Po përpiqeni të përfitoni favore nga Uashingtoni? Edi Rama flet për strehimin e 4 mijë afganëve. S’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA, por sepse…

Sep 25, 2021 | 9:16
SHPËRNDAJE

Në një intervistë për televizionin francez TV5Monde kryeministri Edi Rama foli mbi angazhimin e Shqipërisë për të pritur 4 mijë refugjatë afganë.

edi

I pyetur nëse po përpiqet të fitojë favore nga Uashingtoni, Rama i përgjigjet gazetares se vendimi për afganët nuk është marrë pas kërkesës së qeverisë së SHBA-ve, por pasi kjo është një çështje respekti ndaj histories dhe Shqipëria një vend mikpritës.

PJESË NGA INTERVISTA 

Pyetje: Edi Rama, Shqipëria është zotuar të presë përkohësisht 4 mijë refugjatë afganë, derisa ata të marrin një vizë për të shkuar në SHBA. Ju kemi parë që keni shkuar t’i takoni. Vendi juaj është vendosur në pararojë për pritjen e tyre, me kërkesë të SHBA. Po përpiqeni të përfitoni favore nga Uashingtoni?

Edi Rama: Jo. Nuk është kaq e thjeshtë. Së pari, ne s’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA.

E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj  historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talibanëve islamistë, por ishte një ferr i talibanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura