Përtej politikës

Dec 17, 2017 | 12:21
SHPËRNDAJE

zef preciZEF PREÇI

Zakonisht, kur dikush merr në dorë penën të komentojë një libër të porsadalë nga shtypi, punën e tij e fillon me ripërsëritjen e informacionit mbi autorin dhe titullin duke u ndalur, gjithashtu, edhe në një përmbledhje të shkurtër të përmbajtjes së librit, qëllimit të publikimit të tij, audiencës së cilës i drejtohet libri, etj.

Në fakt, në këtë koment, unë nuk marr përsipër të bëj recensentin e librit, por do të them disa fjalë për autoren e librit të titulluar, “Në opinionin tim… (Vëzhgime mbi çështje të sigurisë Europiane, tregtisë ndërkombëtarë dhe Ballkanit Perëndimor)”, znj. Valbona Zeneli.

Edhe pse i bazuar në një numër shkrimesh të zgjedhura të autores, botuar gjatë 15 viteve të fundit dhe në revista ndërkombëtarë, institucione studimore, gazeta, etj., nga më prestigjiozet në botën e sotme, të tilla si: “The Diplomat”, “The Globalist”, “The National Interest”, “Atlantic community”, “The Japan Times”, “Guardian Sri Lanka”, “Affari internacionali”, etj., – sjellja e tyre në shqip në një përmbledhje të vetme, ngjan si një rrugëtim i formimit të autores si ekonomiste që njeh mirë ekonominë kombëtarë të Shqipërie dhe zhvillimet në ekonominë globale, si studiuese me formim solid mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në të dyja brigjet e Atlantikut, por edhe si vëzhguese e mprehtë e zhvillimeve institucionale, politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor me ulje-ngritjet e këtij rajoni në procesin e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

E nuk mund të jetë ndryshe, kur bëhet fjalë për një studente të shkëlqyer në Universitetin e Bolonjës, studiuese pasionante që ka shkëlqyer në studimet pasuniversitare në Georgetown dhe Harward Cennedy School (ShBA) dhe aktualisht profesore e studimeve të sigurisë kombëtare në Qendrën Europiane për Studimet e Sigurisë George C. Marshall, të njohur si një instrument i bashkëpunimit Germano-Amerikan.

Pa dashur të ndalem në përmbajtjen e shkrimeve problemore, analizave të thelluara, artikujve për situata të caktuara, studimeve të argumentuara, reflektimeve të paanshme dhe opinioneve thellë- sisht profesionale që jepen në këtë punim, shpreh bindjen se sjellja në shqip e tyre, është një kontribut modest i autores për universitetet, studiuesit dhe opinionin publik të këtushëm për ta parë botën nën një optikë më profesionale dhe më gjakftohtë, në të cilën vendi ynë është një pjesëz e së tërës dhe për të kapërcyer disi edhe sensin e tepruar të vetëkriticizmit apo të megalomanisë Ballkanike, nën të cilat luhatet shpesh mendimi ekonomik e politik i Shqipërisë së sotme.

Në këtë këndvështrim, ky punim shërben edhe si model, përmes së cilit, veçanërisht studiuesit, duhet të mësojnë që analizat, vlerësimet, opinionet, etj., janë të dobishme për shoqërinë kur autori i tyre kapërcen vetveten, motivohet nga interesat publike e kombëtare dhe mbështetet qartësisht mbi argumente profesionale shkencore.

Nga pikëpamja e analizës, sidomos të aspekteve të tregtisë ndërkombëtare, mendoj se mbi bazën e njohurive shkencore bashkëkohore, Valbona ia ka arritur që të pasqyrojë drejt dhe qartë trendet e globalizimit të sotëm dhe problemet specifike të rajoneve të ndryshme të botës, duke shërbyer kështu si një burim serioz dhe i besueshëm në shkrimet dhe analizat e saj për të gjithë lexuesit e interesuar.

Së fundmi, lexuesit të përmbledhjes “Në opinionin tim…” të Valbona Zenelit, nuk mund të mos i bjerë në sy edhe stili i saj gjuhësor i pasur dhe aspak monoton. Përkundrazi, teksti sado i gjatë që të jetë, ai në shkrimë të ndryshme, ngjall te lexuesi vazhdimisht kuriozitet, e cila bëhet e mundur me anën e formulimeve të thjeshta gjuhësore, por me përmbajtje dhe të sakta nga pikëpamja profesionale dhe e analizës.

Sapo mbaron së lexuari përmbledhjen e sapobotuar të Valbona Zenelit dhe në materialin e pasur të renditur me kujdes prej saj, nuk mund të mos ndiesh respekt dhe vlerësim për një brez të ri ekonomistësh dhe studiuesish, së cilit ajo i përket, të rritur dhe të edukuar në periudhën mbas vitit 1990, që me arritjet e veta profesionale dhe shkencore gradualisht po i kontribuojnë kapërcimit edhe “de facto” të asaj që rëndom njihet si “periudha e tranzicionit” dhe futjes së vendit tonë në binaret e zhvillimit normal demokratik, institucional, ekonomik e shoqëror në një Europë të bashkuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura