PISA 2018, tronditje që duhet të na shkundë

Dec 15, 2019 | 10:33
SHPËRNDAJE

PROF. BARDHYL MUSAI

BARDHYL MUSAI

NË VEND TË HYRJES

Atë ditë tetori të vitit 1957,  kur rusët hodhën në atmos- ferë satelitin artificial rreth Tokës, Sputnik, kur radiot dhe televizionet amerikane në panik transmetonin lajmin, psikologu i njohur amerikan Skiner, botoi një artikull me titull: ‘Turpi i arsimit amerikan’. Arsyetimi ishte se Amerika, e cila cilësohej si vendi më i zhvilluar në botë, u dëshmua se nuk është i tillë dhe përmes një analize kritike formuloi disa teza për reformimin e sistemit arsimor amerikan.

Si pasojë e ndërhyrjeve radikale, të studiuara dhe të guximshme, Amerika, brenda një dhjetëvjeçari, arriti rezultate të larta arsimore, të cilat bënë të mundur dërgimin në Hënë të njeriut të parë në vitin 1969. Ashtu sikurse Sputnik-u rus tronditi arsimin amerikan, ngjashëm edhe rezultatet në PISA e kanë tronditur arsimin shqiptar dhe përbëjnë arsye për mobilizim që situata të mos përkeqësohet, por, të ndërhyjmë që të përmirësohet.

ÇFARË DËSHMOJNË REZULTATET NË PISA?

Rezultatet e PISA 2018, duke i krahasuar me ato të viteve të mëparshme, përsëri e klasifikojnë Shqipërinë si vend me arsim të dobët, ndonëse vërehet një rritje e lehtë, por kjo është më shumë rezultat i zhvillimit dhe jo i ndërhyrjeve në funksion të rritjes së cilësisë. Këto rezultate dëshmojnë se arsimi ynë nuk prodhon cilësi, ka një përqindje shumë të madhe të nxënësve të dobët, pothuaj mungojnë nxënësit ekselentë.

Rezultatet në PISA dëshmojnë se dijet e nxënësve nuk janë funksionale për jetën reale, ata nuk mund ta kuptojnë, ta përpunojnë, ta përdorin, ta vlerësojnë, të reflektojnë dhe ta integrojnë informacionin, nuk janë në gjendje ta përfaqësojnë matematikisht një situatë të thjeshtë nga jeta e përditshme a të identifikojnë e të shpjegojnë saktë një dukuri shkencore.

MËSIMET QË NXJERRIM NGA PISA

Mësimi i parë nga PISA është se sistemi arsimor që kemi trashëguar tri dekada më parë nuk mund të reformohet për t’iu përgjigjur kërkesave të shekullit të 21-të, duke bërë arnime, shtojca e modifikime të pjesshme, shpesh të pambështetura nga teoria dhe gjetjet shkencore e që në vend të bëjë përpara, qëndron në vend, më keq akoma, kur bën hapa mbrapa.

Slogane të tilla si, “ky është arsimi i gjeneratës tjetër”, “tashmë nxënësit tanë mësojnë si edhe bashkëmoshatarët e tyre në Europë”, “me cilësinë nuk bëjmë kompromis”, përballë gjendjes ku jemi, fyejnë edhe inteligjencën mesatare të çdo individi. Më keq akoma kur ndërhyrjet në arsim marrin karakter populist, të tilla si, “prindërit janë të kënaqur me zbatimin e kurrikulës së re”, “një prind, për të lehtësuar peshën e çantave me shumë libra, sugjeroi tri lëndë në gjashtë orë dhe pas një muaji u vërejtën rezultate pozitive të nismës”, e bëjnë qesharak në sytë e publikut institucionin që drejton politikën arsimore në këtë vend.

Një mësim i dytë është se përgatitja e brezave për shoqërinë e dijes në epokën dixhitale, kërkon rikonceptim të tërë sistemit, ku informacioni nga rezultat, në modelin e mëparshëm, tashmë është pikënisje, që do të thotë se dija ndërtohet dhe krijohet për t’u zbatuar në jetën reale. Që shkolla të largohet nga modeli riprodhues i njohurive kërkon rikonceptim të tërë strukturave, komponentëve dhe përmbajtjes së saj, duke filluar nga standardet, kurrikulat, metodologjia e mësimdhënies dhe të nxënit e që përfundon me modelin e vlerësimit.

Një mësim tjetër nga PISA është se të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite që nga ndërrimi i sistemit politik, të emërtuara ‘reforma’, kanë qenë të pjesshme e si të tilla nuk garantojnë rezultat. Politikat dhe strategjitë e reformës lipset të ndërmerren në shkallë të gjerë ose tërësore, sikurse argumenton ideatori i filozofisë së ndryshimit në arsim, kanadezi Majkëll Fullan. Përvoja ka dëshmuar se përparimi në arritjet e nxënësve është i dukshëm dhe për këtë arsye parashikohet një zgjerim dhe thellim në të ardhmen e afërt në të gjithë botën i reformave tërësore.

SI MUND TË PËRMIRËSOHET SITUATA?

Duke shqyrtuar rezultatet e deritanishme, mbështetur në përvojën e vendeve të ngjashme me Shqipërinë, për nga madhësia e territorit, numri i popullsisë, e kaluara historike etj., të cilët kanë arritur rezultate mjaft pozitive falë përpjekjeve serioze të vazhdueshme, duke u mbështetur në hulumtime dhe doktrinat arsimore, në sistem lipset të bëhen ndërhyrje të menjëhershme dhe tërësore. Disa nga këto ndërhyrje kryesore janë:

* * * ARSIMI PARASHKOLLOR të bëhet masiv, ku të gjithë fëmijët të ndjekin këtë hallkë të arsimit, pasi ndërhyrja në fëmijërinë e hershme është garanci për shkollim të mëtejshëm cilësor.

* * * TË ZGJATET KOHA E QËNDRIMIT të nxënësve në shkollë. Sa më gjatë të qëndrojnë nxënësit në shkollë, aq më mirë ndërtohen dhe krijohen dijet, fitohen shprehitë e kultivohen vlerat. Kjo duhet të shoqërohet me ushqim të shëndetshëm dhe jo me sanduiçe a hamburgera, të cilët nuk kanë vlera ushqimore dhe nuk ndihmojnë nxënësit që të jenë aktivë, pasi truri i tyre bie në qetësi nga ushqimi i pamjaftueshëm me vitamina. Kohëzgjatja në shkollë ndikon pozitivisht në të nxënit, por kjo kohë të mos ndahet artificialisht në mësim dhe më pas detyra shtëpie. Ky proces lipset të jetë i integruar dhe jo me ndarje klasike, e cila tashmë është e kapërcyer nga koha. Mjedisi i të nxënit t’i përshtatet moshës, nevojave dhe interesave të nxënësve.

* * * RIKONCEPTIM I KURRIKULËS nga kopshti deri në klasën e 12-të, duke u larguar nga informacioni e të shndërrohet në veprimtari për zhvillimin e të menduarit të nivelit të lartë, për zgjidhjen e problemeve të jetës reale, të menduarit kritik e krijues, me trajtime fenomenologjike të të gjitha fushave të përmbajtjes.

* * * TË KULTIVOHEN SHPREHITË e të shkruarit dhe të lexuarit përgjatë tërë viteve të shkollimit. Të shkruarit është mjaft defektoz në shkollat tona, pasi përdoret metodologji e papërshtatshme, e cila nuk përqendrohet te mendimi, prej të cilit më pas vijon procesi. Po ashtu, edhe të lexuarit, në të gjitha format dhe zhanret, jo vetëm letrar, të shndërrohet në kulturë mbizotëruese, duke zhvilluar të menduarit kritik, analizën e thelluar të teksteve, dallimin e fakteve prej opinioneve etj.

* * * TESTIMET KOMBËTARE, të klasës së 9- të dhe të 12-të të ndjekin metodologjinë e PISA-s. Pyetjet të jenë të përshkallëzuara në vështirësi sipas modelit, kur nxënësi i përgjigjet një pyetjeje, atëherë ajo pasuese është më e vështirë se pyetja paraardhëse. Testimet kombëtare detyrimisht të pilotohen me një mostër të caktuar nxënësish e më pas të zhvillohet testimi masiv.

Deri më tani kjo procedurë nuk është ndjekur. Po ashtu, rezultatet të analizohen në detaje dhe jo të përfundojë gjithçka në shifra e përqindje, të cilat nuk të lejojnë të shkosh përtej në analizën e shkaqeve të rezultateve të vijon nga faqja 1 padëshirueshme, por që shërbejnë si mjet presioni për mësuesit dhe shkollat kur nuk arrijnë rezultate të kënaqshme.

Ky presion ka çuar edhe në inkurajimin e kopjimeve në masë, si kompromis i heshtur, midis strukturave shtetërore dhe shkollës e mësuesit, ka dëmtuar rëndë sistemin e vlerave. Testimi i klasave të pesta të mos zhvillohet, për aq kohë sa një formalizëm i tillë pa ndonjë vlerë nuk i shërben kurrkujt.

* * * STANDARDIZIMI në aspektet e arritjeve të nxënësve të bëhet i detajuar dhe i matshëm, me referencë kurrikulat që të orientojë mësuesit në punën e tyre duke shmangur formulime të pakuptimshme e të padeshifrueshme si ato të deritanishmet. Standardet të harmonizohen edhe me përmbajtjen në tekstet shkollore, të cilat edhe për shumë kohë do të jenë mjete bazë të nxënësve. Koherenca midis standardeve, kurrikulës dhe përmbajtjes së teksteve, mundësisht të arrihet përmes tabelave lehtësisht të kuptueshme e të zbatueshme.

* * * PËRGATITJA DHE ZHVILLIMI PROFESIONAL i mësuesve. Sistemi i përgatitjes së mësuesve është një nga mangësitë serioze të sistemit, i cili me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në këto vite ende vuan nga formalizmi, kurrikula fragmentare, e më keq akoma, i shkëputur nga praktika e jetës së shkollës. Mësuesit e sotëm përgatiten vetëm në auditore, në më të shumtën e rasteve, njësoj sikur ‘mësojnë notin në tokë të thatë’.

Zhvillimi profesional po ashtu vuan nga formalizmi dhe nga një llojshmëri e pakuptimtë temash, me teorizime të panevojshme në vend që në nivel kombëtar të përqendrohet në disa prioritete me synim përditësimin me konceptet dhe metodologjitë e reja që kërkon koha për të qenë mësues inovativë. Sot ekzistojnë rreth 60 institucione trajnuese, të cilat ofrojnë më shumë se 400 module trajnimi (https://trajnime.arsimi.gov.al/Moduls).

Kjo dëshmon se ky sistem për nga tematika dhe shumëllojshmëria është jo funksional, por edhe fiktiviteti dhe abuzimi është evident. Trajnimi si qëllim në vetvete, vetëm për një dëshmi prej kartoni me kredite, të marrë fund sa më parë. Sistemit i duhen mësues dinjitozë, të përgatitur profesionalisht përmes shkollimit cilësor dhe veprimtarive trajnuese të vazhdueshme dhe të dobishme.

TË VEPROJMË PA HUMBUR KOHË

Të gjitha sa përmendëm më lart, por edhe aspekte të tjera të sistemit, duhet të përbëjnë një plan veprimi afatgjatë, i cili pasi të arrihet me konsensus mbarëkombëtar, të jetë i detyrueshëm për cilëndo qeveri, pasi ai i tejkalon afatet 4-vjeçare të mandateve qeverisëse. Është koha që klasa politike të dëshmojë vullnet dhe të heqë dorë nga përdorimi i situatës arsimore, për mirë apo për keq për qëllime elektorale, ku njëra palë mburr veten e fajëson palën tjetër.

* * * Transformimi rrënjësor i arsimit kërkon edhe buxhet të mjaftueshëm për ta realizuar. Dëshmi e këtij vullneti do të jetë së pari vendimi nga Kuvendi që buxheti për arsimin të jetë normë fikse, të paktën 5% e PBB, si prioritet mbi prioritetet, i detyrueshëm për çdo qeveri e i menaxhueshëm me eficiencë.

Nëse kjo nuk do të arrihet, për çfarëdo arsye, atëherë të jemi të sigurt se është me pasoja seriozisht të dëmshme për të ardhmen, të cilën na e sjell ndërmend deklarata e ish-Presidentit Obama: “Nëse mendoni se arsimi është i shtrenjtë, prisni derisa të shihni se sa kushton injoranca në shekullin e 21-të”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura