Personat me aftësi të kufizuara, 2 muaj pa pagesa

Aug 31, 2013 | 13:15
SHPËRNDAJE

TIRANE – Personat me aftësi të kufizuara prej dy muajsh nuk marrin pagesat mujore. Pas një sërë ankesash ata i janë drejtuar për ndihmë Avokatit të Popullit. Në një konferencë për shtyp dje, Avokati i Popullit i kërkoi Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Financave të realizojnë menjëherë delegimin dhe çeljen e fondeve për pagesën e personave me aftësi të kufizuara. “I tërheqim vëmendjen në mënyrë publike Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe Ministrisë së Financave për të realizuar menjëherë dërgimin dhe çeljen e fondeve për këto pagesa. Personat me aftësi të kufizuara dhe të drejtat e tyre përbëjnë një nga misionet më të rëndësishme të institucionit të Avokatit të Popullit”, tha komisioneri Arben Shkëmbi. Sipas tij, ata janë pjesë e rekomandimit të 11-të të përcaktuar nga BE për Shqipërinë dhe në këtë kontekst jo vetëm zhvillimet e legjislacionit dhe politikat për personat me aftësi të kufizuara, si dhe zbatimi i tyre kanë qenë objekt i diskutimeve, vlerësimeve dhe rekomandimeve të institucionit tonë. Në vijim Avokati i Popullit ngriti shqetësimin se personat me aftësi të kufizuara mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare, duke iu mohuar aksesi në shërbime. Në këto kushte, sipas Avokatit, të gjitha strukturat shtetërore duhet të angazhohen maksimalisht e të kenë prioritet çështjen e personave me aftësi të kufizuara, duke u siguruar kështu të drejta të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë. Vetë personat me aftësi të kufizuara kanë paralajmëruar protesta në të gjithë vendin në rast se nuk merren menjëherë masa për dhënien e pagesave, mjet i vetëm i jetesës për këto kategori.

Borxhi ndaj CEZ, 50 jetimë mbeten pa drita e ujë
Rreth 50 jetimë të strehuar nga Ministria e Çështjeve Sociale në Qendrën e Formimit Profesional Nr. 4 kanë mbetur prej tri javësh pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm. Për shkak të borxhit të krijuar prej vitesh ndaj kompanisë “CEZ”, kjo e fundit ka vendosur të ndërpresë energjinë elektrikë. Me gjithë ankesat e komunitetit, nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Punës. Personat që gëzojnë statusin e jetimit përfitojnë kujdes nga shteti deri në moshën 18-20 vjeç. Pas kësaj moshe ata duhet të strehohen dhe punësohen nga shteti. Por në mungesë të plotësimit të këtyre detyrimeve, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale i ka sistemuar këta persona në Qendrën e Formimit Profesional Nr. 4 në Tiranë. Ministria e Punës nuk i është përgjigjur kompanisë “CEZ” në shlyerjen e detyrimeve për institucionin në varësi të saj, duke krijuar një debi prej vitesh. Ndaj kjo e fundit ka prerë energjinë elektrike dhe rrjedhimisht në këtë godinë mungon edhe uji i pijshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura