“Po kërkojmë lojtarë që të përfaqësojnë denjësisht fanellën e kuqe”, Daja: Probleme me ritmin, ja shqetësimi në merkato

Aug 23, 2021 | 10:36
SHPËRNDAJE

Partizani ka fituar me vështirësi ndaj Pogradecit në miqësoren e fundit. Trajneri Ilir Daja në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, pas ndeshjes pohoi se skuadra e tij është e ngarkuar fizikisht, pasi punohet me nga dy seanca në ditë, si dhe tregoi problemin që ka aktualisht Partizani. Daja sqaroi edhe situatën e sulmuesit brazilian, Stenio Zhunior, që është i dëmtuar, si dhe sërish pranon se përforcimet i pret në mesfushë dhe sulm. Trajneri pohoi se po punohet intensivisht që Partizani të përforcohet me lojtarë cilësorë.

Daja Partizani

Jeni i kënaqur me këtë minifazë përgatitore që po zhvilloni në Ohër?

Ne jemi në kulmin e ngarkesave stërvitore dhe jemi të vetëdijshëm që ekipi nuk ka formën e duhur, për shkak se punojmë me dy seanca në ditë. Kemi zhvilluar një miqësore në mesjavë me vetëm 15 lojtarë, që do të thotë se ngarkesa është më e madhe, sepse e kishim planifikuar që të përdornim vetëm 45 minuta, por për shkak të mosmarrjes së vizave të lojtarëve që kanë ardhur nga Afrika u ul numri i lojtarëve dhe për shkak të dëmtimeve që kemi pasur këtu flas për Zhuniorin, i cili ka bërë rezonancën. Pjesa tjetër e ekipit, u pa edhe në këtë takim që janë me muskuj të ngarkuar dhe pavarësisht se zhvilluam një ndeshje nën kontroll them se kemi probleme të ritmit, e cila vjen nga ngarkesat e larta fizike.

Si është gjendja e Zhuniorit dhe kur pritet t’i bashkohet ekipit?

Ai ka bërë një eko, që ka nxjerrë që ka një inflamacion, kjo do të thotë që mund të jetë një rikthim i shpejtë. Besoj se brenda kësaj jave do të fillojë stërvitjen, por situatën më të qartë do të na e tregojë përgjigjja e rezonancës magnetike.

Çfarë ju shqetëson më tepër në prag të kampionatit?

Ne si staf na shqetëson më shumë përforcimi i repartit në mesin e fushës dhe të sulmit me lojtarë cilësorë, në mënyrë që të përballojmë një kampionat me 36 javë dhe me 5 ndërrime që ka çdo ndeshje. Presim afrime që të kemi mundësi t’i përdorim lojtarët në rolet e tyre dhe të mos jemi të sforcuar që t’i lëvizim ata nga pozicionet natyrale.

Kur pritet që t’i konkretizoni afrimet në merkato?

Ne po punojmë. Me t’u kthyer në Ohër, pas kësaj ndeshjeje, stafi punon për të gjitha prurjet që mund të vijnë te Partizani, duke i parë edhe emrat në disa faqe sportive dhe për reklamë s’po i them. Edhe paraditja e së dielës që e kemi do të jetë (ishte pasi intervista është dhënë pas miqësores së luajtur të shtunën) për të seleksionuar disa lojtarë që kanë ardhur nga kontaktet e menaxherëve të klubit tonë me menaxherët e vetë futbollistëve. Duam që të afrojmë lojtarë që të kenë cilësi dhe të përfaqësojnë denjësisht uniformën e Partizanit.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura