Përgjimi i “Babales”/ Avokatët e Jetmir Olldashit: Me hetimin e gazetarit u shkel Kushtetuta. Prokuroria duhet….

Oct 8, 2018 | 9:08
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Avokati Çlirim Gjata deklaroi dje se është shkelur Kushtetuta, në lidhje me akuzat e bëra në drejtim të gazetarit Jetmir Olldashi, lidhur me audio-përgjimin në çështjen “Babale”. Gjata, por njëkohësisht edhe avokati Indrit Seva, të cilët do të përfaqësojnë Olldashin në Gjykatë, thanë se asnjë nga akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë, pasi Prokuroria duhet të kishte njohur gazetarin me akuzat, si dhe t’i vinte në dispozicion të gjithë dosjen “Babale”.

“Këtu nuk kemi asnjë proces ligjor, kemi shkelje të Kushtetutës. Kërkojmë të na vihet në dispozicion dosja me numër përkatës në lidhje me akuzat ndaj personit që unë përfaqësoj. Duam të dimë se çfarë ka bërë Prokuroria në lidhje me hetimin e audio-përgjimit. Prokuroria është e detyruar me ligj që të na japë të gjithë informacionin. Një nga argumentet është akti i ekspertimit. Të na vihet në dispozicion akti i ekspertimit nëse është bërë.

Cilat janë përgjigjet, duhet të na vihen në dispozicion edhe në anglisht, edhe në shqip. Duhet të na sqarojnë se në çfarë procedure janë marrë kampionet e zërit që janë dërguar për ekspertizë në Angli. Meqë ky audio-përgjim është i manipuluar, të na shpjegojnë se si qenka bërë ky manipulim. Kam frikë se po na del edhe aktori si puna e asaj vajzës që tha ‘jam djegur me cigare’”, tha Gjata para mediave.

ggg

KERKESA DREJTUAR PROKURORISE SE KRIMEVE TE RENDA

Të nderuar Prokurorë, më datën 06.10.2018, u vumë në dijeni nga media audiovizive që ndaj të përfaqësuarit prej nesh, Jetmir Olldashi, i datëlindjes 30.05.1981, lindur në Berat e banues në Tiranë, rr. “Mikel Maruli”, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendim nr. 142, dt. 06.10.2018, ka vendosur masën e sigurimit personal “Detyrim për paraqitje”, në kuadër të procedimit penal nr. 95, viti 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në këtë moment, u vumë në dijeni që i përfaqësuari prej nesh, shtetasi Jetmir Olldashi, ishte person nën hetim, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 305 e 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Bazuar në nenin 34/a të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë të na vihet në dispozicion: Kopje e plotë e akteve të administruara deri në këtë fazë të hetimit, në ngarkim të shtetasit Jetmir Olldashi, në kuadër të procedimit penal nr. 95, viti 2018 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Përveç akteve të tjera, të ndodhura në dosje, kërkojmë nga ana Juaj që të na vihen në dispozicion, sa më poshtë: Kopje të procedurës së zhvillimit të shortit për caktimin e prokurorit/ prokurorëve për kryerjen e veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 96, viti 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; Aktet procedurale të marrjes së model eksperimental të zërit të shtetasit Agron (Geron Xhafa; Urdhrin/urdhrat e prokurorit për caktimin e ekspertit për marrjen e model eksperimental të zërit të shtetasit Agron (Geron) Xhafaj; Llojin, modelin, numrin e serisë dhe çdo të dhënë tjetër teknike të pajisjes së përdorur për marrjen e model eksperimental të zërit të shtetasit Agron (Geron) Xhafaj;

Kopje të model eksperimental të zërit, të dhënë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të administruar prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhënë nga ana e kallëzuesit Agron (Geron) Xhafaj, në kuadër të procedimit nr. 95, viti 2018; Deklarimet e shtetasit Agron (Geron) Xhafaj, në kuadër të këtij procedimi penal; Aktet procedurale të marrjes së model eksperimental të zërit të personit nën hetim Fredi Alizoti; Urdhrin/urdhrat e prokurorit për caktimin e ekspertit për marrjen e model eksperimental të zërit të personit nën hetim, Fredi Alizoti;

Llojin, modelin, numrin e serisë dhe çdo të dhënë tjetër teknike të pajisjes së përdorur për marrjen e model eksperimental të zërit të personit nën hetim Fredi Alizoti; Kopje të model eksperimental të zërit, të dhënë në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhënë nga ana e personit nën hetim, Fredi Alizoti, në kuadër procedimit nr. 95, viti 2018; Deklarimet e personit nën hetim, Fredi Alizoti, në kuadër të këtij procedimi penal; Deklarimet, dhënë para prokurorit, nga ana e personit nën hetim, Albert Veliu;

Urdhrin/urdhrat për caktimin e ekspertit/ekspertëve për kryerjen e ekspertimit të audio-regjistrimit për krahasimin e zërave të gjendur në materialin audio, bazuar në nenin 182 të Kodit të Procedurës Penale; Urdhrin për caktimin e detyrës së ekspertit, në zbatim të nenit 183 të Kodit të Procedurës Penale; Vendimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për caktimin e ekspertëve të huaj, në rast se ka, për realizimin e ekspertizës të audioregjistrimit, duke na përcaktuar qartë shkaqet e kësaj vendimmarrjeje; Kopje të përgjigje të ekspertit të huaj, nëse ka, mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për kryerjen e aktit të ekspertimit mbi audioregjistrimin, objekt shqyrtimi në këtë procedim penal;

Kopje të aktit të ekspertimit të ekspertit të huaj, nëse ka, në gjuhë origjinale dhe të përkthyer nga autoritetet shqiptare, mbi audioregjistrimin, objekt shqyrtimi në këtë procedim penal; Kopje të dokumentacionin, në të cilin organi procedues, bazon dyshimin për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë” dhe elementët e kryerjes së kësaj vepre në bashkëpunim. Ju lutem na shpjegoni arsyen përse Prokuroria ka njoftuar me SMS gazetarët dhe median përpara se të njoftohej zyrtarisht personin nën hetim, i përfaqësuari prej nesh, Jetmir Olldashi.

Kjo kërkesë bëhet në bazë të nenit 34/a të Kodit të Procedurës Penale me qëllim që të njihemi me të gjitha provat, aktet dhe të gjitha veprimet procedurale të ndodhura në fashikullin hetimor të procedimit penal nr.95 të vitit 2018, për të garantuar një mbrojtje të plotë dhe efektive për të përfaqësuarin prej nesh Jetmir Olldashi.

 

save

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura