“Poeti”, të mbijetosh me vargje kushtuar vdekjes

Mar 30, 2018 | 14:30
SHPËRNDAJE

Të mërkurën në mbrëmje u prezantua “Poeti”, film me metrazh të mesëm. Skenaristi Ylljet Aliçka kishte zgjedhur për bashkëpunim këtë herë një regjisore të re.

Ylljet Aliçka
Ylljet Aliçka

Ky ishte filmi i parë për Atina Laçon dhe emocionet e herës së parë ndiheshin që në prezantimin prej saj të stafit bashkëpunues. Në një ceremoni të ngushtë në kinemanë “Imperial” në “Sheraton”, binin në sy të gjithë aktorët pjesëmarrës dhe stafi i vogël bashkëpunues. Në mungesë të aktorit kryesor për shkak të një aktiviteti paralel, Alfred Trebicka, ishin aty të pranishëm skenaristi Aliçka, Romir Zalla, botuesja Irena Toçi, që kishte një rol me po aq hapësirë sa të aktorëve profesionistë etj.

Filmi me metrazh të shkurtër “Poeti” mbështillet rreth fatit të një poeti të talentuar, i cili ka zgjedhur një mënyrë pak të çuditshme për të mbijetuar. Me sa duket, poezitë e vdekjes të japin bukë, më shumë se ato të dashurisë. Nëse poezia serioze nuk ka treg, ai do t’i ofrojë tregut “poezinë” që kërkon. Përballë vështirësive ekonomike, në kushtet e reja të ekonomisë së tregut, ka gjetur si mënyrë mbijetese shkrimin e poezive të ngushëllimit dhe lajmërimeve të vdekjeve. E meqë talentin e tij ai e ka kthyer në një “biznes”, si çdo i tillë, edhe ky i fundit ka rregullat e veta. Konkurrenca është e fortë. Duhet siguruar klientela.

Nga filmi “Poeti”, i shfaqur në kinema “Imperial”
Nga filmi “Poeti”,
i shfaqur në kinema
“Imperial”

Siç thotë skenaristi Aliçka, “në ballafaqimin me sfidat që i ofron ky realitet i ri, poeti provon histori suksesi dhe histori dështimesh”. Jo gjithnjë vargjet e tij qëllojnë, jo gjithnjë pritet mirë, jo të gjithë e pranojnë shërbimin e tij…Ditët e tij tashmë janë një baritje mes gurësh varresh, ku mund të qëmtojë ndonjë varg apo të “mësojë” nga konkurrentët, por edhe të shfrytëzojë traditën gojore, gjëmat e Veriut e kujet e Jugut.

poeti1

Por kjo është vetëm ana kreative, sepse klientela duhet gjetur atje ku është vdekja, nëpër spitale, morgje, pavijone të sëmundjeve të rënda… Kështu ai do të kthehet në një gjahtar vdekjesh. Sigurisht, poeti me emrin Beniam N. Nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të “shpërdoronte” talentin e tij me dedikime e vargje gjithë lot, që do të lexoheshin nëpër funerale apo do të gdhendeshin nëpër mermerë. Ai kishte lindur për të qenë poet i famshëm, por shifrat janë kokëforta. Botuesja nuk mund ta ndihmojë dot me shitje librash, por ama i shkon në mendje se një fqinjë e saj, që i kishte vdekur i shoqi, kishte kërkuar një poezi për t’ia shkruar mbi varr si dhe për të shoqëruar lajmërimin përkatës në gazetë.

poeti

Edhe pse shpërblehej financiarisht, poeti nuk e pa veten duke shkruar nekrologji, por përballë mungesës së alternativave, e merr në konsideratë këtë propozim dhe për të rritur njohuritë mbi poezitë e ngushëllimeve, konsultohet me trashëgiminë popullore të këngëve të vdekjes, si dhe duke bërë herë pas here vizita nëpër varreza, ku mban edhe shënime. Por ai nuk është i vetmi. Tashmë prej kohësh, skulptorë të njohur kanë filluar të gdhendin gurë, portrete, shtatore, engjëj me krahë e Madona të përlotura, që do t’i bënin rojë të fjeturit në varreza…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura