Përse oshtijnë malet e Hosseinit?

Jul 31, 2013 | 12:45
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

  Shumë vendime në jetë i kemi dhuratë nga të tjerët. Janë marrë pa qenë ne aty pa mundur të flasim, pa qenë të aftë t’i kuptojmë. E megjithatë, ne jemi pjesë e lumit të nisur kohë më parë, me përpjekjet tona për t’i ndryshuar rrjedhë, pa ditur se “shenjat nga do kalojë lumi” janë vendosur më parë. E megjithatë, nën pasurinë më të madhe të njeriut – kurajën për të ndryshuar – ne vijojmë të bëjmë përpjekjen tonë. Si përfundim, ne vendosim më shumë sërish për të tjerët sesa për veten. Deri atëherë kur na duhet të pyesim veten me zë të lartë: “Nga vijmë? Kujt gjuhe të brendshme i përkasim? Ku duhet të ndalim? Kë nuk duhet të shmangim për të kuptuar se cilët jemi?”.
Përballë këtyre pyetjeve, “Malet e Khaled Hosseinit oshtinë”, si për të kërkuar nga gjithsecili prej nesh përgjigje. Një përgjigje që mund të vijë në gjuhë të njëjtë edhe pse mund të flitet në Paris, SHBA, Kabul, Greqi, Pakistan apo gjetkë. Është një sprovë e Hosseinit për të shpjeguar gjuhën universale të njeriut në dashuri e urrejtje, një gjuhë që nuk ka kufij fonetikë, por vetëm shpirtërorë.
Hossein, si një rreth që ka në të njëjtin vend pikën zero dhe fundin, kërkon të kthejë njeriun tek ajo që i takon, që e ka pasur pa e ditur, që ka bashkudhëtuar për t’i dhënë emër. Derisa lexon të vërtetën për veten, si pika që na bën njëkohësisht të sapolindur dhe në prag të shtegtimit për në botën tjetër. Veçse me fat janë ata që e takojnë pjesën e vet, që në fund të udhëtimit munden të njohin pjesët e vetvetes, si një domosdoshmëri për t’i bërë malet të heshtin. Ndryshe, për aq kohë sa udhëtimi vijon drejt vetes pa mundur ta arrijë, ato male oshtijnë – një oshtimë që dëgjohet nga Shadbagu i paekzistueshëm, por që me hijen e madhe që “mbulon Kabulin” e deri në metropolet e botës, Paris, San Francisko e Madrid.
Në ndarje pa fjalë dhe një bashkim pa fjalë japin hapësirën e pathënë mes njerëzve. Një hapësirë që kërkon fjalën tonë, që ta themi, që duhet ta themi, nëse vendosim të shërojmë veten dhe ata që duam. E tillë është historia e Abdullait dhe Pahrit, si dy pika të një rrethi, fillim-fund, që nis me parantezën e një përralle mahnitëse – pa sakrificë nuk ka dashuri për tjetrin. Duhet gjithnjë të sakrifikojmë brenda vetes diçka për të dashur të mirën e dikujt. Një vendim jo fort i lehtë, sidomos kur ka të bëjë me të afërmit tanë, gjakun tonë. Por kjo është edhe forca e madhe e njeriut – të dojë të mirën e dikujt edhe duke sakrifikuar nga vetvetja.
Nuk është një roman në vazhdën e dy romaneve të para, si “Gjuetari i balonave” apo “Një mijë diej vezullues” që i zbuluan botës Kabulin, jetën e afganit. Tashmë Hossein e ka nxjerrë afganin e tij jashtë Kabulit dhe ka futur brenda atij qyteti njerëz nga e gjithë bota. Si për të thënë që ata mund të jetojnë në botë e bota mund të jetojë me ta. Sepse më së pari kemi shumë për t’i dhënë njëri-tjetrit. Sepse gjërat ndryshe na pasurojnë, na vënë syzet e jetës, për të parë te tjetri mundësinë për të qenë si ai – madje si tjetri që nuk e kemi menduar apo imagjinuar kurrë.
E megjithatë, të tria romanet e Hosseinit i lidh një fije e hollë, por e rëndësishme për të mbajtur botën gjallë – gjetja e vetvetes te tjetri. Plotësimi i vetes duke dashur dikë tjetër kur ti nuk ke mundur të shpalosësh vetveten për një ose një milion arsye, pak rëndësi ka. Një mesazh që vjen përballë një brezi që po tronditet nga largësitë mes njerëzve edhe pse shihen përditë. Ku indiferenca kanë vënë në pikëpyetje shpalosjen e vetes përmes dashurisë për tjetrin, për njeriun, për atë që mundet të bëjë atë që nuk arrite ti vetë. Sepse fati nuk ishe me ty, nuk të caktoi ty të laheshe në lumin e triumfit. Por nëse ke dashur që dikush të vendosë për ty më të mirën dhe e ke kuptuar rëndësinë e këtij vendimi, a nuk vlen që t’ia kushtosh dikujt që të jep besimin se mund të vazhdojë hapat që beson se do kishe dashur të bëje vetë?
Të dish të duash dikë mbetet arti më i vështirë – por i vetmi art i vërtetë, i vetmi art që mban njeriun në krahun e Njerëzores. Hossein ia ka arritur të radhisë disa rreshta në këtë poezi të rëndësishme të Njeriut për Njeriun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura