“Politika si ide”/ Valentina Leskaj, një libër nga feminizmi në futjen në NATO

Mar 15, 2021 | 9:17
SHPËRNDAJE

“Politika si ide”, kështu titullohet libri më i ri politikanes Valentina Leskaj. Një libër mbi politikën dhe vizionin për të ardhmen, botim i shtëpisë botuese “Toena”.

valentina-leskaj-politika-si-ide-libri

Shqipëria në 30 vite tranzicion, si pasqyrë e politikës, një reflektim idesh e ngjarjesh, që shënjojnë historinë e Shqipërisë postkomuniste dhe një ftesë për një dialog ndryshe, në shërbim të një politike më serioze, e një shoqërie e demokracie më funksionale.

E lidhur herët me shkrimin, si kryeredaktore e revistës “Shqiptarja e re”, Leskaj e nis librin me një analizë që ka munguar në mendimin shqip, feminizmin.

“Gratë, një histori e shkurtër e feminizmit”, është një homazh ndaj grave të para që u bënë zëri i lëvizjeve feministe në vend, por dhe një udhëtim në historinë e feminizmit botëror, përmes një analize bashkëkohore. Me një stil ndryshe, Leskaj përshkon zonat e mjegullta të historisë së gruas në vend.

Shqipëria në Nato, nga Bukureshti në Strasburg, pushteti i gjuhës, marrëdhënia me tjetrin, çështja e moshimit të popullsisë, kriza demografike e një sërë problemesh që lidhen me kohezionin social, vijnë përmes një vëzhgimi të hollë nga Leskaj për t’i mbetur historisë.

“Libri është një narrativë e tri dekadave të eksperiencës personale politike dhe shoqërisë civile, një rrëfenjë e një tranzicioni epokal të shoqërisë njerëzore në tërësi, dhe të vendit tonë, Shqipërisë, në veçanti. Teksa e kam lexuar gjatë përgatitjes për botim, jam zbavitur prej larmisë së tematikave të trajtuara; zhvendosjeve në kohë dhe në hapësirë që krijohen në secilën prej tyre… Duke qenë edhe një rrugëtim në ato se çfarë ka ndodhur në këto tri dekada tranzicioni, libri ka një vlerë të shtuar edhe si një libër reference për studiuesit e këtyre fushave”, shkruan në parathënien e librit profesor Selami Xhepa.

Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, publicistin e përkthyesin Piro Misha, libri i Leskajt nuk është një radhitje kujtimesh, si kemi parë rëndom këto viteve të fundit, por një analizë e hollë e problematikave, me të cilat ndeshet çdo ditë shoqëria shqiptare.

“Shpesh e harrojmë sa e rëndësishme është ruajtja e kujtesës së përvojës së atyre që, në një mënyrë a në një tjetër, me veprimtarinë e veprën e tyre ia kanë dalë të lënë gjurmë në jetën e një vendi. Kjo është gjëja e parë që provon teksa lexon librin e Valentina Leskajt. E megjithatë, le të shtoj se s’kemi të bëjmë thjesht me një libër në vargun e gjatë të ‘kujtimeve’, të bëra ‘modë’ kohët e fundit, paçka se përvoja personale e elementi autobiografik zë në të jo pak vend.

Libri i V. Leskajt është para së gjithash një analizë e një meditim për mjaft probleme e sfida, me të cilat është përballur e vazhdon të përballet shoqëria jonë, e jo vetëm”, shprehet Misha. Sipas tij, “pas një përvoje aq të gjatë, fillimisht, si aktiviste e shoqërisë civile, e pastaj protagoniste në nivelet më të larta të politikës shqiptare, pa harruar përvojën e saj ndërkombëtare, Valentina Leskaj është e bindur se ka ç’të thotë, duke përdorur shembuj realë, për të ilustruar e bërë sa më konkret e bindës mendimin e saj. Jam i bindur se me këtë libër kaq interesant e të shkruar mirë, Valentina Leskaj po sjell një kontribut mjaft të çmuar në shërbim të nxitjes së atij procesi reflektimi për të cilin shoqëria e politika shqiptare ka aq shumë nevojë”

Për shkrimtaren Diana Çuli, ky libër është një tjetër kontribut i Leskajt në politikën dhe shoqërinë shqiptare.

“Ky libër është fryti i ideve të autores, të formuluara e të përpunuara gjatë një jete të gjatë, të mbushur me aksione shoqërore e politike, me studime e reflektime. Është ndalesa e natyrshme e Valentina Leskajt për të hedhur në letër një pjesë të rëndësishme të përvojës së saj të pasur dhe unike, në shoqërinë civile ashtu edhe në politikë. Si aktiviste e si politikane, ajo e sheh demokratizimin e shoqërisë si një proces ku duhen kërkuar rrugëdaljet dhe jo domosdoshmërisht kundërvëniet, vë gishtin mbi plagë, por shpejt kërkon zgjidhjen, te kundërshtari politik sheh programin dhe jo personin, te politika, si edhe te shoqëria civile, sheh mjetin për të përmirësuar shoqërinë dhe jo forcimin e pushtetit të një grupi të caktuar”, thotë Çuli, teksa ndalet edhe në stilin, përmes së cilit vjen kjo vepër.

“Të gjitha këto, Valentina Leskaj i paraqet me një stil të veçantë e origjinal, pasqyrë e personalitetit të saj. Ajo përshkruan deri në detajet më të thella vështirësitë e procesit demokratik, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet shprehëse stilistikore për të interpretuar dhe diskutuar çështje me mjaft rëndësi – që vetëm një dorë e shkathët dhe e sprovuar mund t’i përdorë me kaq mjeshtëri.

Ky është një libër ndriçues për këdo që dëshiron të japë kontribut në shoqëri e politikë, po edhe një dëshmi e rrahjes së mendimeve, e kontributeve, e luftës për përparim e demokratizim që kanë zhvilluar shoqëria civile dhe politika, ku ka kontribuuar dhe vazhdon të kontribuojë Valentina Leskaj”, shton ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura