Përgjimet/ Si po vëzhgohen prokurorët e gjyqtarët që po hetojnë skandalin

Jun 15, 2016 | 9:30
SHPËRNDAJE

Policia mban në vëzhgim prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë çështjen e përgjimeve të dyshuar me pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher”.

pajisja

Lajmi është bërë me dije dje nga burime jozyrtare për “Panorama” që theksojnë se prej më se një jave, në afërsi të Prokurorisë se Tiranës dhe gjykatës së kryeqytetit janë “instaluar” shërbime të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për grupe punonjësish të strukturave të policisë që lëvizin edhe me automjete, por që vëzhgojnë edhe në këmbë.

Ata kanë një javë që janë vendosur pranë institucioneve të prokurorisë dhe gjykatës dhe “mbajnë shënim” çdo lëvizje që bëjnë prokurorët që po hetojnë çështjen e përgjimeve. Po kështu mësohet se “në vëzhgim” janë edhe një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh të tjerë.

Nuk dihet arsyeja e kësaj mase nga ana e Policisë së Shtetit, por ajo që bie në sy është se prania e vëzhguesve nga strukturat e rendit e ka tensionuar situatën dhe marrëdhënien mes institucioneve që duhet të bashkëpunojnë në luftë ndaj krimit.

Më konkretisht, mësohet se një automjet i bardhë me targa private, prej më se një jave, që pas pezullimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, parkohet para Prokurorisë së Tiranës. Çdo mëngjes, prej një jave, makina e bardhë vendoset aty dhe prej saj zbresin 2 efektivat e policisë.

Duke qenë se qëndrojnë gjatë me shërbim deri në mbyllje të orarit zyrtar të punës apo pas këtij orari, efektivat e vëzhgimit janë parë edhe në rrugë dhe në lokalet pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo që bie në sy është se ky është një vëzhgim i hapur që kryhet edhe në ambientet pranë Gjykatës së Tiranës, ku efektivat e ngarkuar nuk përpiqen aspak ta mbajnë të fshehtë praninë e tyre.

Zyrtarisht nga policia nuk pranohet që të ketë një vendim apo urdhër për vëzhgimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por nga ana tjetër, disa efektiva të rendit thonë se javët e fundit kanë pasur disa mbledhje dhe analiza, ku u është kërkuar që të mbajnë në vëzhgim një listë gjyqtarësh dhe prokurorësh që kanë në duar çështjet, të cilat kanë të bëjnë me pajisjen e përgjimit dhe disa ngjarje të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura