Përkeqësohet situata e infektimeve në shkolla, tek “Emin Duraku” Covid-19 jashtë kontrollit, dy raste të reja te “1 maji”

Oct 20, 2020 | 14:58
SHPËRNDAJE

Covid-19 ka zënë vend thuajse në çdo shkollë të vendit. Ndonëse Ministria e Arsimit nuk ka raportuar asnjë shifër infektimesh që kur hapi klasat, janë mungesat ato që tradhtojnë përpjekjet për të mbajtur sekrete rastet.

7

Në kryeqytet çdo ditë konfirmohen raste të reja, sikundër edhe në rrethe. Puna e autoritete përgjegjëse është fokusuar në provimin e platformës së mësimit online “Akademia.al” dhe dhurimit të tabletave dixhitale, duke i paraprirë kështu krijimit të kushteve për mësim nga shtëpia.

Kryeministri Edi Rama, bashkë me të besuarën e tij për arsimin, ministren Evis Kushi, ishin dje në Lezhë pikërisht për siguruar, veçanërisht nxënësit e klasave kolektive, që e kanë shumë të vështirë ta prekin mësimin në rast se shkollat mbyllen.

“Të gjitha orët mësimore që transmetohen në ‘Rtsh shkolla’ janë edhe në këtë platformë. Nëse ndodh që të ketë infektim me Covid-19 dhe klasa duhet të mbyllet për një kohë të caktuar, nxënësit vazhdojë mësimin në kushte shtëpie dhe nuk e humbasin mësimin për asnjë moment”, nënvizoi ministrja.

Duke falënderuar mësuesit për përpjekjet që po bëjnë nga vija e parë e frontit të punës për të penguar përhapjen e Covid-19, Kryeministri apeloi për respektim të masave për të mos u përballur me një mbyllje të dytë, e cila do të kyçte së pari shkollat.

“Rreziku që po kalojmë nënkupton se mund të na duhet të mbyllemi përsëri. Një mbyllje e dytë do të ishte shumë herë më problem dhe me shumë më tepër pasoja se mbyllja e parë. Në të gjitha aspektet, për të gjitha kategoritë. Këtë mund ta shmangim duke mos shmangur atë që duhet të bëjmë në të përditshmen tonë”.

RASTET

Ka shkuar në 13 numri i personelit të “Edit Durhamit” të cilët janë konfirmuar me koronavirus. Nga 29 mësuesit e izoluar mesjavën që shkoi, kanë dalë pozitivë pesë mësues, duke e çuar në dhjetë numrin e arsimtarëve dhe tre punonjës sanitarë të infektuar brenda një harku të shkurtër kohor.

Pas zgjerimit të vatrës së infeksionit në këtë shkollë, Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar i është dashur të bëjë një reagim përmes të cilit të sigurojë prindërit e nxënësve që frekuentojnë këtë shkollë se ambientet nuk përbëjnë rrezik për përhapjen e infeksionit.

“Procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme. Po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave”.

Sakaq, një tjetër shkollë dyshohet të jetë vatër virusi. Një mësues dhe një nxënës te “1 maji” kanë dalë pozitivë. Burime jozyrtare bëjnë me dije se u bënë disa ditë që kur mësuesi është konfirmuar, e rrjedhimisht, nuk është paraqitur në shkollë.

Sa i takon situatës në rrethe, rrethi i Elbasanit me tri bashkitë e tij, Elbasan, Cërrik dhe Belsh, paraqitet problematik, ku rezultojnë në total 19 mësues e gjashtë nxënës me Covid-19. Disa prej tyre janë vetëkarantinuar prej një jave, ndërsa të tjerë nga e premtja.

Në shkollat e Gjirokastrës një mësues dhe një nxënës i janë shtuar totalit të të infektuarve. Ndërsa në Durrës, në mesin e 39 të infektuarve ditën që shkoi, figurojnë edhe dy nxënës të shkollës 9- vjeçare të Golemit.

Maska, e detyrueshme edhe në rrugë, 2811 gjoba në katër ditë

Rritja e numrit të rasteve të infektimeve këtë të hënë është shoqëruar me rritje të penaliteteve nga Policia.

Në ditën e parë të javës, 701 qytetarë janë gjobitur me tre mijë lekë për shkak se kishin dalë në ambient të hapur, pa maskë, nëntë prej të cilëve janë shoqëruar në komisariate pasi kanë refuzuar të tregonin kartat e identitetit. Numri është sa dyfishi i atyre të një dite më parë, ndërsa në katër ditë totali i gjobave është 2811.

Shifrën e ka bërë publike vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Mbajtja e maskës është sot gjëja më e vogël, por edhe më e madhe që secili mund të bëjë për të frenuar rrezikun e përbashkët që na vjen nga Covid-19. Policia është e detyruar nga ligji, por dhe shumë e motivuar për të kërkuar zbatimin e kërkesës për mbajtjen e maskës. Këtu përfshihet shembulli personal, këshillimi, por dhe gjoba për ata që sillen pa përgjegjësi dhe sfidojnë shoqërinë”.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 564 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Të gjitha këto masa administrative kapin një vlerë të konsiderueshme parash, mbi tetë milionë lekë në arkën e shtetit. Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anti-Covid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.

34 MËSUES DHE TRE NXËNËS të infektuar janë mësuar vetëm një ditë më parë nga burime për mediat, por numri real i infektimeve në shkolla, përfshirë dhe nxënësit, është disa herë më i lartë nga ai i raportuar.

320 TË INFEKTUAR, mësues e nxënës, figurojnë në shkolla sipas përllogaritjeve të informacioneve që ka mbledhur dhe bëri publike dje opozita. Kjo e fundit gjithsesi flet për shifra më të larta se kaq.

RASTEVE, KRIMINALE

Partia Demokratike ka denoncuar dje përpjekjet e qeverisë për të hermetizuar rastet e infektimeve në shkolla dhe mosmarrjen e masave për izolimin e rasteve.

Ish-deputetja, Albana Vokshi, deklaroi se shkollat po shndërrohen në vatra të rrezikshme, në një kohë që nuk kanë kushtet minimale për ta kaluar këtë situatë.

“Nuk është pafytyrësi, është kriminale t’iu fshehësh prindërve situatën e COVID-19 në shkolla. Numri i rasteve të mësuesve dhe të nxënësve të infektuar është në rritje eksponenciale. Qeveria duket se e ka lënë atë në rënie të lirë dhe nuk po merr asnjë masë. Shkollat në 90% të tyre janë pa kushtet minimale higjienosanitare, janë pa ujë, pa sapun, mësuesit janë të lodhur, të rraskapitur, të keqtrajtuar”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura