“Plumb për të dy”/ Nisin hetimet për kërcënimet ndaj ambasadorit të SHBA në Serbi

Apr 19, 2024 | 22:35
SHPËRNDAJE

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi, ka filluar hetimet lidhur me kërcënimet në internet drejtuar ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill.

ambasadori i shba ne serbi

Kërcënimet pasuan një vizitë të ambasadorit amerikan me 15 prill në Fakultetin Filozofik në Novi Sad, ku u takua me profesorin e atij fakulteti dhe gazetarin Dinko Gruhonjiç, të cilin grupet e djathta në Serbi e akuzojnë për “përhapjen e urrejtjes” në paraqitjet e tij publike, në të cilat ai kritikon rritjen e nacionalizimit në Serbi.

Pas kësaj ambasadorit Hill dhe profesorit Gruhonjiç u janë drejtuar kërcënime, kryesisht përmes rrjetit Telegram. si “Plumb për të dy”, “Do ta vrisja këtë Hillin pa një grimë keqardhjeje”, “Vrite Hillin” etj., ndërsa u publikua edhe një fotografi e ambasadorit amerikan nën shënjestrën e një pushke snajper.

As ambasadori Hill, as ambasada amerikane në Beograd dhe as Departamenti i Shtetit, nuk kanë bërë ndonjë koment lidhur me kërcënimet.

Gjatë vizitës ambasadori Hill kishte qëndruar edhe në studion televizive multimediale, e cila është ndërtuar me ndihmën e ambasadës amerikane dhe ka biseduar me profesorët dhe studentët për gjendjen e lirisë së mediave në Serbi dhe kërcënimet ndaj tyre në Novi Sad.

Vizita e tij në Fakultetin Filozofik u bë dy javë pas bllokadës katërditëshe të këtij fakulteti, të organizuar nga grupet e djathta: “Eco Çetniks”, Rinia Mbretërore Serbe e Novi Sadit dhe Shoqata e Studentëve të Republikës Serbe.

Një ish diplomat serb, Zoran Milivojeviç i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se, duke pasur parasysh se këto janë kërcënime serioze, pret që autoritetet përgjegjëse “të identifikojnë kërcënimet, të parandalojnë pasojat e mundshme negative që lidhen me këto kërcënime dhe të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e plotë të ambasadorit”.

Zoti Hill u emërua në postin e ambasadorit amerikan në Serbi në vjeshtën e vitit 2021. Një diplomat karriere, ai ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në vitet e 90-ta ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.

Gjatë luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.

Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”./VOA

kercenimet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura