Përvjetori i 15-të i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Berisha: Ishim opozita e parë që e kërkuam, i dha vendit reputacion të mirë në qarqet atlantike

Mar 28, 2024 | 13:36
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhje ‘live’ në një aktivitet dedikuar 15-vjetorit të anëtarësimit në NATO, ku ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë i dha vendit një reputacion të mirë në qarqet atlantike.

Berisha u shpreh se nga të gjitha opozitat e vendeve ish-komuniste, opozita shqiptare ishte e para që do kërkoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ai theksoi më tej se ky qëndrim i opozitës shqiptare, sipas tij i dha Shqipërisë një reputacion të mirë në qarqet atlantike.

“Rënia e Murit të Berlinit solli rënien e diktaturave komuniste në Europë njëra pas tjetrit. E fundit ra në Shqipëri diktatura komuniste. Por duhet të theksojmë se nga të gjitha opozitat e vendeve ish-komuniste, do të ishte opozita shqiptare e para, ajo që do kërkonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Kjo, ndoshta sepse opozitat e vendeve të tjera, përsëri ndjenin frikën e Rusisë dhe shpallën si kërkesë të tyre asaj kohe, neutralitetin apo botën pa blloqe, gjë që përbënte një gabim, sepse ishte një reminishencë e diplomacisë para rënies së Murit të Berlinit.

Kjo kishte ndikim në psikologjinë e përgjithshme, por kjo nuk ndodhi me opozitën shqiptare. Sapo u ngrit në këmbë, sapo u themelua, PD shpalli se anëtarësimi në NATO do të ishte objektivi i saj i paqëndrueshëm. Mendoj se ky qëndrim paksa i veçantë, i dha Shqipërisë të paktën një reputacion të mirë në qarqet atlantike”, tha Berisha.

Ish-kryeministri ka deklaruar më tej, se anëtarësimi ishte një mrekulli dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare.

Pjesë nga fjala e tij: Sot ne nderojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e cila në fakt është dhe mrekullia më e madhe e lirisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar, nga shpallja e pavarësisë gjer sot. Më 1 prill të vitit 2009, Aleanca e Atlantikut të Veriut, vendosi të pranojë Shqipërinë, ish-vendin me propagandën më armiqësore ndaj saj për 46 vite, si anëtare të plotë të kësaj organizate.

Në 46 vite diktaturë të egër staliniste, Shqipëria ishte jo vetëm vendi me propagandën më armiqësore, por ishte edhe vendi që zhvillonte betejat imagjinare më të shpeshta, me koston më të lartë kundër agresionit imagjinar të NATO-s.

Miqtë e mi, kjo ishte mrekullia më e madhe e lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe për kombet e tjera, por për ne mendoj se më shumë se për çdo komb dhe vend tjetër. NATO si sistem i sigurisë kolektive, ishte mburoja, mbrojtja më vendimtare, më e fuqishme për një vend që për shkak të pozicionit të vet gjeografik, kishte njohur pushtimet më të shumta dhe më të egra.

Mjafton të rikujtoj këtu që pushtimi i fundit i saj, në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishte një pushtim ta themi, i paregjistruar, në kuptimin që përveç gazetarëve dhe gazetave, duhet të pranojmë, ai akt agresioni i përcoll me indiferencë të plotë nga qeveritë e kohërave. Për ne, anëtarësimi ishte një mrekulli gjithashtu, sepse 5 shekuj në një perandori lindore, të themi, nuk është se nuk patën ndikuar dhe nuk ndikuan në identitetin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura