Plagosja në Lezhë, sherri ndodhi për konfliktin e vjetër për pronën. I bëri pritë dhe…

Sep 7, 2018 | 11:14
SHPËRNDAJE

LEZHE/ ELVIS HILA/ Në konflikt prej vitesh për pronën, atentat 34-vjeçarit. Debatet e vazhdueshme mes dy familjeve në Lezhë janë përshkallëzuar në përplasje me armë. Ngjarja ka ndodhur në Shënkoll, në vendin e quajtur “Ura e Prekanit”. Rreth orës 13:30, pikërisht në vendin kryqëzimi i Shënkollit-Tale, Martin Doda u qëllua me armë zjarri. 34-vjeçari ishte duke ecur në këmbë kur dy persona i zunë pritë.

I riu u qëllua me pistoletë nga dy persona, të cilët janë shpallur në kërkim nga Policia. Në drejtim të Dodës u qëllua disa herë, por mundi t’u mbijetojë plagëve dhe u dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore. 34-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa konfirmohet se ka marrë plumba në gjymtyrët e poshtme.

I plagosuri dhe vendi i ngjarjes

Policia, pas nisjes së hetimeve dhe marrjes së dëshmive të para, arriti të identifikojë autorët e dyshuar të plagosjes. Ata janë shtetasit me iniciale P.Ll. DHE Z.B., që të dy banues në Tale, qe u arrestuan pak pas ngjarjes. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por dyshohet se gjithçka ka ardhur për shkak të konflikteve që autorët dhe i plagosuri kishin në lidhje me pronat.

Të dy palët janë banues në të njëjtin fshat dhe mes tyre kishte vazhdimisht debate lidhur me pronësinë e një sipërfaqeje toke. Madje, vetëm pak ditë më parë, Martin Doda dhe dy autorët e shpallur në kërkim kanë pasur një debat të fortë. Pikërisht për këtë arsye, 34-vjeçari Doda kishte bërë dhe denoncim në Polici.

martin doda

Por, duket se një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga pala tjetër, e cila i ka zënë pritë të riut nga Lezha. Mësohet se qëllimi i tyre ka qenë eliminimi fizik i 34- vjeçarit dhe për këtë arsye ndaj tyre do të ngrihet akuza “Vrasje e mbetur në tentativë” në bashkëpunim. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gëzhojat e armës së gjetur në vendin e ngjarjes. Nga ana tjetër, Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët po merren në pyetje lidhur me ngjarjen.

“Rreth orës 13:30, është marrë njoftim se në vendin e quajtur ‘Ura e Prekanit’ në rrugën Kryqëzimi i Shënkollit-Tales, është plagosur me armë zjarri shtetasi M.D. 34 vjeç, banues në Tale, i cili është dërguar në Spitalin Rajonal në Lezhë, për ndihmën e nevojshme mjekësore. Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, shtetasve P.Ll. dhe Z.B., të dy banues në Tale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën me dije Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura