Pikantet e Partizani-Skënderbeu/ Birra dhe protesta, turistët pushtojnë stadiumin e kuq

May 6, 2024 | 8:56
SHPËRNDAJE

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes së të shtunës mes Partizanit dhe Skënderbeut, të cilën e ndoqën rreth 1700 veta në shkallët e stadiumit “Arena e Demave”. Skenën e morën sërish turistët.

WhatsApp-Image-2024-05-04-at-16.33.19

* Ndeshjen e paraprin një ceremoni në nder të ish-presidentit të nderit të Partizanit, Resul Demit, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Klubi i kuq hapi një banderolë në sektorin qendror me foton e të ndjerit dhe me nënshkrimin: “Gjithmonë me Partizanin, përherë me ju”. Një banderolë në nder të tij u hap edhe nga tifogrupi “Ultras Guerrils”. “Pusho i qetë Resul Demi”, shkruhej në të. Drejtuesit e Partizanit, bashkë me ata të Skënderbeut vendosën lule pranë banderolës, teksa u mbajt edhe një minutë heshtje.

* Gjyqtari Andi Koçi tenton të ecë “indietro” gjatë një aksioni dhe përplaset fort me Merlim. Përfundon pa lëndime për asnjërin, por me një aksion të rrezikshëm të ndërprerë për Skënderbeun.

* Turistët janë kthyer në një dukuri normale tashmë në stadiumet e kryeqytetit. Duket sikur tifozët e skuadrave po zëvendësohen nga të huajt kuriozë për të përjetuar nga afër futbollin tonë. Disa prej tyre, në dukje si britanikë, të vendosur pranë sektorit të gazetarëve, janë më të zjarrtët në stadium. Një numër prej 10 tifozësh me kalimin e minutave, por edhe birrave, kundërshtojnë vazhdimisht vendimet e arbitrit Koçi, sidomos pas një faulli të pa dhënë ndaj Xhantu në pjesën e parë. Në fund ata festojnë pa u ndalur golin e Mensah dhe brohorasin emrin e ekipit të kuq. Ndeshja mbaron dhe të gjithë largohen, përveç këtyre tifozëve, që qëndrojnë në stadium dhe ndjekin me të njëjtin entuziazëm edhe stërvitjen e moshave të Partizanit.

* Një nga kameramanët e transmetuesit televiziv sheh t’i shkojë një top pranë dhe me një finte plot klas i ndërron udhë drejt personave që mbanin topat.

* Bëhet gjithçka gati për nisjen e pjesës së dytë, por në fund gjyqtari Koçi vë re se mungon topi. E korrigjon me shpejtësi mbrojtësi i Partizanit, David Atanaskoski.

* Ndihmëstrajneri Rendaldo Kalari qëndron në tribunën kryesore për të vrojtuar lojën nga lart dhe komunikon me radio me pjesën tjetër të stafit, të vendosur në pankinë. Ai mundohet të evidentojë defektet që nuk duken me pamjen nga poshtë.

* Mba ngatërrohet në një moment kur Partizani kryen tre zëvendësime. Ai mendon se do të duhet të lërë fushën e lojës dhe afrohet te vija anësore. Më pas kupton se nuk është mes zëvendësimeve dhe kthehet mjaft konfuz.

* Mensah shënon një gol të rëndë për Partizanin në minutat e fundit, por zgjedh të mos festojë në respekt të sezoneve të kaluara në Korçë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura