Peshku i ngordhur vërshon në det, komuna e Mjedisi padi në polici

May 31, 2012 | 13:28
SHPËRNDAJE
Peshku i ngordhur në sipërfaqe të ujit

FIER – Policia e Fierit është vënë në lëvizje për të identifikuar autorët që hodhën lëndë helmuese në ujërat e kanaleve të Pojanit dhe Vijës së Ngjalës, pas denoncimit të kryer nga komuna, si dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit. Dy institucionet vendore kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi situata është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues deri edhe në masakër ekologjike. Burime nga komuna Dërmenas bënë të ditur se kanë depozituar një kallëzim në Policinë e Fierit, nga ku kërkojnë kapjen e autorëve që kanë hedhur në mënyrë të papërgjegjshme pesticid bujqësor, që dyshohet të jetë i llojit “Teodan”. Dy ditë pas helmimit të peshkut në ujërat në grykëderdhje të Semanit, situata dje paraqitej mjaft shqetësuese. Temperaturat e larta të këtyre dy ditëve kanë qelbur tonelata të tëra me peshk, duke përhapur një erë të rëndë thuajse për të gjithë zonën. Alarmin e kanë dhënë edhe specialistë të higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, të cilët inspektuan zonën që në orët e para të mëngjesit. Sipas tyre, gjendja është e rëndë jo vetëm për rrezikun e epidemive për banorët, por edhe për faktin se peshku i qelbur po vërshon drejt detit Adriatik. Kjo gjë sipas specialistëve të higjienës do të rrezikonte edhe sezonin veror. “Që prej dy ditësh, tonelata me peshk kanë ngordhur në ujërat e kanaleve të Pojanit dhe Vijës së Ngjalës, 1 kilometër larg bregut të detit. Peshku po shkon në det. Kemi kërkuar ndërhyrje urgjente në këtë zonë, pasi era dhe ajri i ndotur po mbysin banorët dhe i rrezikojnë nga ndonjë epidemi e mundshme. Nëse nuk hiqet i gjithë peshku që ka ngordhur dy ditë më parë, atëherë edhe deti rrezikon të pushtohet nga kjo masakër”, u shpreh specialisti i higjienës, Nuredin Kallashi.
Po dje, nga DSHP-ja janë kontrolluar njësitë e tregtimit të peshkut në qytet, ndërsa janë marrë kampionë për ekzaminime.
Burime të pakonfirmuara thanë se ka dyshime që peshku mund të jenë shitur pasditen e ngjarjes në Ballsh, por nuk ka pasur të paraqitur në spital që ta vërtetojnë këtë.   m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura