Plagoset 15-vjeçari me thikë në shkollë

Oct 31, 2012 | 13:04
SHPËRNDAJE

FIER – Plagoset me thikë nxënësi 15-vjeçar në oborrin e shkollës. Ngjarja ndodhi dje në oborrin e shkollës “Dervish Hekali” në Ballsh, kur viktima është konfliktuar me një 19-vjeçar. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se 15-vjeçari M. Xhafa, nxënës në klasën e nëntë, është plagosur nga shtetasi Dragan Hasani. Rreth orës 08:00, 19- vjeçari ka shkuar në oborrin e shkollës dhe ka nisur të shajë e të debatojë me nxënësin duke e akuzuar këtë të fundit se e kishte ngacmuar nëpërmjet telefonit celular. “Në celularin e Hasanit kishte disa ditë që vinin thirrje me numër të fshehtë, për të cilat ai dyshonte se i bënte 15- vjeçari. Këtë ia kanë konfirmuar edhe disa shokë të tyre të përbashkët, të cilët i thoshin se ia bën M. Xhafa thjesht për të luajtur me të. Kjo ka qenë arsyeja që 19-vjeçari i ka kërkuar shpjegim në oborrin e shkollës pak para se të niste ora e parë mësimit, por gjithçka më pas ka precipituar në plagosjen me thikë të nxënësit”, bëri të ditur Policia e Ballshit. I plagosuri ka marrë dy plagë në pjesën e kofshës. Gjatë plagosjes me thikë ai ka mundur ta qëllojë agresorin me mjete rrethanore në tentativë për t’u vetëmbrojtur. Për pasojë, në Spitalin e Fierit përfunduan të dy në gjendje të plagosur. 15-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa autorit të plagosjes i janë vënë prangat pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore.                               m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura