Përgjimi që zbuloi ish-kreun e Burgjeve, emri i Çukos që merrte ryshfet doli kur…

Oct 22, 2018 | 8:57
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA / Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, njëkohësisht edhe ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili u arrestua dje, pasi dyshohet të jetë përfshirë në afera korruptive gjatë kohës që ishte në detyrë, u zbulua pas disa pergjimeve.

photo

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se është ekzekutuar urdhri i arrestit i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Të njëjtat burime thanë se Arben Çuko dyshohet se është përfshirë në korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën dhe për këtë arsye Gjykata kishte vendosur masën “arrest me burg”. Kjo masë u ekzekutua pasditen e djeshme nga Policia dhe Çuko aktualisht ndodhet i ndaluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Prej më shumë se një muaji ai ishte shkarkuar nga detyra me kërkesë të ministres së Drejtësisë. Më 3 shtator të këtij viti, Etilda Gjonaj shkarkoi nga detyra Çukon, duke emëruar si drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve në vend të tij, Stefan Çipën, ishzv.ministër i Brendshëm, i cili vazhdon të jetë në këtë detyrë.

Burime nga Prokuroria thanë se Çuko dyshohet se ka marrë një shumë parash dhe një makinë për të transferuar nga një burg në një tjetër të dënuarin Olsi Karagjozi, i dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë ka të dhëna edhe për raste të tjera korrupsioni, të cilat janë në verifikim nga organi i akuzës, për leje e transferime të dënuarish.

HETIMI

“Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhërarrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të Burgjeve. Urdhërarresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, njoftoi dje zyrtarisht Policia.

Burime nga Prokuroria thanë se arrestimi i Çukos është kërkuar pas një hetimi disamujor, pasi dyshohet se kundrejt lejeve që jepte për të burgosurit merrte para në formë ryshfeti.

Sipas informacioneve të para, Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge. Në një rast kur po përgjohej një nga anëtarët e grupit kriminal të trafikut të drogës ka dalë emri i Çukos, ku diskutohej se ai jepte leje për të burgosurit kundrejt pagesave.

Një nga rastet e dokumentuara nga ana e Prokurorisë, me incidien edhe të Ministrisë së Drejtësisë, dyshohet se Arben Çuko ka përfituar para dhe një automjet për transferimin e një të dënuari. Bëhet fjalë për të dënuarin Olsi Karagjozi, i arrestuar në janar të vitit 2013 dhe i dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg.

Në kohën kur ky person u arrestua, Policia shprehej se ai ishte paguar për 5 vrasje, të cilat kishin dështuar. Megjithatë, ai u dënua vetëm për një ngjarje që iu provua, kur plagosi dy persona.

PANORAMA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura