Policia gjermane: Dëshmitari X u vetëvra

Sep 30, 2011 | 9:39
SHPËRNDAJE

Zyrtarë të policisë gjermane nga qyteti i Duisburgut kanë konfirmuar, se analizat e bera ne trupin e pajetë të dëshmitarit “X” tregojnë se ai ka bërë vetëvrasje.

Policia e këtij qyteti ka konfirmuar se Agim Zogaj 49-vjeçar, i njohur si dëshmitari “X”, ka varur veten me litar në orët e vona të së martës, në një park të Duisburgut, por nuk ka dhënë më tepër detaje.

Ndërsa zëdhënësi i policisë në këtë qytet Ramin von Mat, ka thënë për mediat e Kosovës se dëshmitari “X” është lajmëruar në polici si person i humbur.

EULEX-i ka konfirmuar vdekjen e dëshmitarit “X” në rastin Kleçka, ku deputeti Fatmir Limaj, së bashku me nëntë bashkëluftëtarë të tij, akuzohen për krime lufte, por misioni evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk kanë dhënë detaje tjera.

Deputeti Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krimet e supozuara me të cilat e ngarkon edhe tash Prokuroria e EULEX-it.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura