Pianoja e Tefta Tashkos ekspozohet në Muzeun Kombëtar

Apr 24, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Tastet e saj janë zverdhur nga koha. Sa e sa duar janë ushtruar mbi të. Motivet në formë harpe janë gërvishtur dhe mbuluar me pluhur, por jo historia e saj. Pianoja e sopranos Tefta Tashko tashmë ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Mes objekteve luftarake, dëshmive arkeologjike, etnografike e mijëra artefakteve, tashmë do të jetë edhe një piano.

 

pianoja e tefta tashkos

Pas negociatave me Ministrinë e Arsimit, instrumenti muzikor, i cili gjendej prej vitesh në Liceun Artistik, tashmë do të jetë dëshmi e jetës kulturore dhe artistike shqiptare. Ky instrument mendohet të jetë blerë nga sopranoja Tefta Tashko Koço dhe bashkëshorti i saj në vitin 1942, në Itali. Sopranoja, e cila, fatkeqësisht, u nda nga jeta në një moshë fare të re nga një sëmundje e pashërueshme, e përdori fare pak pianon. Prej vitit 1953, ajo ka qëndruar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të mësuar në të breza të tërë pianistësh.

Ajo heshti në vitet ’90, kur nuk mund të ishte më funksionale, duke u lënë në harresë për vite të tëra. Tanimë ajo është pjesë e MHK-së dhe mësohet se do t’i nënshtrohet restaurimit, për të ardhur në parametrat e duhur muzeal. Ekspozimi i këtij objekti vjen si një homazh për artisten e madhe që do të thyente tabutë e kohës, në një vend ende feudal e ku femrat e shkolluara dhe intelektuale numëroheshin me gishtat e duarve.

Një zë i bukur, që solli në Shqipëri jo vetëm kulturën perëndimore, ariet më të bukura të repertorit operistik botëror, por që ngriti në një nivel më të lartë këngën qytetare korçare. Po ashtu, kjo piano është një dëshmi e jetës kulturore në Shqipëri në vitet ’40.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura