Përmbytjet, banorët e Nënshkodrës në protestë: Të dëmshpërblehemi ose bojkotojmë zgjedhjet. “Puno fatkeq e rruj barkdreq”. Shoqërime në polici (FOTO)

Mar 28, 2015 | 17:39
SHPËRNDAJE

“Puno fatkeq e rruj barkdreq”. Me këtë thirrje, pasi i kishin lënë afat 2-javor qeverisë për një përgjigje në lidhje me dëmshpërblimin e përmbytjeve, banorët e Nënshkodrës i janë rikthyer protestave për herë të tretë. Të përmbyturit gjatë viteve 2010-2011 kanë paralajmëruar se në rast se qeveria nuk u jep atyre përgjigje për kërkesat e tyre do të bojkotojnë zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Banorët në protestë për dëmshpërblimet

Ashtu siç edhe kishin njoftuar, banorët e Nënshkodrës janë mbledhur tek vendi i quajtur “Harku i Bërdicës” dhe për 15 minuta ata kanë bllokuar rrugën nacionale Shkodër-Tiranë.

Banorët  kanë kërkuar plotësimin e kërkesës së tyre për dëmshpërblim, pasi siç u shprehen ata dëmi i shkaktuar në banesa dhe toka bujqësore nga vërshimi i ujrave është i konsiderueshëm, duke riktheksuar edhe një herë faktin se protesta e tyre ka të bëjë me kërkesa ekonomike. 

“Duke shpresuar që qeveria tani ti ‘ketë zgjidhur’ hallet e saj , i bëjmë thirrje që të merret  pak edhe me hallet tona”, thanë  banorët e Nënshkodrës.

“Jemi rreth 13 mijë familje që u dëmtuara nga 5 përmbytje të njëpasnjëshme në vitet 2010-2011. Qeveria na ka borxh paratë që na kanë dëmtuar shtëpitë, pasurinë, të mbjellat etj, ndërkohë që ajo kërkon me na futë në burg  për 20-30 mijë lëkë që i paskemi mbetë borxh nga energjia elektrike. Tani i bëjmë të qartë kryeministrit Rama se nuk ke pse vjen në zgjedhje lokale në zonen e Nënshkodrës”, shprehen banorët.

Gjatë zhvillimit të protestës banorët kanë mbajtur të bllokuar për rreth 15 minuta qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dy anët e rrugës nacionale Shkodër-Tiranë, duke shkaktuar trafik kilometrik në këtë aks. 

Protestuesit bllokuan për 15 minuta autostradën Shkodër-Tiranë

Është dashur ndërhyrja e forcave policore që të bëjë të mundur zhbllokimin e këtij aksi rrugor dhe kthimin në normalitet të lëvizjes së lirë të automjeteve.

Rreth 2 orë pas protestës policia ka shoqëruar disa nga organizatorët e kësaj proteste.

“Ky veprim i policisë është një presion i hapur që atyre po u bëhet për të ndaluar të drejten e tonë të ligjshme  për protesta”, ka deklaruar një nga organizatorët e protestës, Paulin Macajt, pak para shoqërimit në polici. 

Paulin Macaj

Macja pranon se ato kishin marrë leje në polici për të protestuar, por me kushtin që të mos bllokonin rrugën nacionale,

“Nuk ka qeveri as polici në ndonjë vend të botës që të japë leje për bllokim rruge nacionale” , por për këtë veprim të policisë, Macaj akuzon qeverinë dhe kryeministrin  Rama, se po kryen  arrestime politike.

“Po kështu si mua në polici janë thirrur të gjithë kryepleqtë e tre komunave që protestojmë, të Bërdicës, Dajçit dhe Anës së Malit  duke u bërë presione hapur ose fshehtas për të mos dalë në protesta. Kërcënimet janë bërë në forma dhe në mënyra nga më të ndryshmet me qëllim që këtë popull ta mbajnë nën terror si në kohen e Enver Hoxhës

Edhe sikur të më arrestojnë mua, kryeministri nuk mund ta ndalojë popullin  e Nënshkodrës që të protestojë për paret, mundin, gjakun dhe djersen e tij”, ka përfunduar Macaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura