“Po ju zoti Rama ç’plasje keni?”, shpërthen aktori i njohur, flet për shkatërrimin e Teatrit

Mar 24, 2018 | 19:00
SHPËRNDAJE

Mendimi im është që ndërtimi, restaurimi apo bërja e ribërja e një institucioni siç është Teatri Kombëtar, apo edhe institucione të tjera si Teatri Kombëtar, të përmasave të tilla duhet të jenë plotësisht nisma dhe vepra të shtetit.

trebicka

Në këto nuk ka punë privati. Sepse bashkëpunimi i tillë është problematik. Në rastin konkret ky bashkëpunim do ketë këto pasoja. Nuk ka privat në botë që e bën për hobi një sipërmarrje të tillë. Po pra, po bashkëpunimi është i rrezikshëm në rastin konkret, sepse të merr territor”. Aktori e regjisori, Alfred Trebicka ndalet gjatë tek çështja e Teatrit Kombëtar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Duke nënvizuar se teatri është lënë qëllimisht të rrënohet, ai vë theksin te memoria në art, e memoria e qytetit dhe vlerat e godinës përtej infrastrukturës.

Nëse, thotë ai, do i shembim të gjitha se janë të vjetra, çfarë na mbetet. Duke mos pasur dyshime për korrupsion, Trebicka, thotë se nuk mund t’i kërkohet transparencë, trafikantëve të drogës. Për të, thelbi i asaj që po ndodh është përballja e komunitetit të artistëve me disa interesa të pastra biznesi. Ndaj, edhe në atë projekt që u prezantua, u pa që ishin kullat afër teatrit. “Nuk dua të gjykoj në bazë fjalësh po në bazë veprimesh konkrete. Veprimet konkrete që janë bërë deri tani sa i takon pjesës së artit e kulturës, e këtu kam parasysh fatin e kinemave, “17 Nëntori” e “Republika”, nuk janë më.
Ndërkohë që në momentin kur është ndërhyrë është thënë që do bëhet një kinema me parametra evropianë”,-thotë Trebicka për “GSH”.

– Që prej muajit shkurt një debat i madh ka lindur për çështjen e Teatrit Kombëtar. Nisi për ligjin e artit dhe më pas u bë një debat për teatrin. Si e keni ndjekur ju?
Natyrisht që unë jam pjesë e komunitetit teatror. Pavarësisht se administrativisht nuk jam pjesë e teatrit, por përderisa jam aktor dhe regjisor dhe në momentin që flasim jam në pikun e aktivitetit tim, sigurisht e kam ndjekur nga afër. Le të themi se kjo historia e teatrit është histori e vjetër. Është të paktën 20-vjeçare. Vitet e fundit ishte lënë në heshtje, jo se s’ka pas lëvizje nën të. Vetë nisma e ndërtimit të Turbinës ishte një paraprirje për të shkuar drejt kësaj, por se çfarë do të bëhej me teatrin nuk e dinte askush, nuk ishte artikuluar gjë. Thjeshtë u tha që do të spostohej teatri nga ku është për të shkuar të Turbina.
Por, nëse do bëhej rikonstruksion, apo do të ndërtohej teatër i ri, nuk artikulohej asgjë. Sigurisht, thashetheme kishte plot.
Në shkurt ishin dy pika që dolën njëherësh, e para ishte ajo e shpërnguljes së teatrit te “Turbina” dhe e dyta, qarkulloi dhe një ide që aty në Teatrin Kombëtar do të instalohej Teatri i Operës, çfarë, për mua e shumë te tjerë, nuk kishte sens, sepse ti heq një trupë dhe sjell një trupë tjetër. Më pas, ajo lloj infrastrukture që ka Teatri Kombëtar aktual, nuk ka lidhje fare me çfarë kërkon një Opera.

Unë e njoh operën dhe e di që Operat kanë stafe gjigante, orkestër, solistë, kor, balet, e të tjerë.
Teatri Kombëtar tani nuk është për opera. Gjërat precipituan shpejt. Nga momenti i artikulimit të shpërnguljes së teatrit dhe dalja e projektligjit për artin, u bë bashkë edhe komuniteti teatror përmes Sindikatës së Teatrit dhe Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, reaguan. Edhe unë jam pjesë, ndonëse nuk jam anëtar i asnjërës sindikatë. Gjërat u bënë më publike. Heshtja e gjatë që prej vitesh dukej si heshtje, u bë publike dhe u bë pjesë e medias dhe debatit publik.
Jemi në këtë situatë që jemi sot. Pas kërkesës që ne patëm për një takim me ministren e Kulturës, takim që nuk u realizua kurrë, erdhi prezantimi i menjëhershëm i një projekti.
– Para prezantimit, ministrja pati thënë se nuk ka projekt për teatrin se do hapej konkurs e do zgjidhej projekti…
Po, ministrja tha nuk ka projekt, por tha se do punojmë për të. Më pas doli që ishte një projekt i gatshëm dhe u bë një prezantim. Një prezantim që unë do thosha, që ishte jo ashtu siç duhej. Nuk dua të përdor terma të rëndë “diktatorial”, “autoritar”, etj.

Intervisten e plote e lexoni ne GSH

http://www.gsh.al/2018/03/24/alfred-trebicka-nuk-shkaterrohet-teatri-se-eshte-vjeter-po-ju-zoti-rama-cplasje-keni/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura