“Po shpikin pazare dhe fabula për t’i shpëtuar drejtësisë”- Basha: Kujtojnë se me mohimin e masakrës zgjedhore mund të shpëtojnë

Jan 22, 2022 | 13:19
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me demokratët e degës 8 në kryeqytet, atakoi ata të cilët sipas tij po përpiqen për të mbyllur masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Pa përmendur emra konkretë, Basha theksoi se politikanë të cilët kanë hesape të pambyllura me drejtësinë, kujtojnë se mund t’i shpëtojë atyre duke mohuar masakrën zgjedhore.

“Shikoni çështjen Bechetti si duan ta mbyllin. Sapo kërkuam Komision Hetimor për një çështje ku janë përfshirë drejtpërdrejt krerët më të lartë që sundojnë sot Shqipërinë dhe kryeministri e kryetari i bashkisë së Tiranës, thanë “jo” megjithëse 5 herë Gjykata Kushtetuese ka thënë; kur 28 deputetë kërkojnë komision hetimor s’thua dot jo. Je i detyruar ta pranosh. Pse? Vetëm e vetëm ta zvarrisin po çfarë fitojnë nga zvarritja? Po kur e zvarrisin pastaj nxjerrin nëpër ekranet e shqiptarëve gënjeshtrat, mashtrimet, shpifjet e përditshme e tani iu kanë ardhur në ndihmë edhe disa aleatë, të drejtpërdrejtë apo indirektë, të dukshëm dhe të padukshëm, që i ndihmojnë me gënjeshtrat, me shpifjet, me mashtrimet e tyre.

Po për masakrën zgjedhore e dëgjoni se ç’thonë sot apo jo? Ku s’ka shqiptarë dhe gjithë faktori ndërkombëtar është vetëdijësuar për faktet që kanë qenë në sytë e të gjithë shqiptarëve, të masakrës zgjedhore, tani, ndokush që ka hesape të pambyllura me drejtësinë, kujton se mund t’i shpëtojë atyre duke mohuar masakrën zgjedhore dhe duke shpikur fabula për pazare që ndoshta vetë i kanë bërë, pikërisht për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është e vërteta. Këto janë të vërtetat e fundit të një politike që i ka lodhur njerëzit. I ka lodhur është pak madje, i ka shkatërruar nga nervat, i ka dëshpëruar shumë prej tyre, i ka bërë të humbin besimin te vetë politikëbërja si instrument ndryshimi. Dhe kjo është ajo që duan një pakicë njerëzish që vjen vërdallë”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura