Përjashtimi i Berishës, Basha: Ruajta standardin e vendosur për “non grata”-t! Ne kemi në krah gardianin e demokracisë, SHBA

Jan 21, 2022 | 7:58
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte dje me demokratët e Kurbinit, ku u shpjegoi se vendimi për Sali Berishën më 9 shtator ishte për të ruajtur standardin e vendosur më herët me zyrtarët e PS-së se personat “non grata” duhet të jenë jashtë politikës.

lulzimbasha

Sipas kreut të PD-së, ky standard ishte mbështetur më herët edhe nga Berisha, por që për interesat personale, vendosi të shkelë mbi parimet.

“Edhe unë kam marrë të njëjtin vendim më 9 shtator, me shpresën dhe besimin se Sali Berisha do t’ua kursente demokratëve atë që u përpoq të bënte dhe që po përpiqet ta bëjë edhe këto ditë të fundit, duke i thënë na lër të ëndërrojmë për atë pjesë të mirë të historisë, na lër të vazhdojmë përpara, sepse një standard kemi vendosur, një standard që e ke mbështetur edhe ti, kush është ‘non grata’ nuk duhet të jetë në politikë. Madje, më shumë se kaq, por për fat të keq interesat personale iu vendosën sakrificës së demokratëve të Kurbinit, të Lezhës, të Mirditës dhe të gjithë shqiptarëve dhe jemi sot këtu, pikërisht si pjesë e atij mentaliteti të vjetër”, tha Basha.

Kritikëve të cilët nuk pajtohen me vendimin e SHBA-së për të shpallur Berishën “non grata” në një kohë që PD ishte në opozitë, Basha u kujtoi në ‘92-shin kur u desh mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Basha i quajti gardianë të demokracisë për të mundur Kryeministrin Rama, që sipas tij, nuk po qeveris, por po sundon.

“E pra, e dimë të gjithë dhe e dinë të gjithë shqiptarët që sa herë ndodhemi para tiranive, tiranisë komuniste që e përmbysëm në ’92-shin me votë dhe Tiranës së korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të marrëveshjeve të hapura e të fshehta me faktorët e tranzicionit, dy kushte duhet të përmbushim në mënyrë që ta përmbysim edhe këtë tirani. E para, të qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit, me mendjet e hapura, të vendosur, të qartë, plot guxim e plot shpresë për Shqipërinë nesër; dhe e dyta, të mos humbasim busullën, busullën tonë, busullën e Partisë Demokratike, partisë euroatlantike, antikomuniste, perëndimore, pro-europiane, pro-amerikane”, vijoi kreu i PD-së.

8 JANARI

Ish-Kryeministrin Berisha, Basha e quajti një idhull të rremë, i cili për interesat personale, më 8 janar projektoi t’i kushtonte PD-së jetë demokratësh, duke i vendosur ata përballë njëri-tjetrit.

“Ndërsa një grusht njerëzish janë këta që asnjëherë nuk i kanë bërë llogaritë për Partinë Demokratike, për demokratët dhe me demokratët, por vetëm me xhepat e tyre e për xhepat e tyre; ndërsa një pjesë tjetër – se duhet të diferencojmë – e cila përhumbet pas imazheve te së kaluarës e ndalet para njerëzve si me qenë përpara ikonave, por nuk janë ikona, janë njerëz me gabime dhe me gabime shumë të mëdha kohët e fundit, që mund të kishin kushtuar. Mos të themi ishin projektuar që të kushtonin jetë demokratësh, duke i përçarë dhe duke i hedhur kundër njëri-tjetrit me një gjuhë urrejtjeje që s’e kemi dëgjuar as ndaj kundërshtarit politik, madje as nga kundërshtari politik, duhet të diferencohemi midis tyre, se ata e kanë kaluar vijën e kuqe, vija e kuqe është dhuna”, u shpreh kryedemokrati Basha.

AKUZAT PËR RAMËN

Në vijim të fjalës së tij përpara demokratëve të Kurbinit, Basha u ndal edhe te nisma e re e kreut të qeverisë, për të cilën tha se është mentalitet komunist.

“Kishte një parullë sa herë që bënin krime, sa herë që çonin në burg njerëz të pafajshëm apo i vrisnin pa gjyq, sa herë që shpronësonin, sa herë që varfëronin, sa herë që shkonte thika në palcë e s’kishte as bukë misri, thoshin ‘çfarë do populli, bën partia, çfarë thotë partia, bën populli’. Sot quhet konsultim kombëtar. Është i njëjti mentalitet. Konsultim kombëtar! Pasi e ka varfëruar Shqipërinë si askush, pasi e ka zbrazur nga rinia si askush, pasi e ka vjedhur si askush, na çon formularë për të pyetur a duhet legalizuar kanabisi, ndërkohë që e ka marrë vesh e gjithë bota që në Shqipëri zgjedhjet shkatërrohen dhe vidhen për shkak të aleancës së Edi Ramës me baronët e kokainës, me baronët e krimit. Nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e fundit e një regjimi i cili nuk është qeveri, po një soj si diktatura e para 31 viteve, është një regjim në koma. Një i vdekur i pakallur politikisht”, u shpreh kryedemokrati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura