. Kjo sepse Turqia ka dhe një eksperiencë të gjerë në menaxhimin e këtyre problemeve/dilemave të sigurisë me Greqinë, pasi përvoja e përplasjes për hapësirat ujore të Egjeut mund t’i shërbejë edhe diplomacisë sonë – kësaj të sotmes më shumë se asaj të djeshmes, që me një të rënë të lapsit fali kilometra të tërë nga hapësira jonë detare. Kjo tregon se vakumi gjeopolitik në rajon pas krizës greke nuk është vetëm i perceptuar, por edhe real. Në kuadrin e rajonit të Ballkanit, rishpërndarja e fuqisë po favorizon shqiptarët, një proces që partneriteti me Turqinë veçse e përshpejton.    
Së shtati, raporti mes dy vendeve tona po shfaq një tendencë tepër interesante të dakordësimit të të dy palëve mbi rëndësinë e fuqisë së butë në politikën e jashtme. Strategjia turke është ndërtuar në dy boshte kryesore, atë gjeoekonomik dhe atë kulturor-fetar. Politika e jashtme turke pas Luftës së Ftohtë bazohet te “strategjia islamike e fuqisë së butë”, pra promovimi i interesave të politikës së jashtme nëpërmjet përdorimit të virtyteve me bazë islamike. Pra, më përgjithësisht, bazuar te parimet etike islamike. Kjo qasje është përshpejtuar që prej vitit 2007, kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (PDSH), e kryesuar nga Kryeministri aktual Rexhep Taip Erdogan, në Turqi, arriti të stabilizonte pushtetin brenda makinerisë tejet të komplikuar politiko-burokratike turke, duke zhvendosur nga pushteti rrjetet e shumta kemaliste, të cilat gëzonin tradicionalisht influencë të madhe politike dhe shtetërore. Sa i takon politikës së jashtme, PDSH i kushton vëmendje të madhe projektimit të interesave turq jashtë vendit, sidomos në Ballkan dhe Lindjen e Mesme nëpërmjet përdorimit të organizatave joqeveritare të sponsorizuara nga shteti turk, fondacioneve bamirëse dhe organizatave fetare. Vetë fjalimi i Erdoganit e nxjerr në pah dimensionin e fuqisë së butë. Ai përdori disa të përbashkëta historike duke u mëshuar aspekteve të ngjashme identitare, disa tipareve të ngjashme kulturore, kontributit të shqiptarëve në ndërtimin e perandorisë osmane dhe të Turqisë moderne. Kështu, ai praktikisht hodhi poshtë tezat neootomane që filluan të gëlojnë nga disa pseudoanalistë, që u vunë papritur përpara faktit të largimit të Shqipërisë nga aksi i varësisë greke. Nga ana tjetër, ndihmat e ofruara nga qeveria turke prekin aspekte fetare, si Xhaminë e Namazgjasë dhe rindërtimin e disa objekteve kulturore në Gjirokastër. Pavarësisht debateve, jo vetëm politike, që lidhen me ndërtimin e Xhamisë, myslimanët e Shqipërisë kanë të drejtën krejtësisht legjitime të kenë një strehë për t’u falur. Fundja, a nuk ka ndihmuar Greqia rindërtimin e dhjetëra kishave ortodokse anembanë jugut dhe jo vetëm? Turqia ka qenë një prej vendeve që ka mbështetur më shumë edhe kauzën çame, e cila përbën një kauzë kombëtare.
Së fundi, problemi i “gylenizmit” nuk duhet lexuar si përpjekje e Erdoganit për të eksportuar në Shqipëri problemet e brendshme të Turqisë apo interesat e tij politikë në prag të fushatës elektorale. Kjo është një qasje e gabuar. Siç Kryeministri ynë mbrojti, me të drejtë (dhe më në fund!) në Serbi interesat e shqiptarëve, edhe Turqia ka të drejtë të shprehë opinionin e saj mbi një çështje që ata e gjykojnë të mprehtë. Kjo nuk duhet të na trembë. Natyrisht që ka një moment në këtë deklaratë, që mund të konsiderohet edhe si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Por duhet pranuar se influenca e kësaj lëvizjeje në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit dhe kjo nuk mund të anashkalohet. Bëhet fjalë për një lëvizje, e cila objektivin e saj ka të penetrojë në të gjithë sektorit e shtetit dhe politikës, për ta kapur atë përfundimisht. Dhe ky patjetër që përbën kërcënim në kuptimin më klasik, prandaj kjo e njehson interesin turk me interesin tonë të sigurisë kombëtare (në planin afatshkurtër dhe afatmesëm). Sidomos i rrezikshëm do të ishte penetrimi i kësaj lëvizjeje në shërbimet e inteligjencës apo diplomaci, çka nuk mund të përjashtohet duke gjykuar nga ato që kanë ndodhur jo vetëm në Turqi, por kudo ku kjo lëvizje është shfaqur. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të mbyllim shkollat dhe institucionet e tjera arsimore, thjesht se duhet të tregojmë vëmendjen e duhur shtetërore për të mos lejuar fenomene si ato që përmendëm.
Çdo shtet ka mënyrën e vet të të bërit politikë të jashtme. Turqia nuk përbën përjashtim, madje duhet pasur parasysh eksperienca e jashtëzakonshme diplomatike turke në përballje me sfida shumë të mëdha të stabilitetit rajonal e ndërkombëtar. Formulimi i interesave kombëtarë të Turqisë mund të ndryshojë nga qasja klasike perëndimore, por Shqipëria postkomuniste ka qenë dhe mbetet një partner i barabartë, pavarësisht fuqisë së saj të vogël. Balanca rajonale e fuqisë (ekonomike, diplomatike dhe ushtarake) duket se po na favorizon për herë të parë në historinë tonë. Të kuptosh teorinë neorealiste të marrëdhënieve ndërkombëtare mbi shpërndarjen e fuqisë dhe faktorët që e mundësojnë atë, është detyrim i çdo burokracie të politikës së jashtme, edhe pse vështirë se atë do ta kuptojnë ndonjëherë “analistët” që rendin të mbushin faqet e gazetave, forumet dhe mediat e tjera on dhe offline.
*Autori është pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura