Përse duhet lexuar “Republika e parë”

Nov 23, 2022 | 7:39
SHPËRNDAJE

leonidhamertiri1LEONIDHA MËRTIRI

Duke qenë afër Kosovës, si gazetar i organeve të njohura të shtypit të saj, “Rilindja”, “Bujku” apo i radios “Zëri i Amerikës” dhe mediave të tjera prestigjioze, në marrëdhënie të ngushtë me intelektualë të njohur të Prishtinës, dëshmitar aktiv i historisë politike të kësaj dekade (1989-1999), Mero Baze nuk mund të rrinte pa shkruar “Republikën e Parë”, për atë Republikë me vlera të jashtëzakonshme, duke qenë sa i preokupuar dhe i përkushtuar prej vitesh.

Është fjala për atë Republikë që i dha frymë Ibrahim Rugova dhe qeveria e Bujar Bukoshit në ato dhjetë vite, së toku me intelektualë e patriotë të devotshëm dhe që autori e ngërthen besnikërisht në këtë libër të shumëpritur për lexuesit. Republika e Parë bëhej kështu një përfaqësuese e denjë politike e shqiptarëve në kushte tepër të vështira të okupimit serb, ardhja e saj do të ndikonte ndërkohë në atë që, kancelaritë perëndimore të kishin qasje tjetër, më të afërt e më të ndërgjegjshme për të parë syçelë rezistencën paqësore, të mbijetuarit e popullit shqiptar përballë mizorive, tmerreve të njohura serbe. Kërkoheshin sakrifica të mëdha.

Shqiptarët, nga ana e tyre, kishin aq shumë nevojë për një shtet të tyre. Pavarësisht se ky ishte i vetëshpallur dhe të tjerët nuk e njihnin atë. Skena ndërkombëtare, megjithatë, dinte për këtë Republikë dhe më shumë për Kosovën. Ibrahim Rugova, por dhe Bujar Bukoshi, pranoheshin tani dhe dëgjoheshin nga liderët më të rëndësishëm të botës. Është koha kur Kosovës iu mor dhe ajo autonomi që kishte, deri kur Kosova do të fitonte lirinë e shumëëndërruar.

E rëndësishme është se shqiptarët i besuan tërësisht shtetit të tyre, ndaj dhe ata që punonin në emigracion, në vende të ndryshme të Perëndimit, nuk hezituan të grumbullojnë fondet e nevojshme, si kontribut për vëllezërit dhe motrat në Kosovë, për arsimimin, shëndetin, plotësimin e nevojave të tyre më të ngutshme për të jetuar. Sepse këtë Republikë, siç thotë me të drejtë autori i librit, edhe pse pa ushtri, pa territor, pa njohje ndërkombëtare, e mbante në këmbë besimi te liria.

Dëshmitë e Mero Bazes, që në libër zënë vend të merituar, vijnë me shumë natyrshmëri dhe të mbushin me emocione, nxitin dhe të shtojnë dëshirën për të vazhduar me kënaqësi leximin e librit. Duke qenë pranë Konferencës së Rambujesë apo teksa ministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit të Kontaktit dhe atyre të NATO-s diskutojnë për bombardimet e kësaj të fundit ndaj Serbisë pas refuzimit të serbëve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes për Kosovën, së bashku me autorin, përfshihesh dhe ti si lexues, si të jesh i pranishëm në atë kështjellë të famshme ku flitej dhe merreshin vendime të rëndësishme.

Gjithçka te “Republika e Parë” ecën, sikurse vumë në dukje, përkrah dokumenteve me shumë vlerë, origjinale të qeverisë së atëhershme në ekzil, materialeve të arkivave të ndryshme më në zë, të shtypit të huaj, qëmtuar me kujdesin dhe dashurinë e veçantë të autorit, çka pulson ndjeshëm në tetëqind faqet e librit. Vjen kështu realiteti i atyre viteve të vështirë të Kosovës.

Mendoj se libri përfaqëson vlera të larta atdhetare, duke na dhënë një tablo të plotë të atyre dhjetë viteve të Republikës së Parë. Mirëpritja e tij, sikurse e theksoj që në titull, lidhet me nevojën e një libri të tillë, nevojë, e cila ka qenë vazhdimisht e pranishme. E them këtë edhe nga përvoja ime dhe e kolegëve të mi diplomatë, e kërkuar kjo dhe sot, jo vetëm për stafin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por dhe në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore. Dhe jo se nuk është shkruar për atë periudhë. Por kjo ka qenë vetëm përmes shkrimesh të veçanta, të shkëputura, pa tërësinë, plotmërinë e përpjekjeve të mirëfillta, të gjithanshme si kjo vepër për “Republikën e Parë” të Kosovës.

Krahas këtyre dhe vlerave të tjera të dallueshme, stili tashmë i njohur i editorialeve dhe analizave të tjera të Mero Bazes, gjuha e kthjellët, e bëjnë lexuesin të afrohet më shumë me librin dhe të komunikojë lirshëm me të, të rritet në përgjithësi interesi i tij, të kuvendojë lirshëm me ngjarjet e shumta dhe forcën e origjinalitetit të tyre. “Republika e Parë” bëhet ndërkohë jo vetëm një pasuri për bibliotekat tona, por dhe miku i duhur i studentëve, i studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare brenda, por edhe jashtë vendit, i njerëzve të diplomacisë dhe më tej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura