Policia pezullon 24 ndërtime pa leje

Sep 30, 2013 | 13:44
SHPËRNDAJE

Edhe 24 ndërtime pa leje janë bllokuar dje nga policia në vazhdim të aksionit për pezullimin e punimeve në objektet e ngritura pa leje të ligjshme.
Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se gjatë ditës së djeshme janë proceduar 24 persona, duke bllokuar dhe ndërtimet përkatëse në rrethet e Tiranës, Malësisë së Madhe, Pogradecit, Devollit, Fierit, Matit, Shijakut, Lezhës dhe Elbasanit. Ministria e Brendshme tha se nga Drejtoria e Policisë së Tiranës janë proceduar 2 persona për ndërtime abuzive, përkatësisht shtetasi Fari P., 54 vjeç, banues në Kodër-Kamzë, pasi në Bathore ka ndërtuar një objekt pa leje, si dhe Arben Xh., 40 vjeç, pasi në Kodër-Kamzë ka ndërtuar një objekt pa leje. Gjithashtu edhe Policia e Shkodrës ka nisur procedim penal ndaj dy personave për ndërtime pa leje në rrethin e Malësisë së Madhe. Nga Policia mësohet se janë marrë në hetim Ton R., 39 vjeç, banues në fshatin Razëm, pasi në zonën turistike është konstatuar duke ndërtuar një objekt dy kate pa leje ndërtimi, si dhe po në të njëjtën zonë shtetasi Valenit Gj., 69 vjeç, po ndërtonte një objekt 3-katësh pa leje. Nga Policia e Korçës janë marrë në hetim 15 persona në Pogradec e Devoll. Burimet thanë se në Pogradec ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj 12 personave, në fshatin Vërdovë, Buçimas, Memlisht, Hudenisht dhe Stropckë. Ndërsa në Devoll janë marrë në hetim 3 persona për objektet pa leje që po ndërtojnë në Bilisht. Policia e Durrësit filloi hetimet ndaj një 32-vjeçari nga Shijaku, pasi po ndërtonte një objekt pa leje në fshatin Sallmone. Policia e Dibrës nisi hetimet për pronarin e një objekti pa leje më Burrel. Edhe Policia e Elbasanit filloi procedim penal ndaj një 41-vjeçari që po ndërtonte një banesë pa leje. Edhe në Lezhë u identifikua një banesë që po ndërtohej pa leje dhe Policia nisi procedim penal ndaj pronarit. Po kështu edhe Policia e Fierit nisi hetimet ndaj një 32-vjeçari nga Vlora, i cili po ndërtonte pa leje në tokën e bashkëshortes së tij, në fshatin Ferras. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit njoftuan se aksioni i gjerë në të gjithë Shqipërinë do të vijojë pa ndërprerje deri në bllokimin e të gjitha ndërtimeve pa leje.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura