Planet urbanistike për 26 bashki gati në qershor, shpallen fituesit

Jan 14, 2016 | 12:20
SHPËRNDAJE

Brenda muajit qershor të këtij viti, 26 bashki të vendit do të kenë mbi tryezë planin e ri urbanistik. Dje është ndezur edhe shkëndija e parë, ku u prezantuan studiot e shpallura fituese, të cilat do të marrin në duar fatin për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre qyteteve.

Janë 9 ekipe, shqiptare dhe të huaja, ato që në harkun e rreth 5 muajve të ardhshëm do të dorëzojnë në qeveri draftin e planeve që do të hartojnë.

rama vendoret

PLANET Secila nga studiot e përzgjedhura do të punojë me më shumë se një bashki, përveç Tiranës dhe Shkodrës. Skuadrat e zgjedhura për këto dy njësi do t’u dedikohen tërësisht atyre dhe nuk do të kenë në ngarkim të tjera. Kjo është bërë, sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban, për shkak të problematikave specifike që kryeqyteti dhe Shkodra mbartin. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është fakti që për 4 bashki të Jugut, përkatësisht Konispoli, Vlora, Himara dhe Saranda, ende nuk është shpallur ekipi fitues. Në aktivitetin e djeshëm ku u firmosën edhe kontratat ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama.

Ndërsa e cilësoi të vonuar këtë proces, Rama nuk mbeti pa e vënë gishtin mbi plagë, teksa përmendi transformimet që ka pësuar territori përgjatë këtyre dy dekadave të fundit. “Sot, shqiptarët, në një masë të madhe janë bërë me shtëpi, por që këtë ndryshim, ky model zhvillimi e ka kushtëzuar me një shkatërrim historik, me një barbari dhe me një masakër, pasojat e së cilës do të vazhdojmë t’i vuajmë ndër vite. Shkatërrim pyjesh, shkatërrim shtretërve të lumenjve, shkatërrim të strukturave natyrore mbrojtëse, shkatërrim të infrastrukturave që sot i kemi përpara syve, shkatërrim të fondit të tokës së bukës dhe mbi të gjitha, këtë unë e vë gjithmonë mbi të gjitha, edhe pse mund të duket e fundit, shkatërrim i të gjithë pjesëve të trupit të bukur të Shqipërisë”, vuri në dukje Kryeministri.

LEJET E NDËRTIMIT Planet vendore që do të miratohen për këto 26 bashki do të japin edhe impulse mbi planin e përgjithshëm vendor që do të hartohet, në funksion më së shumti të investimeve në infrastrukturë, transport, në zhvillimin bujqësor, si edhe industrial. Por ky proces është i lidhur ngushtësisht edhe me lejet e ndërtimit. Këto të fundit nuk do të jenë temë tabu apo të ndaluara në bashkitë, që aktualisht kanë plane rregulluese të miratuara. Të tilla janë 14 bashki.

Nga ana tjetër, për 26 qytetet e tjera, ku bën pjesa edhe Tirana, të cilat do të financohen nga qeveria për hartimin e planeve të reja lejet, do të jenë të kufizuara. Ato do të lëshohen vetëm për qëllime biznese dhe strehimi. “Në zonat e tjera, që nuk kanë plane rregulluese, bashkitë do të mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit vetëm për objektet e biznesit me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik, si dhe për banesa familjare. Në këto bashki, dhënia e lejeve do të monitorohet rregullisht nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Territorit, për të siguruar zbatimin e kufizimeve të mësipërme sa u përket kategorive të lejuara”, tha ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

studiot fituese

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura