Petri Bozo: Bukuria femërore dhe imazhi i femrës që shet, ja si i shoh unë

Jun 26, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE


Për të vitet janë thjesht lojë e kohës, pasi ai kohën mund ta përdorë vetëm për show. Regjisori Petri Bozo, pasi ka festuar 50-vjetorin, flet për jetën e tij mes miss-esh dhe spektaklesh. I duhet të shtrydhë kujtesën për të sjellë në mendje qindra imazhe të bukura femërore, shumë prej të cilave janë tashmë pjesë e botës së televizionit. Për veten, rezistencën e bukurisë origjinale përballë asaj të bisturisë, klipeve me fabul përkundër “ahengjeve” muzikore, Bozo na rrëfen në këtë intervistë për “Panorama”.  

Sapo ke mbyllur aventurën “Netët e Klipit” me një gala çmimesh në Ulqin. Si shkoi kjo natë jashtë kufirit?
Ishtë me të vërtetë aventurë, pasi vendosëm ta organizonim në Qendrën kulturore të Ulqinit natën gala të ndarjes së çmimeve, nisur nga ndikimi në turizmin e qytetit vitin e kaluar me organizimin e “Miss Shqipëria”. Këtë edicion ishin në garë 48 klipe, ndërsa juria shpalli fitues Neki Emrën, i cili arriti të rrëmbejë çmimin e publikut dhe çmimin e madh të festivalit.

Çdo garë mbyllet me kontestime nga artistët e pakënaqur. Ti si përballesh me ta?
Unë gjithmonë ua kam besuar gjykimin e klipeve në vite regjisorëve profesionistë të ish-Kinostudios, të cilët njohin një prodhim video në çdo detaj. Zakonisht ka fituar klipi me fabul dhë mesazh, si kënga e fundit që i dedikohej ndryshimit që i ndodh një gruaje shtatzënë. Më vjen mirë që kjo këngë u pëlqye unanimisht edhe nga publiku edhe nga juria, që do të thotë se ka qenë e duhura për fitore. Gjithsesi, dua të veçoj se në gjithë eksperiencën time me “Netët e klipit” nuk kam pasur kontestime, që do të thotë se gjykimi ka qenë profesionial.  

Ti thua klipe me fabul, por sot shohim që tregu është pushtuar nga klipe komerciale me femra që ekspozojnë hiret. Si regjisor ç’mund të thuash për këtë fenomen?
Dihet që femra shet dhe nuk shoh asgjë të keqe që ato të dominojnë në imazhet e klipeve muzikore. Shohim që këngëtarët e mirë të “live”-it kanë më pak klipe në karrirën e tyre, sesa performuesit, ndaj unë personalisht e shoh këtë si një mënyrë për t’u plotësuar. Qëndrimin tim profesional e kam dhënë me këtë festival, që evidenton vlerën e një klipi me ide, skenar dhe fabul.

Nga muzika kalojmë te miss-et. Sa i kënaqur je me të bukurat e këtij edicioni të “Miss Shqipëria” dhe sa publik do arrish të mbledhësh në Voskopojë më 5 korrik?   
Janë 31 vajza që konkurrojnë për kupën e edicionit të 17-të, në natën finale që do të mbahet më 5 korrik, në Voskopojë. E kemi cilësuar ekipin kombëtar të miss-eve pasi marrin pjesë 31 garuese dhe janë vërtet interesante. Ka shumë vajza që vijnë nga jashtë dhe nga e gjithë Shqipëria, deri nga Hasi. Spektakli do të moderohet nga Enkel Demi dhe Zamira Kita. Do ta quaja aventurë të çmendur të ngritjes së një skene në relievin e thepisur të Voskopojës, por që pavarësisht nga kjo, do të arrijë të mbledhë atje 3 mijë veta publik.    

Si organizohet një audicion missesh, çfarë kriteresh merrni ju parasysh?

Është mjaft interesant një audicion i tillë. Përveç kritereve të bukurisë, vajzat iu përgjigjën 18 pyetjeve, që lidhen me zbërthimin e botës së tyre, formimit, marrëdhënies me familjen, shoqërinë dhe formimin e tyre kulturor. Sigurisht që primare janë njohja e gjuhëve të huaja, pa të cilat s’kanë ku shkojnë sot, pasi eventet tona kanë destinacione ndërkombëtare.

Gjithë jetën që përzgjedh miss-e, kështu që ke një sy të stërvitur për të dalluar të bukurën me një të parë. Si duhet të jetë perfektja?  
Në fakt, bukuria nuk është absolute, por relative. Dikush për dikë mund të duket e bukur, për dikë tjetër e shëmtuar. Por mendoj që për të zgjedhur një miss janë kryesore parametrat botërorë për sa i përket shtatlartësisë, që s’duhet të jetë poshtë 1.70 m, përmasat 90-60-90, dhe një portret fotozhenik. Por s’mund të bëj përshkrim preciz, pasi për mua ka të bukura mes bruneve dhe mes biondeve.

Vajzat shqiptare dallojnë vërtet për bukurinë e tyre apo kjo është legjendë? Si organizator i “Miss Globe”, femrat e cilit vend do të veçoje?

Shqipëria dallohet për ekstremitete në bukuri, nisur nga fakti që kemi qenë vend i pushtuar nga të huajt, kështu që janë mbivendosur racat. Këtu sheh bionde si gjermane dhe brune si turke… Kjo ndërthurje gjenesh është interesante. Për sa i përket bukurisë botërore, veçoj ruset, lituanet, latinet etj., pa lënë mënjanë bukuritë mesdhetare, si italianet e Jugut për shembull.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura