Pezullimi i Hoxhës, rrëzohet kërkesa e dytë e Prokurorisë

Sep 30, 2011 | 11:50
SHPËRNDAJE
Kreu i Policisë bashkiake, Florenc Hoxha

Gjykata e Tiranës rrëzoi dje një kërkesë të Prokurorisë, e dyta brenda pak ditëve, për pezullimin nga detyra të kreut të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Kërkesa e organit të akuzës për pezullimin nga detyra të kryeinspektorit Hoxha, u vlerësua nga trupa gjykuese si e pabazuar në ligj dhe në prova. Kërkesa kundër kreut të Policisë Bashkiake ka ardhur pas një kallëzimi në emër të tij nga qytetari S. D., pak ditë më parë. S.D. ka pretenduar në Prokurori se i është prishur një ndërtim nga ana e Policisë Bashkiake, për të cilin ai zotëronte leje. Sipas burimeve pranë Gjykatës, u mësua se gjatë seancës është sqaruar se për ndërtimin në fjalë pronari ka pasur vetëm një vendim gjyqësor “sigurim padie”, por që nuk ishte i formës së prerë. Pas përfundimit të seancës, kreu i Policisë Bashkiake u shpreh se struktura që ai drejtonte udhëhiqej vetëm nga parimet e shtetit ligjor. “Shteti ligjor, janë të vetmet parime të punës që udhëheqin Policinë Bashkiake në zbatimin e detyrës”, tha ai, teksa doli nga Gjykata. Ndërsa mbrojtësi i tij ligjor u shpreh se “kërkesa ishte e pabazuar në ligj dhe e pambështetur në prova”. Seanca e djeshme shënoi rastin e dytë ku Florenc Hoxha përballet me një kërkesë të organit të akuzës për pezullimin e tij nga funksioni i drejtuesit të Policisë Bashkiake. Më 22 shtator, një trupë gjykuese rrëzoi si të pabazuar në ligj dhe në prova një kërkesë të Prokurorisë për pezullimin e tij nga detyra. Kërkesa e atëhershme u bë për shkak të një hetimi nisur ndaj tij për akuzat e  “kanosjes për shkak detyre”, “shtrëngim për moskallëzim” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Më herët, ai ishte kallëzuar nga dy ish-inspektore të sektorit të tatimeve në Bashki se kishte ushtruar dhunë ndaj tyre, si edhe i kishte kanosur.

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura