Përmbytjet, kapak i artë politik apo zbulim i kapakut të paudhësive

Dec 6, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

mentor nazarkoMENTOR NAZARKO

Përmbytjet e fundit në Shqipëri janë kryelajm  jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë. Një ngjarje e tillë, që jep ndjesinë e një kataklizme të fundit të botës, nuk ka se si të mos cytë një vramendje për sistemin politik e ekonomik që është krijuar tash e mbi dy dekada të jetës në demokraci. Për aftësitë e këtij sistemi për t’u përballur me natyrën, për të ndërtuar në mënyrë jetëgjatë dhe në harmoni me natyrën, apo për të ndaluar prirjet e egra për ta prishur këtë harmoni.

Dhe një pyetje që ka ngacmuar ndërgjegjen kolektive është krahasimi mes ndërtimeve të kohës së diktaturës, mbretërisë, e madje edhe atyre të kohës së pushtimit osman, me cilësinë e ngrehinave të sotme, një pjesë e të cilave nuk e përballuan dot furinë zemërake të natyrës. Pra, përmbytjet u bënë shkas i një vramendjeje të thelluar për krahasimin e ndërtimeve ndër vite, nga sistemi në sistem, nga qeveria në qeveri. Por jo vetëm kaq.

Dhe një rast i tillë, siç ishte kjo fatkeqësi e papritur, po sprovon aftësitë e sistemit aktual politik për të trajtuar gjendjen në vend, për të frenuar dëmet e mëtejme, por edhe për të minimizuar pasojat e përmbytjeve të ardhshme. Përmbytjet po e vënë në sprovë edhe aftësinë e shtetit për të urëzuar lidhje me shtetet përqark, siç ishte thirrja për ndihmë nga Kosova, por edhe për të aktivizuar nivelet e fundme të qeverisjes: bashkitë, komunat e njësitë më të vogla vetëqeverisëse, madje edhe nëse qeveria është në gjendje të tejkalojë mëritë me opozitën.

PËRMBYTJA PO SHPËRFAQ NJËLLOJ DETANTE QEVERI-OPOZITË

Sado që qyteti dixhital po zëron pambarimisht ankesa nga mikrokozmosi i jetës sociale nga të gjitha skajet e humbëtirat e vendit, të lagura dhe të thata, duket sikur ka një- farë mirëkuptimi të heshtur mes pozitës dhe opozitës. Kjo shembullohet me faktin se ka një armëpushim sa u përket akuzave të ndërsjella, por edhe temave që kanë elektrizuar të dyja kampet shemra: prej çështjes së pagesës së paligjshme për një kompani lobimi të PDsë e deri te zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Apo mundësia e largimit të kreut të KQZ-së.

Rama falënderon Bashën, Xhaçka, po ashtu. Bashën e presin kryebashkiakët e majtë, krerët e Ushtrisë, Rama del me Mziun e Bashkisë së Kamzës për të vizituar zonat e përmbytura. Edhe Presidenti, që vjen nga LSI, pritet nga të gjitha autoritetet, me prejardhje nga PS, apo jo. Berisha denoncon me qytetarin e palodhur stoik, shekullor dikur gojor, sot dixhital, por ai është qershia mbi tortën e detantës. Me fjalë të tjera, është një situatë ku ka rënie të dukshme të intensitetit të tendosjeve të kahershme partiake.

Pavarësisht nëse kjo bëhet nga motive të çiltërta apo kalkulime të ndërliqshme, një klimë e tillë dosido është një ogur i mirë, aq më tepër që në gjashtë muajt e ardhshëm pritet të hapen bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një ngjarje kjo pivotale në fuqizimin gjeopolitik e gjeostrategjik të shtetit shqiptar. Shqipërisë, në pritje të kësaj ngjarjeje, i duhet qetësi, i duhet kartolinë e mirë politike dhe marrëveshja mes palëve është ajo çka duhet.

Duket se përtej pamjeve të lagura, korridoret e politikës, sallonet e saj po funksionojnë. Kësisoj, përmbytjet e fundit, me gjithë çmimin e rëndë në shkatërrimin e mijëra shtëpive dhe prokopisë së familjeve të tëra, u bënë njëlloj kapaku i artë për t’i dhënë fund një mali skandalesh që tronditën vendin gjatë muajve të fundit.

PËRMBYTJET SHPËRFAQIN SHËRBYESIN SHEMBULLOR TË SHTETIT

Përveç kësaj, përmbytjet ofruan për së afërmi një fotografi mbresëlënëse të qindra e mijëra shërbyesve të zellshëm të shtetit, prej ushtarëve, policëve e deri te zjarrfikësit e elektricistët, që u treguan në lartësinë e detyrës, madje edhe me çmimin e sakrificave, për t’i dalë zot komunitetit në nevojë. Pamjet e një elektricisti të OSHEE-së në Gjirokastër, që bënte ushtrime në litar për të kaluar ujërat e rrezikshme në ndihmë të qytetarëve, u bënë virale, ikonike dhe provokuan simpati të përgjithshme, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim.

Shqiptarët u ndjenë bashkë. Dhe po kaq emocionuese ishte edhe gatishmëria vëllazërore e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të tjera emergjente që vunë në dispozicion të gjitha resurset për t’i dalë në ndihmë popullatës së prekur nga vërshimet.

PËRMBYTJET DHE DILEMA PËR VIZIONIN

Përmbytjet e fundit, në një përsiatje më të thelluar, shtrojnë edhe çështjen e shkurtpamësisë dhe largpamësisë së çdo qeverie shqiptare që gjendet në një situatë të tillë: të ofrojë zgjidhje efemere (prej misionit të shpëtimit me helikopterë e varka apo të shpërndarjes së batanijeve e ushqimeve elementare) apo të ofrojë zgjidhje largvajtëse (me largimin e popullatës nga zonat që rrezikohen nga përmbytjet).

Dhe të ndalë përfundimisht shkatërrimet e shtretërve të lumenjve, shpyllëzimet e egra, etj. Qeveritë e njëpasnjëshme në këto dekada pluralizmi nuk kanë arritur dot të disiplinojnë mënyrën e ndërtimeve dhe kufizimin e atyre individuale, por as në përvijimin e një ekopolitike vizionare, prej pyllëzimit të sipërfaqeve të zhveshura e deri te frenimi i eksploatimit të pashpirt të lumenjve.

Pësimi që duhet të kthehet në mësim doktrinar është se politika duhet të prodhojë realitete të reja institucionale që përballojnë qëndrueshëm situata të tilla, por kjo mund të përftohet vetëm dhe vetëm përmes një konsensusi të përgjithshëm në vend që prodhon ide dhe afatgjatësi. Dhe kjo është pikëlidhja e pamjeve politike dhe jopolitike që shpërfaqen nga skenat e përmbytjes: duhet konsensus për të prodhuar politika afatgjata. Për të ndërtuar më mirë. Paradoksalisht periudhat autoritare, perandorake, kanë prodhuar ndërtime të qëndrueshme. Koha e lirisë, ndërtime të dobëta. Dhe memet në mediat sociale që i krahasojnë janë shumë kuptimplota.

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura