Përgjimet që zbuluan “Bosin” e 613 kg kokainë. Arbër Çekaj nuk e dinte se…

May 7, 2018 | 12:28
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Arrestimi i Arbër Çekajt në Dyseldorf të Gjermanisë erdhi pasi u gjurmua për 20 ditë me radhë nga Policia gjermane, në bashkëpunim me 3 oficerë të Policisë shqiptare.

Cekaj

Oficerët ranë në gjurmët e “bosit” të 613 kg kokainë, pasi përgjuan bisedat e tij me familjen përmes rrjeteve sociale. Deri 20 ditë para arrestimit, Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij, edhe prej faktit se ai përdorte identitete të ndryshme.

Një herë mbiemrin Jansen të bashkëshortes e një herë tjetër emrin Fasli Çekaj. Megjithatë, edhe pse ka menduar se mund t’i shpëtonte përgjimit, duke komunikuar me familjarët vetëm përmes rrjeteve sociale, ai sërish ka rënë në “rrjetën” e Policisë, që arritën të zbulonin vendndodhjen e tij.

Policia tha të premten se Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden” ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë në magazinat e kësaj kompanie në Maminas, është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimi.

Çekaj ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar që prej datës 1 mars të këtij viti, ndërsa të premten në orët e para të mëngjesit u bë i mundur arrestimi i tij. Burime nga Policia e Shtetit thanë se Arbër Çekaj u arrestua në një banesë në një provincë në Dyseldorf.

PRONARI I BANANEVE

Shtetasi Arbër Çekaj rezultonte të ishte larguar nga Shqipëria 3 javë para se të sekuestrohej sasia rekord e kokainës dhe që në atë moment Policia bëri shpalljen në kërkim ndërkombëtar pasi kishte dyshime se ndodhej në Gjermani. Sipas Policisë, Çekaj, i cili kishte porositur kontenierin me 20 tonë banane nga Kolumbia, duket se kishte porositur edhe 613 kg kokainë.

Ai është aksioneri i vetëm i kompanisë “Arbri Garden”, siç del nga kërkimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Për sasinë rekord të kokainës, më 28 shkurt u arrestua Armando Pezaku, që drejtonte kamionin me targë DR 3819 dhe Donaldo Lushaj, që ndodhej si pasagjer, i cili kishte detyrën e menaxherit dhe do merrte në dorëzim mallin e mbërritur nga Kolumbia.

Duke folur në një lidhje telefonike për “News 24”, një ditë pas sekuestrimit të kokainës Arbër Çekaj u shpreh se ishte larguar drejt Gjermanisë bashkë me gruan dhe menjëherë sapo ka mësuar lajmin për kapjen e 613 kg kokainë, kishte prerë biletën e kthimi për të dhënë versionin e tij në Prokurori. Megjithatë, ai nuk u kthye vullnetarisht në Shqipëri, ashtu siç pati deklaruar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura