“Po sulmohen biznesmenët siç goditeshin kulakët”- Rama flet për shembjen e rrugës së Borshit: Mund të jetë përgjegjësia e kompanisë, por…

Jan 15, 2021 | 13:04
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama nuk e shikon me vend sulmin ndaj kompanive që investojnë në Shqipëri. Referuar rastit të rrugës në Borsh, e cila u shemb dhe u ça në mes si pasojë e reshjeve të shiut, Rama tha se ka një hetim për këtë çështje.

 

Rama tha nuk është e drejtë që të sulmohen kompanitë, sic sulmoheshin kulakët në kohën pas çlirimit.

“Unë konsideroj të paparshtatshme që të sulmohen kompanitë në mungesë të analizës. Mund të jetë një rrugë e bërë edhe sot dhe për arsye që nuk lidhen me kompaninë, por në kushtet e një lëvizje gjeologjike mund të ketë çarje. Ashtu sikundër mund të jetë edhe kompania shkaktare, por kjo kërkon analizë. Të çosh kamera në një rrugë të çarë dhe t’ia kërcasësh kompanisë  me shkop kokës, mban më shumë era gjobë sesa era gazetar.

Mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë. Mos bëni gjueti shtrigash me njerëzit që kontribuojnë. Askush nuk është engjëll.

Është fatkeqësi e madhe që nuk e kam parë në vende të tjera që këtu suksesi kthehet në mallkim dhe suksesi i këtyre njerëzve që kanë ngritur kompani dhe i japin punë dhjetëra mijëra familjeve është bërë mallkim i tyre. Goditen nga mëngjesi në darkë sic goditeshin kulakët pas çlirimit. Është fatkeqësi e madhe. Rasti konkret mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, nuk e përjashtoj, por mund të mos jetë përgjegjësi e kompanisë. Prandaj duhet hetuar. Ka një hetim që po bëhet nga KLSH”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura