Përplasja në Elbasan/ I dyshuari refuzon të flasë, gjurmët e gishtave iu gjetën në…

Oct 6, 2017 | 14:11
SHPËRNDAJE

Gjurmët e gishtave në timonin e “Audit” që goditi policinë në Elbasan, një shishe me ujë dhe një puro e fikur, kanë qenë provat kryesore që çuan drejt identifikimit e më pas arrestimit të Enea Bekteshit, si i dyshuar për sulmin te tregu agro-ushqimor.

Burimet thanë se deri tani janë ekzaminuar vetëm gjurmët e gishtave, të cilat përputhen me ato të 31-vjeçarit Bekteshi. Ndërsa pritet edhe ekzaminimi i ADN-së në shishen e ujit dhe në puron që u gjet në makinë.

elbasan-perplasja

Pavarësisht se dëshmitarët nuk kanë arritur ta fiksojnë personin që drejtonte makinën e blinduar që goditi mjetin e zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit, tashmë provat shkencore e bëjnë atë përgjegjës direkt të këtij sulmi.

“Drejtuesi i mjetit, me sa vura re, ishte rreth 35-40 vjeç, me fytyrë të mbushur dhe me kapelë të rrumbullakët. Tjetër gjë s’kam mundur të fiksoj, pasi mjeti lëvizte me shpejtësi”, ka deklaruar zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

DËSHMIA

Enea Bekteshi, i arrestuar pasditen e së mërkurës, dyshohet të jetë personi që dyshohet se drejtonte “Audin” e blinduar që goditi makinën e zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit, në incidentin e 18 shtatorit. Bekteshi u arrestua gjatë një operacioni të Forcave Operacionale, në banesën e kunatit të tij, Aleks Pupuleku, në Cërrik. Pasi është transportuar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ai është marrë në pyetje paraprakisht nga oficerët e Policisë Gjyqësore, por ka refuzuar të japë shpjegime për ngjarjen.

Bekteshi ka thënë se do flasë vetëm në prezencën e avokatit. Por edhe dje, gjatë pyetjes nga prokurori, në prezencën e avokatit të tij, 31-vjeçari nuk ka dëshmuar asgjë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se do të flasë në një moment të dytë.

elbasan

Gjatë operacionit për arrestimin e Enea Bekteshit, policia arrestoi edhe kunatin e tij, Aleks Pupuleku, 40 vjeç, banues në Cërrik. Ky i fundit u prangos për mbajtje pa leje të një arme të ftohtë. Ndërsa gjatë deklarimeve është shprehur se nuk kishte dijeni që Bekteshi, i cili strehohej në banesën e tij, ishte person në kërkim.

Apeli i Krimeve të Rënda lë në burg rojën e shoqëruesin e “Range Rover”-it

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë së Shkallës së Parë për tre të ndaluarit e ngjarjeve në Elbasan, ku një “Audi” i zi dhe i blinduar goditi mjetin e zv.drejtorit të Policisë atje, Gjergji Oshafi. Bëhet fjalë për Klemend Xhaferrin, Valmir Dedjën dhe Ledio Zabelin. Ata u arrestuan nga Policia e Elbasanit, mirëpo i pari u la në arrest shtëpie, ndërsa Zabeli me Dedjën në burg pa afat.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Policia fillimisht ka ndaluar mjetin tip “Range Rover” që drejtohej nga Xhaferri. Në të u gjetën 100 mijë euro, por Zabeli, që udhëtonte me Xhaferrin, kundërshtoi forcat e rendit për shoqërimin e mjetit. Në atë moment ka mbërritur edhe “Audi” i blinduar që ka goditur mjetin e Policisë dhe më pas ka hyrë në tregun ushqimor, ku roje ishte Valmir Dedja.

Ky i fundit ka refuzuar t’ua hapë portën uniformave blu. Kështu, Zabeli dhe Dedja u arrestuan për kundërshtim të forcave të rendit, ndërsa Xhaferri për armëmbajtje pa leje, pasi në shtëpi iu gjet një armë sportive. Gjykata e cilësoi si të paligjshëm arrestimin e Xhaferrit, i cili rezulton i dënuar për vrasje dhe me një identitet tjetër. Po ashtu, të dyja automjetet rezultonin se ishin nën pronësi të biznesmenit Petrit Çela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura