Policja gjirokastrite Anisa Zani: Aksioni në Lazarat, banorët na hapën dyert na dhanë bukë

Jun 30, 2014 | 14:45
SHPËRNDAJE

Foto: Vlasov Sulaj
Profili i efektives së forcave “Shqiponja”, një nga tetë femrat e trupës policore nga Tirana që morën pjesë në aksionin disaditor për çlirimin e fshatit Lazarat të Gjirokastrës. Ditët larg familjes, rrezikshmëria dhe plumbat që i fluturonin mbi kokë, edhe pse sot, 22-vjeçarja ka mjaftueshëm arsye për t’u ndier mirë me veten dhe përditshmërinë e punës së saj.

 Deri përpara se të mbante në trup uniformën blu të forcave të rendit, e kishte justifikuar njëfarësoj stilin e jetesës së fshatit me emrin Lazarat, me vendndodhje vetëm disa minuta larg shtëpisë së saj të banimit. Një formë fitimprurëse, në mungesë të një pune konkrete, që banorët e asaj kishin zgjedhur për të mbijetuar. Mirëpo, policja gjirokastrite, Anisa Zani, sot nuk mendon njësoj, për sa kohë që është punësuar pranë forcave efektive “Shqiponja” dhe është në gatishmëri të ruajtjes dhe rikthimit të rendit në çdo cep të Shqipërisë ku ajo vendoset të bëjë detyrën e saj. Vetëm 22 vjeçe, ama ka çfarë të kujtojë gjatë në karrierën e mëtejshme të saj në radhët e uniformave blu. Si pjesë e një prej operacioneve më të zëshme, i cili u trumbetua fort në media, jo për faktin se kjo rezultoi të ishte ndërhyrja e parë e suksesshme operacionale e policisë, pas tentativave të dështuara të mëparshme, por edhe për peshën e rëndësisë që mori kjo ngjarje në arenën kombëtare, e jo vetëm. Anisa mund ta quajë vetëm me fat, për sa kohë që ishte pjesë me vetëm shtatë femrat e tjera që u nisën nga kryeqyteti për të ndërhyrë në fshat, në morinë e plot 800 meshkujve që ishin pjesë e këtij operacioni. Rrezikshmëria ishte evidente, për sa kohë që plumbat u fluturonin mbi kokë, e rezistenca e të ashtuquajturve “të paprekshëm” i kërcënonte gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në Lazarat, në fshatin famëkeq, ku duket se jo të gjithë mund të futen në një thes. Shumë prej banorëve e shtëpive ku Anisa me kolegët e saj ndërhynë për kontrolle, i mirëpritën me dashamirësi, duke u ofruar madje edhe ushqim…Si një nga operacionet më mbresëlënëse për të, efektivja e forcave “Shqiponja” ka çfarë të kujtojë sot, tanimë që Lazarati e banorët e tij duket se i janë kthyer rrjedhës normale të jetës.

Jeni një nga tetë efektivet femra të policisë që morët pjesë në aksionin e ndërmarrë në Lazarat, si ndiheni në fund të këtij operacioni?  
Ndihem krenare që isha pjesë e këtij operacioni, për më tepër që gjithçka përfundoi me sukses. Nuk është se patëm ndonjë situatë që na doli jashtë kontrollit përgjatë ditëve të ndërhyrjes në fshat. Besoj se ka qenë një aksion i veçantë, për faktin se kjo nuk ishte tentativa e parë e policisë për të ndërhyrë në Lazarat, ka pasur edhe herë të tjera. Gjithsej ishim tetë vajza që morëm pjesë në këtë operacion, shtatë nga forcat “Shqiponja” dhe një nga RENEA. Të gjitha ne u caktuam të shkonim në fshat për t’u ardhur në ndihmë kolegëve tanë, për të qenë pjesë e ndërhyrjes policore.   
Çfarë kishte ndryshe këtë herë kjo ndërhyrje e befasishme në Lazarat, krahasuar me operacionet e tjera ku keni marrë pjesë?  
Gjithçka ishte e mirorganizuar. Ne ishim të ndarë në grupe, disa nëpër postblloqet e ngritura përgjatë rrugës që të çonin në fshat, e disa të tjerë në terren brenda në Lazarat. Kishim ndihmën e eprorëve e të kolegëve tanë, të cilët na dhanë nga eksperienca e tyre, duke na qëndruar afër për të na treguar kështu pikat strategjike. Natyrisht, për të gjitha ne femrat police kjo ishte një nga ato ndërhyrjet operacionale të rralla, dhe patjetër ndër më të vështirat.   
Konkretisht, si ndërhytë në brendësi të fshatit? Po banorët si ju pritën?  
Angazhimi ynë konkret ishte që të futeshim brenda në fshat për të zbuluar bimët narkotike. Jemi futur në çdo shtëpi, nëpër parcela, kemi bërë kontrolle banesash… Përveç atyre “të pabindurve” që ishin një pjesë e vogël, ka qenë mbështetja e banorëve të fshatit që na ka bërë përshtypje, pozitive të kuptohemi. Ata na kanë mirëpritur, na kanë hapur dyert e shtëpive, na kanë dhënë bukë, e janë ulur bashkë me ne për të ndarë problemin dhe duke na mbështetur në atë terren aq të vështirë. Gjatë kontrolleve në banesa kemi gjetur hashash në sasi të konsiderueshme, kemi gjetur armë, bomba, shumë municione, me pak fjalë një fshat i armatosur deri në dhëmbë…  
A kishte vërtet net pa gjumë për ju dhe si ishte i organizuar operacioni?  
Ne kemi qenë të ndarë në dy ekipe, flas këtu për forcat “Shqiponja”. Ishim grupi i paradites dhe pasdites. Ishte e pamundur që të ishe produktive në punë, nëse nuk qetësoheshe disa orë me gjumë, ndaj dhe ishim të ndarë në dy turne, ai i pari që niste në 7 të mëngjesit deri në 7 të darkës, dhe turni i natës nga darka deri në mëngjes. Kemi operuar me makina e autoblinda duke patrulluar edhe në mal për të identifikuar kështu pika strategjike me dylbi, apo vende nga ku mund të prisnim një rrezik të mundshëm. Përveç arrestimeve të bëra, të njohura tashmë edhe përmes medias për individë të caktuar me precedentë kriminalë, edhe pse kishte luftë e breshëri plumbash, rezistenca e banorëve nuk ishte në nivele të jashtëzakonshme.  
Tetë police femra mes 800 efektivëve meshkuj pjesëmarrës në ndërhyrjen në Lazarat. Si u ndjetë?  
Nuk është se midis çunave ne kemi pasur diferencë gjinore, përkundrazi, të profilizuar në këtë punë, ne i kemi pasur ata mbështetje. Sa herë kishim nevojë për ndihmën e tyre, kolegët ishin të gatshëm që të na ofronin ndihmën e tyre duke na mbështetur praktikisht me sugjerimet e gatishmërinë e tyre.  
Ju qëndruat për disa ditë larg familjes, ishin të shqetësuar për ju?
Në fakt, kam qëndruar për më shumë se pesë ditë larg shtëpisë, edhe pse familja ime jeton në Gjirokastër. Për shkak të angazhimit me detyrën, e kisha të pamundur t’i takoja. Meraku i tyre ishte i përligjur, sepse ne nuk e dinim me kë do përballeshim, plus që terreni ishte i panjohur…ishin shumë faktorë bashkë që i bënin prindërit tanë të qëndronin me zemër të ngrirë gjithë kohës, sepse në Lazarat vërtet që u krijua një arenë e rrezikshme lufte mes policisë dhe atyre të të ashtuquajturve të pabindur.   
Momenti më i vështirë për ju, cili ka qenë?  
Ishte një situatë vërtet e rrezikshme, kur ne vajzat ishim të pozicionuara në postbllokun e ngritur përpara hyrjes për në fshat, dhe në një moment plumbat na erdhën te këmbët…breshëri plumbash. U frikësuam pak të them të drejtën, por nuk kishte vend për panik se kishim mbështetjen e kolegëve tanë.   
Cila është ndjesia që ju krijohet tanimë që Lazarati dhe banorët e atij fshati i janë kthyer jetës normale?  
Unë jo vetëm kisha dëgjuar shumë për Lazaratin, por për shkak të vendlindjes sime në Gjirokastër, organizonim shpesh me gjimnazet takime mes shkollave, e kështu kur futesha në fshat më dukej atëherë si diçka e zakonshme, brenda normales, si një formë e të jetuarit të atyre banorëve të cilët kishin zgjedhur këtë mënyrë, disi të detyruar nga rrethanat, për shkak të papunësisë…Por, nuk besoj se ishin të gjithë njësoj, nga shtëpia e parë tek e fundit, kishte edhe përjashtime nga rasti. Besoj se kishte ardhur koha që Lazarati të ishte një fshat si gjithë të tjerët, banorët të ndiheshin më të çliruar. Edhe për ta kishte trokitur ora e duhur e ndryshimit. Dhe mendoj se kemi bërë punën tonë si duhet, duke u ardhur në ndihmë atyre dhe gjithë fshatit Lazarat.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura