“Përpunohen 3 ton fruta në orë”/Rama në fabrikën e Tamarës: Investime që ndikojnë ndjeshëm në ekonominë lokale

Sep 10, 2020 | 13:25
SHPËRNDAJE

rama krifcaKryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca ishin sot në Tamarë të Malësisë së Madhe, ku panë nga afër një fabrikë për përpunimin e frutave dhe lëngjeve natyrale.

Rama tha se këto investime po ndikojnë ndjeshëm në ekonominë lokale, në punësim e në ekonominë familjare të fermerëve të zonës, që do të kenë një destinacion për të tregtuar frutat e tyre.

“Aty ku programi kombëtar i Rilindjes Urbane ka transformuar rrënjësisht qendrën e zonës, duke e kthyer në një destinacion turistik mes natyrës së mahnitshme, tanimë me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, ka lindur fabrika agropërpunuese e përgatitjes së esencës së frutave dhe prodhimit të lëngjeve natyrale, si një nga plot e plot shembujt e bukur frymëzues të punës në fshat dhe të mbështetjes tonë për njerëzit e punës.

Këta shembuj nuk bëjnë lajm në kanalet e portalet e Tiranës të zëna nga llumi i luftës për pushtet e për para. Por përtej lajmit të munguar, këto investime po ndikojnë ndjeshëm në ekonominë lokale, në punësim e në ekonominë familjare të fermerëve të zonës, që do të kenë një destinacion për të tregtuar frutat e tyre”, shprehet Rama.

Nga ana e saj drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca tha se ky është një investim shumë i domosdoshëm për zonën.

“Është një fabrikë e standardeve evropiane, sa i takon cilësisë së produkteve që do të ofrojë. Jemi entuziast pasi prodhimi i frutave që synohet të përpunohet llogaritet në 3 ton në orë.

Pra është një sasi e madhe që do të çliroje pjesën e grumbullimit. Jemi në një investim që ka shkuar në 2 mln euro. Granti në masën 3 që është masa e përpunimit shkon për 50% të vlerës. Është një investim shumë i domosdoshëm për zonën”, u shpreh Krifca.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura